fbpx

ANALIZË: Zgjedhjet e parakohshme – zgjidhje për krizën politike, apo hyrje në një krizë të re – edhe ekonomike?

Reforma të thella në drejtësi, rrogë mesatare prej 500 eurosh në nivel shteti, standard më i mirë, ekonomi më e fortë, kthim i klasës së mesme, ligje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, reforma në media – e gjatë është lista e prioriteteve që e ka caktuar qeveria e udhëhequr nga kryeministri Zoran Zaev. Pas “Jo-së” së Brukselit për datë për fillimin e negociatave, disa ekonomistë besojnë se mund të pasojë një fazë e re e pasigurisë, një ngadalësim i mundshëm i proceseve të reformës, por edhe aktivitet i përmbajtur i investitorëve, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Shifra optimiste, pritje të përmbajtura…

Rritje e rrogës mesatare neto në gusht krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar për 3.8%, parashikime për rritje të rritjes ekonomike si nga institucionet vendase ashtu edhe nga ato ndërkombëtare, rënie e shkallës së papunësisë në nivel historikisht më të ulët prej 17.5 %, rritje e prodhimit industrial, rritje e eksportit. Statistikat japin të dhëna inkurajuese për trendet ekonomike në një vit në të cilin qeveria paralajmëroi lëvizje të mëdha ekonomike. Këto parashikime, prioritete dhe projeksione u mbështetën gjithashtu nga shpresat se Maqedonia do të bëhet anëtare e plotë e NATO-s dhe se do të marrim datë për fillimin e negociatave për pranim në BE. Anëtarësimi në NATO do të realizohet, por “Jo-ja” franceze i fundosi shpresat dhe solli një zhgënjim të madh jo vetëm në nivelet politike, por edhe në ato afariste. Sipas ekonomistëve, një zgjidhje e tillë nuk mund të mos ketë ndikim në ekonomi.

“Ndikime negative sigurisht që do të ketë, veçanërisht tek investitorët, vendas dhe të huaj. Biznesi kërkon një mjedis të sigurt dhe një siguri e tillë shihej në fillimin e negociatave me BE-në, gjë që natyrisht e bënte mënyrën më të sigurt rrugën nëpër të cilën do të ecë dhe do të zhvillohet vendi. Është shumë e rëndësishme që së shpejti të kuptohet perspektiva e vërtetë e vendit në lidhje me BE-në – a bëhet fjalë vetëm për vonesë të përkohshme apo ndoshta BE-ja dëshiron të na vendosë në një grup vendesh që nuk do të bëhen kurrë anëtare, por që do të gravitojnë rreth BE-së. Kjo do të nënkuptonte gjithashtu një strategji krejt të re për perspektivat e vendit, e cila do të kishte një ndikim të madh në ekonomi. Disa nga ndikimet negative mund të kompensohen nga ndikimi pozitiv i anëtarësimit në NATO, por autoritetet duhet ta adresojnë menjëherë çështjen, e cila mendoj se do të jetë një nga më të rëndësishmet në fushatën parazgjedhore” – thotë ekonomisti German Filkov nga Qendra për komunikime qytetare.

Vendimi i Brukselit solli zgjedhje të parakohshme parlamentare – cikël të ri zgjedhor që do të ndikojë në mënyrë të pashmangshme në ekonomi, komentojnë ekonomistët.

“Pesëmbëdhjetë vitet e fundit u mësuam me zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe për këtë arsye nuk kemi njohuri të mjaftueshme se sa prej atyre politikave do të zbatoheshin nëse një garniturë qeveritare do ta përfundonte mandatin e plotë. Në thelb, qeveritë tona nuk mund të bëjnë shumë sa i përket rritjes dhe zhvillimit ekonomik, duke pasur parasysh kufizimet buxhetore. Edhe ato pak fonde të alokuara për investime kapitale nuk realizohen, për shkak të procedurave të komplikuara të tenderimit, por edhe për shkak të pamundësisë për të përgatitur projekte cilësore që do t’i shërbenin zhvillimit ekonomik” – thotë profesori Sami Bislimi, duke shtuar se cikli zgjedhor, i cili sigurisht do të zhvillohej vitin e ardhshëm, do të sjellë një “ngadalësim” të ri të reformave dhe pasiguri të re në sektorin privat, i cili në situata të tilla zakonisht abstenon nga investimet, zhvillimi, punësimet e reja.

“Vetë fakti që qeveria vendosi të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare do të thotë se qeveria ka vendosur që reformat t’i vë në plan të dytë dhe luftën ta bëjë për të “gjuajtur” pikë politike, për rritjen e mbështetjes përmes masave populiste që nuk kanë asnjë bazë të vërtetë ekonomike (njoftimi për rritjen e rrogave të administratës publike, shëndetësisë, njoftimi për rritjen e pensioneve, pako të ndryshme sociale dhe të ngjashme). Ekonomikisht mund të pritet që rritja e rrogave ta rrisë fuqinë blerëse të qytetarëve dhe ta stimulojë kërkesën agregate, por në kushte të ofertës së pamjaftueshëm vendase, kjo vetëm do ta stimulojë importin. Si përfundim, në periudhën zgjedhore nuk mund të pritet që të zbatohen reformat e shumëpritura, nuk mund të pritet ndonjë rritje dhe zhvillim domethënës ekonomik, e aq më pak të tërhiqen investitorët e huaj dhe të realizohen investimet e planifikuara” – thotë profesor Bislimi.

Jo vetëm për kompanitë, por edhe për qytetarët, cikli i zgjedhjeve sjell pasiguri dhe për këtë arsye në periudha të këtilla vërehet përmbajtje nga shpenzimet e mëdha – konsiderojnë ekonomistët.

“Zgjedhjet sigurisht që do të ndikojnë në një ngadalësim të ekonomisë, i cili zakonisht zgjat nga momenti i shpalljes së zgjedhjeve, e deri në muajt e parë të formimit të qeverisë së re. Kjo do të çojë në mënyrë të pashmangshme në zvogëlimin e rritjes ekonomike të vendit, e cila në këtë rast do të ndikojë në përqindjet e planifikuara të rritjes si për këtë viti, ashtu edhe për vitin e ardhshëm, pasi zgjedhjet janë paralajmëruar tashmë këtë vit, ku mbeten edhe disa muaj të tjerë, ndërsa efekti negativ do të zgjasë edhe gjatë gjithë gjysmës së parë të vitit të ardhshëm. Bizneset në këto periudhë përmbahen nga investimi dhe zgjerimi, por edhe qytetarët – nga shpenzimet “- thotë Fillkovi.

Sipas Marrëveshjes së Përzhinës, 100 ditë para zgjedhjeve të parakohshme do të formohet qeveri teknike e kryesuar nga një kryeministër teknik. Sipas kësaj marrëveshjeje, Ministria e Punëve të Brendshme, e rëndësishme për nga aspekti politik dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, me rëndësi financiare, do të udhëhiqen nga ministrat teknikë të opozitës. Një kryeministër teknik gjithashtu do ta kryesojë edhe qeverinë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button