Kosnett u takua me Kurtin, uroi që institucionet të themelohen sa më parë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, së bashku me nënkryetarin Besnik Bislimi, sot priti në takim Ambasadorin e ShBA-së në Kosovë Philip S. Kosnett, shoqëruar nga këshilltarja politike, Jessica Long dhe shefja e Sektorit Ekonomik në ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë, Lori Michaelson.

Sipas njoftimit, në këtë takim, Kosnett shprehu interesimin e tij për ecurinë e bisedimeve rreth formimit të qeverisë së re, duke uruar që institucionet e Republikës së Kosovës të themelohen sa më parë, në mënyrë që edhe puna për një shtet të së drejtës që lufton korrupsionin dhe zhvillon ekonominë t’i sjellë rezultatet e para, transmeton Koha.net.

Shefja e Sektorit Ekonomik në këtë ambasadë, Michaelson, vuri theksin te rëndësia e zhvillimit ekonomik në vend duke shprehë interesimin dhe mbështetjen e ambasadës për projektet e qeverisë së ardhshme në këtë drejtim.

Ndërkaq kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti e njoftoi ambasadorin Kosnett me ecurinë pozitive të takimeve me Lidhjen Demokratike dhe shprehu bindjen se shumë shpejt do të formohet qeveria e re. Prioritet, tha ai, do t’i kushtohet sundimit të ligjit dhe luftimit të krimit të organizuar e korrupsionit të lartë institucional, në mënyrë që t’i hapet kështu rrugë edhe progresit socio-ekonomik.

“Përpos luftës ndaj korrupsionit, me z.Kosnett dhe znj.Michaelson u ndanë edhe idetë tona për zhvillimin ekonomik të bazuar në politika mbështetëse për bizneset e vogla dhe të mesme në përgjithësi, në prodhimin vendor, dhe në arsimin e lidhur me ekonominë. Bindja jonë është se zhvillimi ekonomik i integron edhe qytetarët me bindje e besime të ndryshme brenda Republikës por edhe shtetet mes vete”, ka thënë Kurti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button