Komisioni Evropian dhe OJQ-të: duhet harmonizim më i gjerë i tatimeve për shoqëritë civile në RMV

Një ndër reformat që Komisioni Evropian ka kërkuar të bëhen nga Qeveria e RMV-së në raportin e publikuar në muajin maj, në sferën e organizatave joqeveritare është dhe harmonizimi më i gjerë i tatimeve sa i përket OJQ-ve. Ekspertët thonë se duhet gjetur një model i përshtatshëm për trajtimin e tatimeve të OJQ-ve në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

Në Raportin e Komisionit Evropian thuhet se “Qeveria duhet të bëjë përpjekje të mëtejshme për të siguruar qëndrueshmërinë financiare të OJQ-ve, të tilla si harmonizim më i gjerë i tatimeve dhe financimi i parashikueshëm publik”.

Sipas OJQ-ve të kontaktuara nga Portalb, një hap drejt përmirësimit të ligjeve tatimore ka qenë interpretimi autentik i 115 i Ligjit mbi Tatimin në të Ardhurat Personale (tatimit personal) i miratuar nga Parlamenti me mbështetjen e Qeverisë. Por, kjo nuk mjafton, ata thonë se duhet gjetur një model i përshtatshëm për trajtimin e tatimeve të OJQ-ve në Maqedoninë e Veriut. Gjithashtu, nevojitet një ligj i ri i veçantë për taksën e OJQ-ve që të mos trajtohen njëlloj organizatat profitabile dhe ato joprofitabile.

Në dy vitet e fundit, janë mbajtur disa seanca dëgjimore publike dhe OJQ-të kanë dorëzuar analizën e tyre se në cilën pjesë të ligjeve duhet të ndërhyhet që të mund të sigurohen ligje të përshtatshme tatimore për OJQ-të. Por nuk dihet se kur do të miratohen ligjet.

“Një ligj i ri për kontabilitetin për organizatat jofitimprurëse është në proces të hartimit, ne insistojmë që për ne, nëse nuk mund të ketë Ligj të Kontabilitetit, duhet të ketë një ligj plotësues që do të rregullojë posaçërisht mënyrën e kryerjes së kontabilitetit në OJQ. Deri tani jemi bazuar në ligjin për kontabilitet që vlente për të gjithë, edhe për organizatat profitabile edhe joprofitabile, ky është ligj i ri i cili është në fazë përgatitje, nuk është përfunduar, nuk është as në fazën e miratimit. Ministria e Financave me pjesëmarrje direkte të anëtarëve të OJQ-ve e punon tekstin e ligjit të ri”, thotë drejtoresha e Institutit për Shoqëri të Hapur – Maqedoni, Fani Karanfilova Panovska.

Nga ana tjetër, nga Sekretariati për çështje evropiane thonë se është miratuar Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatim të fitimit (“Gazeta Zyrtare e RM” nr.248/18), me të cilin në nenin 4-a rregullohet trajtimi tatimor i organizatave të regjistruara sipas Ligjit për shoqata dhe fondacione, ndërsa në vijim është përpilimi i akteve nënligjore.

“Me aktet nënligjore do të mundësohet që organizatat civile të informojnë për shumat e të ardhurave të gjithsejta nga veprimtaritë jo-përfituese si dhe për të ardhurat e përgjithshme nga veprimet e biznesit të realizuara gjatë vitit të punës”, njofton Ermira Sulejmani nga Sekretariati për çështje evropiane.

Financimi i parashikueshëm publik i OJQ-ve

Një pikë e rëndësishme është dhe krijimi i një modeli transparent dhe të besueshëm i financimit me para të shtetit dhe një fond i vetëm i zhvillimit institucional për OJQ-të.

“Ne mendojmë se paraja publike nënkupton paratë që ekzistojnë aktualisht në buxhetin e RMV-së ose në buxhetet e komunave dhe janë të destinuara për OJQ-të, pasi mënyra se si programohen paratë dhe mënyra e shpenzimit të tyre nuk varet në mënyrë sistematike, nuk është transparente, ndonjëherë nuk është funksion i asaj që janë përparësitë strategjike të vetë shtetit. Kjo është arsyeja pse ne themi se është e nevojshme të bëhet një model për financimin shtetëror të OJQ-ve që do të sigurojë qëndrueshmëri më të madhe të OJQ-ve nga njëra anë, por në atë që do të sigurojë integritetin e tyre më të madh”, njofton Karanfilova.

Ajo thotë se duhet të ketë transparencë të plotë dhe përgjegjshmëri, por duhet të sigurohen mekanizma në mënyrë që shpërndarja e këtyre parave publike për OJQ-të të mos rrezikojë integritetin dhe pavarësinë e tyre.

“Shteti duhet të rrisë pjesën me të cilën financon OJQ-të, të kenë një sistem ose fond të parashikueshëm, të organizuar, dhe të sigurojë bashkëfinancim shtesë.” shton ajo.

LEXO: Komisioni Evropian kërkon qëndrueshmëri financiare të OJQ-ve, qeveria ende nuk ka gjetur zgjidhje

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button