KUSH PO NA I HA SHKRONJAT

Dikur mezi e kemi pritur çastin kur do të hynte e lirë fjala shqipe në Parlamentin e Maqedonisë, kur do të jehojë ajo aty dhe kur do të shpërthente bukuria e saj si lulet në maj. Ishte kjo një pritje e madhe, pritja e çastit më solemn, për shkak se atë që e kishim ruajtur brez pas brezi, amanetin më të shtrenjtë, përmendoren më të madhe, atdheun tonë pa kufij, gjatë kohë të mohuar e të shpallur si ilegal – tash po e legalizonim. Vërtetë festë e madhe! Vërtetë fitore e madhe! Për të cilën ishin munduar shumë breza.

Mendonim se ajo do të hynte brenda e kulluar. Kristal. E çiltër si shenjtore. E bukur dhe e natyrshme. Këtë e kemi menduar mirë, mirëpo nuk kemi menduar se kush do të jenë ato fisnike dhe ata fisnikë të cilët do ta çojnë fjalën shqipe në ndërtesën e Parlamentit prej nga do të duhej t’ia hapin dyert e mëdha, nëpër institucione; nuk kemi menduar se a janë në gjendje ata ta mbajnë seriozitetin e kësaj fjale, peshën e bukurisë, ndjeshmërinë, a do të munden ta përcjellin sharmin e lashtësisë së saj në komunikimin publik e zyrtar, muzikalitetin orfejan…

Këtë që nuk e kemi menduar, po e paguajmë me çmimin e lëkurës sonë. Kur i dëgjojmë ata që në kolltuk janë rehatuar vetëm në saje të gjuhës shqipe, kur i dëgjojmë si e flasin këtë gjuhë hyjnore, neve na vjen njëfarë turpi, na skuqet fytyra dhe duam, së paku, ose ta ndërrojmë kanalin ku flet ministri, ku i mundon fjalët deputeti – mos ta dëgjojnë fëmijët ose ta fikim krejt televizorin. Se fjalia e tij nis e sos është e ngatërruar. E na dhemb shpirti! Jo për ministrin, për deputetin, për përfaqësuesi, por për gjuhën tonë. Për gjuhën tonë shqipe që gjëmon e munduar nën trysninë e një sintaksë të çoroditur. Të një mungese të kulturës gramatikore, në përgjithësi. Nuk ka në të shpeshherë rasa, nuk ka trajta. Pason mungesa e muzikalitetit.

Nuk lodhet kush që ngjyrën e tingujve ta zbusë, ta çlirojë nga frenat e fshatit të lindjes. Rend me retorikën e tyre të rraskapitur fonetika e ligë. Këto zonja e këta burra që na përfaqësojnë në fjalorin e tyre me të cilin mundohen ta arrnojnë retorikën e politikanit shpesh nuk kanë y-ja, nuk kanë rr-ja. Thonë: ilber (për ylber), ill (për yll), pietje (për pyetje). Ka raste kur q-jat e ç-jat, gj-jat dhe xh-jat i bëjnë lëmsh. Për shembull: Çëllimi ishte çë xhërë e xhatë të elaborohet… (për: Qëllimi ishte gjerë e gjatë të shtjellohet…). E pesë para nuk japin për këtë. Për këto mëkate. S’çan kush kokë për marre e për fytyrë! Gjendet, pastaj, ndonjëri, deputet që ka dëshirë, madje, të na bëhet fetar i madh (më shumë e ka për reklamë) e shkon e t’i dyfishon bashkëtingëlloret, “hashsha”, pastaj kur dëshiron ta thotë ndonjë fjalë për haxhillëkun, thotë: haxhxh.

Pastaj i bëjnë ukubet emrat e përveçëm myslimanë, të cilët në gjuhën shqipe kanë hyrë përmes turqishtes dhe gjuha shqipe i ka futur në botën e vet si të tillë, si huazime turke dhe si të tilla i ka ruajtur. Dhe, si të tilla janë rehatuar e kanë lëdhuar rrënjë në gjuhën tonë e janë bërë pjesë e fjalorit tonë. Prandaj duhet ta dinë deputetët, ministrat dhe të gjithë ata që e përfaqësojnë popullin shqiptar kudo që të jetë se nuk thuhet Abdilaqim, po Abdylhaqim, nuk thuhet Alil, po Halil, jo Ajrije, po Hajrije, jo Asime, po Hasime, Jo Memet ose Memed, po Mehmet. Është e radhës më dhe është e ndershme të mësohen së paku t’i shkruajnë emrat e vet. Ky mësim u duhet. Jo i rehatisë dhe i bindjes se “ata atje poshtë – nuk dinë gjë”… Ka njerëz ndër ne që  i dinë këto gjera më mirë se kalorët e rehatuar të kolltuqeve  të të tri pushteteve. Po, po, u duhet ky mësim përfaqësuesve. Që t[ kujdesen për bukurinë e gjuhës në emër të së cilës e morën votën tonë e pastaj edhe kolltukun. U duhet ky mësim se është mësim për ligjet, për të cilat ata e kanë futur kokën në Parlament e në Qeveri.

Ta dinë se edhe gjuha shqipe i ka ligjet e rregullat e veta që duhen respektuar. Njësoj sikur duhet të respektohen edhe ligjet për të cilat deputetë e ministra të pozitës i çojnë gishtat. U duhet ky mësim, u duhet. U duhet shumicës të shkojnë të ulen në bankat e shkollës fillore e t’i përsërisin këto gjëra që mësohen atje. E mos të të mundohen me fjalë të huaja: underground (pse ndjehen mirë në semantikën e kësaj fjale), bord (pse ua përkujton atë fjalën që i ka këta tinguj dhe përfundon me el, me “suksesin e tyre ekselent”, në vend se të bëhen të shkëlqyeshëm, mos të më bëhen kontemporan, por bashkëkohër.) etj., etj.

Gjenden njerëz në këtë popull që e dinë se artificialiteti dhe zbrazëtia e gjuhës që e prodhojnë deputetët e pushtetarët aktualë nëpër foltoret e parlamentit e gjetiu, le ta dinë se artificialitetti dhe zbrazëtia e asaj gjuhe është e barabartë me gënjeshtrën. Duhet ta mësojnë edhe këtë fakt: ka shumë njerëz që dinë ta dallojnë shapin prej sheqerit.

Le t’i ruajmë shkronjat dhe fjalët tona. Se i kemi të shenjta.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button