E BUKURA DHE SHËMTIA SHQIPTARE SIPAS MARK MILANIT

Figurën e Mark Milanit, luftëtarit egërshan në betejat me shqiptarët, e njohim prej këngëve popullore dhe veprave letrare si “Lahuta e Malcis”  e At Gjergj Fishtës, ku ai është njëri ndër personazhët kyç nga radhët e ushtrisë malaziase, që synonte aneksimin e dhunshëm të veriut të Shqipërisë.

Sipas Dr. Lazër Radit, Mark Milani lindi në vitin 1833 në një fshat në Bjeshkët e Kuçit. Ai, edhe pse i pashkollë, nga mosha 27 deri në moshën 49 vjeçare, shërbeu në oborrin e Knjaz Nikollës, i cili e degradoi pas intrigave të kundërshtarëve. Pjesën tjetër të jetës, gjersa vdiq në vitin 1901, Marku e kaloi në Medun, ku braktisi detyrën e luftëtarit dhe iu përvesh mësimit të gjuhës së shkruar, që u kurorëzua me veprat: “Fisi i Kuçit, në këngët dhe tregimet popullore”, “Shembuj trimërie dhe burrërie” dhe“Jeta dhe zakonët e shqiptarëve”.

Gjithnjë sipas Lazër Radit, po flasim për libra që, krahas vlerave historike, ruajnë dhe vlera etnopsikologjike. Prej tyre kuptojmë se Mark Milani i mbeti besnik gjer në fund kauzës sllave, përkundër origjinës së tij shqiptare. Megjithatë, në veprën “Jeta dhe zakonët e shqiptarëve”, Mark Milani shkrimtar, në dallim prej poetëve shovinistë serbo-malazias Jovan Daçiqit e Milan Rakiqit, gjithashtu me prejardhje nga fiset shqiptare Daci e Raka, është më tolerant dhe shpreh një lloj respekti kur shkruan për ne, sado që nuk pati guxim ta denoncojë hegjemonizmin e egër sllav ndaj shqiptarëve, ashtu siç bëri shkrimtari serb Dimitrije Tucoviq, në veprën “Serbët dhe Shqiptarët”.

Me mënyrën që zgjodhi të shkruajë për shqiptarët, Marku dëshmoi se është i vetëdijshëm për prejardhjen e tij nga fisi shqiptar Kuçi (Kuqi). Një njeri me inteligjencën e tij nuk mund të mos dinte gjë për asimilimin në malazias të shumë fiseve shqiptare, nuk mund të mos e dinte se: Drekaloviqët rrjedhin prej fisit shqiptar të Kastratëve, Vasojeviqët nga fisi Vasa, Bjellopavliqët nga fisi Palabardhë, Gjukiqët e Gjukanoviqët nga fisi Gjukaj, Gjokiqët e Gjokanoviqët nga fisi Gjoka, Peshkoviqët nga fisi Peshku, Luliqët e Luloviqët nga fisi Lulaj, Bojoviqët e Bojiqët nga fisi Boja, Bojkoviqët nga fisi Bojka, Gashiqët e Gashaninët nga fisi Gashi, Berishiqët nga fisi Beriasha, Buriqët nga fisi Buri, Shoshkiqët nga fisi Shoshi, Shaliqët e Shalanoviqët tok me Shekaninët nga fisi Shala, Gjurkoviqët nga fisi Gjurka, Gjeloviqët e Gjeliqët nga fisi Gjeli, Grudiqët nga fisi Gruda, Zogoviqët nga fisi Zogu, Baliqët e Baloviqët nga fisi Balaj,  Nikqiqët nga fisi Nikqi, Braliqët nga fisi Brala, Daçiqët nga fisi Daci, Dashiqët nga fisi Dashi, Bardiqët nga fisi Bardhi, Preniqët nga fisi Preni, Koliqët nga fisi Kola e kështu me rradhë, e kështu në pakufi.

Këtë e dëshmojnë dhe hartat e vjetra gjeografike me vendbanimet dhe fiset e Malit të Zi, si ajo e vitit 1839, që ka për autor princin e Vasojeviqëve. Aty përmenden fiset shqiptare (Kuçët, Palabardhët, Piperët, Hotët, Krasniqët…), që më pas iu nënshtruan asimilimit të dhunshëm.

Për fiset shqiptare të konvertuar në sllavë, shkruan dhe Edith Durhami. Më 1913 ajo shkroi se Drekaloviqët dhe Kastratët nuk martoheshin ndërmjet tyre, sepse ishin të një gjaku.

Pak më herët (1907), Baroni Franc Nopça shkroi se nga fisi i vjetër shqiptar Berisha dolën fiset malaziase: Drekalovoqët, Kuçeqiqet e Grudiqët.

Por, ta lëmë për një herë tjetër temën e dhimbshme të asimilimit të plotë apo të pjesërishëm të fiseve shqiptare dhe humbjen e plotë apo të pjesërishme të viseve dhe qyteteve, si: Plava, Gucia, Rozhaja, Ulqini, Tivari, Tuzi…, ku edhe sot vazhdon konvertimi i sofistikuar i shqiptarëve në malazias e boshnjakë dhe ta mbyllim shkrimin me disa thënie të Mark Milanit për ish bashkëkombasit e braktisur pas narkozës shekullore me propagandat gjenocidiste të Ilia Garashaninit (1884), Vasa  Çubriloviqit (1937), Ivo Andriqit (1939)…

Kuptohet, në pamundësi për të sjellur para lexuesve të PortAlb-it malin e të dhënave interesante të Mark Milanit mbi jetën dhe zakonet e shqiptarëve (këngët popullore, mikpritjen, hakmarrjen, vëllamërinë, parësinë, oxhaqet e vogla e të mëdha, patriarkalizmin, nderin, besën, gratë, burrat…, duhet të kënaqemi vetëm me disa thenie të tij mbi tiparet tona të bukura dhe të shëmtuara, duke filluar me të bukurat, natyrisht:

Varfëria nuk e ka zvogëluar as bujarinë dhe as mikpritjen e shqiptarëve.

Shqiptarët e kanë ndryshuar fenë, po nuk e kanë ndryshuar kombësinë. Ata ishin dhe kanë mbetur shqiptarë.

Duhet ta dinë të gjithë se: ai popull i thjeshtë, aq sa është i mirë e i dashur, po aq i egër e armiqësor bëhet kur e kupton se ti ia ke me hile.

Shqiptari, me gjithë pushtimet e huaja, qëndroi në të vetën: i pandryshuar dhe i patjetërsuar, me gjuhën e tij të lashtë dhe pushkën me të cilën u lind. Kjo na bën të mendojmë se tek ky popull ka diçka që është më e fortë dhe më e qëndrueshme se tek popujt e tjerë. Ndryshe nuk mund të shpjegohet fakti: si ky popull nuk e lejoi veten të ndryshonte pas gjithë atyre shekujve, pas gjithë atyre pushtimeve që e shkelën e shkuan mbi të, pas gjithë atyre përmbysjeve që ndodhën.

Shqiptarët, edhe pse e lakmojnë të mirën dhe të bukurën si askush tjetër, mbi mikun nuk vënë asgjë.

Ndër gratë shqiptare ka trimëresha të tilla, që mund të krahasohen me trimëreshat e grekëve e të romakëve të lashtë…

*

Pushtuesit janë përpjekur gjithmonë për krijimin e një hendeku midis shqiptarëve, duke përdorur fenë për arritjen e këtij qëllimi.

Shqiptarët kanë një të metë të madhe, e cila ka ekzistuar tek të gjithë popujt  që nuk kanë pasur një shtet të rregullt. E kjo e metë është, se ata janë të gatshëm për të vrarë njëri-tjetrin.

Ndodh që ata të vriten me sho-shoqin  vetëm për një fjalë goje.

Ka ndodhur që në shumë vise të Shqipërisë, një hakmarrje të ketë zgjatur qindra vjet, e të jenë vrarë me njëri-tjetrin për hakmarrje breza me rradhë.

Zakoni i mbrapshtë i gjakmarrjes, i cili është ende gjallë në mes shqiptarëve, ka qenë i përkrahur nga pushtuesit e huaj, pasi ata nuk donin t’i shihnin shqiptarët të bashkuar e në harmoni më njëri-tjetrin, sepse e dinin mirë se shqiptarët e bashkuar janë shumë të rrezikshëm, duke evokuar me tmerr kohën e Skëndërbeut…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button