RMV, nevojiten reforma të Kodit Zgjedhor

Edhe pse në korrik të vitit të kaluar janë bërë ndryshime në Ligjin për financimin e partive politike në Maqedoninë e Veriut, sipas KE-së, referendumi dhe zgjedhjet presidenciale kanë nxjerrë në pah disa aspekte të kornizës ligjore që mbeten të pazgjidhura,  transmeton Portalb.mk.

Çështjet më problematike në sferën e reformave të Kodit Zgjedhor, një nga reformat kyçe dhe më me prioritet në kapitullin e demokracisë në Raportin e Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, që duhen të adresohen sipas Xhabir Derallës nga Qendra për Liri “Civil”, janë:

  • Sponzorimi i partive politike
  • Raportet dhe koha që ju jepet partive politike që t’i dorëzojnë raportet
  • Mënyra e raportimit dhe formatet
  • Prezantimi mediatik dhe reklamimi

I vetmi ndryshim që është bërë nga ana e financimit të partive politike dhe fushatave zgjedhore është mënyra e sponzorimit të partive politike duke bërë ndërhyrje në ligj dhe për ta rritur shumën e parave shtetërore dhe ulur atë të donacioneve.
Megjithatë, edhe pse janë bërë ndryshime, ende ka hapësirë për keqpërdorim të parave dhe manipulime me to shprehet Deralla.

Xhabir Deralla, OJQ CIVIL, foto: Borçe Popovski, "Kolektif.mk"
Xhabir Deralla, OJQ CIVIL, foto: Portalb

“Sipas “Civil”, duhet të shkruhet një Kod Zgjedhor tërësisht i ri dhe të largohet i vjetri. Në vetë Kodin Zgjedhor që nga fillimi kur është bërë, është bazuar në Kodin Zgjedhor kroat. Keq është shkruar, ashtu është i bërë që lë hapësirë për shumë dyshime dhe mund të bëhen shumë manipulime apo keqpërdorime. Duhet i gjithë Kodi Zgjedhor të ndryshohet, nuk duhet të ndryshohet vetëm ligji, duhet të bëhet një i ri”, tha Deralla.

Partitë tani kanë të drejtë të shfrytëzojnë më pak para nga donacionet dhe më shumë nga buxheti i shtetit. Tani, ata do të marrin pesë milion euro drejtpërsëdrejti nga buxheti dhe jo dy milionë siç ishte më parë. Përveç rritjes së fondeve partitë në Maqedoni kanë të drejtën të posedojnë tokë, pasuri të patundshme, hapësira afariste, mjete transportuese, të marrin kredi e burime tjera të financimit nga anëtarësia, donacionet, sponsorët dhe shitja e materialit propagandistik.

LEXO: Edhe partitë do të financohen nga buxheti shtetëror, por kush do t’i kontrollojë donacionet në llogaritë partiake?

Edhe raportet e OSBE/ODIHR-së për disa cikle me radhë theksojnë paqartësitë e dispozitave të Kodit zgjedhor dhe ligjit për financimin e partive politike. Raportet e partive politike për financimin e tyre gjatë fushatës, sipas tyre, nuk janë në format të standardizuar dhe shpesh herë janë të paqarta duke lënë hapësirë për manipulime dhe fshehje të të ardhurave të tyre të donuara nga personat fizik dhe juridik, për të mbuluar shpenzimet e fushatës.

Enti shtetëror për revizion është organi kyç që është përgjegjës për mbikëqyrjen e punës financiare dhe materiale të partive politike. Këtë ata duhet ta bëjnë një herë në vit, ndërsa llogarinë për punën financiare partitë duhet ta dorëzojnë në tri adresa: Drejtorinë për të hyra publike, Regjistrin qendror dhe Entin shtetëror për revizion. Në të njëjtën kohë, sipas nenit 26 të Kodit të ndryshuar zgjedhor, atë do të duhet ta publikojnë edhe në ueb-faqen e partisë. Enti shtetëror për revizion ka dy vite që është pa drejtor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button