“Racionalizmi” francez

Është interesante të shihen reagimet e botës së civilizuar ndaj vetos franceze për hapjen e negociatave të aderimit në Unionin Evropian të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Shumë shtete dhe shtetarë nuk arrijnë të besojnë se kjo sjellje kaq e papërgjegjshme vërtet ka ndodhur. Shumë prej tyre janë të shokuar se si presidenti i një vendi të fuqishëm, dikush të cilin ata e paramendonin si lider të UE-së, e solli gjithë UE-në në situatë të mos mund t’i mbajë premtimet e veta. Shumë prej tyre arritën ta shohin dhe ta shprehin hapur që ky vendim është posaçërisht i rrezikshëm për Ballkanin Perëndimor dhe për Evropën në tërësi.

Përkrahje posaçërisht e fuqishme arriti nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata përmes deklaratës së Departamentit të Shtetit shprehën dëshpërimin e tyre për mos-hapjen e negociatave mes UE dhe Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Për më tepër, ata vetëm disa ditë pas vetos franceze për këto bisedime, e ratifikuan Protokollin për aderimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Bënë të vetmen gjë që munden në këto kushte dhe momente për të treguar përkrahjen e tyre të parezervë ndaj proceseve të integrimit euro-atlantik të këtij vendi. Padyshim që SHBA mbetet partneri më i rëndësishëm strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, dhe unë vërtet jam thellë e bindur që ndikimi amerikan duhet të përforcohet dukshëm në rajon në këto kushte, kur deziluzionizmi dhe demoralizimi i qytetarëve progresivë është aq i lartë dhe në proporcion të drejtë me rrezikun nga rritja e ndikimeve tjera, jo të mira për këtë shtet.

Posaçërisht dëshpërues ishte arsyetimi që Makron e dha pas pengimit direkt të hapjes së negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Tri janë momentet kyçe që arsyetimin e tij për këtë veprim që shumë njerëz me rendësi në vetë UE e quajtën gabim historik.

Së pari, ai bëri lidhje mes reformimit të mënyrës së negocimit me shtetet kandidate dhe vetë procesit të hapjes së negociatave me to. Ai faktikisht tha që zgjerim të UE-së nuk duhet të ketë deri sa procesi i negocimit të mos reformohet. Shumë ekspertë të UE-së theksuan që kjo është tërësisht në kundërshtim me vetë rregullat e UE që parashohin zgjerim dhe me vetë natyrën e UE-së që pretendon një Evropë të bashkuar. Të thuash që procesi duhet të reformohet dhe të mos tregosh si, dhe në ndërkohë të mbyllësh dyert e zgjerimit për shtete dhe popuj që e kanë lidhur perspektivën e vetë me këtë mundësi është më së paku thënë mungesë e sensit për zhvillimin e politikës në Ballkan por edhe në Evropë. Për më tepër, të thuash se vendet e Ballkanit Perëndimor jo domosdoshmërish duhet të integrohen në UE por mund të kenë një si tip partneriteti të jashtëm me këtë union, është poashtu tërësisht e pakuptueshme. Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë vende Aziate ose Afrikane, e as nuk gjenden në Amerikë, në Australi ose në Antarktik që të kenë “partneritet të jashtëm” me Evropën të cilës i takojnë.

Së dyti, në fjalimin e tij në Tuluz, kur Makron fliste për atë se si ai e sheh Unionin Evropian si një shtëpi ku prishen dritat e duhet të rregullohen, ku jo të gjithë anëtarët kontribuojnë njësoj e disa prej tyre edhe i ftojnë shokët e shoqet për të ardhur në shtëpinë e tyre (?!), ai e përmendi Shqipërinë si vend prej të cilit ka pasur më së shumti migrime drejt UE-së pikërisht pas liberalizimit të vizave me këtë shtet. Për më tepër ai u referua tek eksperienca e hapjes së negociatave për aderim dhe theksoi që pikërisht kur UE ka negociuar me shtetet në këtë rajon për aderimin e tyre në union, kanë ndodhur dyndjet më të mëdha të migrantëve nga këto vende drejt UE-së. Të mendosh se këtë proces të migrimit do e ndalësh me moshapjen e negociatave tjera për aderim është një tjetër mungesë sensi. Pikërisht mungesa e perspektivës evropiane do e ngritë edhe më tepër numrin e arratisjeve nga këto vende, ku edhe po t’i bësh të gjitha detyrat në rregull mbetesh sërish në klasë dhe gjithnjë trajtohesh si i pavlerë pikërisht nga liderë si vetë Makron. Pra vetoja franceze jo vetëm që nuk do i ndalë migrimet por përkundrazi do i përforcojë ato.

Së treti, pas pengesës direkte të së premtes së kaluar për dhënien e datës për hapjen e negociatave, Makron u shpreh se njëra ndër arsyet për mosdhënien e kësaj date për Maqedoninë e Veriut përmes ndarjes së saj nga Shqipëria për të cilën ka kundërshtim edhe nga dy shtete tjera për marrjen e datës është se nëse RMV do të merte datë dhe do të integrohej në UE para Shqipërisë, shqiptarët në Shqipëri por edhe në vetë RMV do të protestokan ashpër dhe rrezikshëm kundër këtij vendimi dhe do të paska trazira në rajon. Ky definitivisht është arsyetimi më absurd që kam dëgjuar për këtë punë i cili është veçanërisht zhgënjyes dhe dëshpërues kur vjen nga dikush që shihet si lider evropian. Dy herë ai i hodhi fajet mbi shqiptarët për këtë proces: ata migrokan shumë drejt Evropës (sikur vërtet shqiptarët janë të vetmit që migrojnë aty), dhe ata do të bëkan trazira nëse Maqedonia e Veriut integroheshka para Shqipërisë në UE. Është e qartë, Makron na sheh neve shqiptarëve si shkaktuesit e problemeve në Ballkan dhe UE.

Këto tri arsyetime të dhëna nga Makron tregojnë shumë mirë absurdin e vetos franceze për hapjen e këtyre negociatave aq të rëndësishme për ne. Për fat të keq më duhet të konstatoj se të tri arsyetimet janë irracionale dhe të bazuara në frikë. Është e dhimbshme të shihet që vendi që e ke zbuluar racionalizmin të veprojë tani në mënyrë krejtësisht irracionale për një çështje kaq të rëndësishme për perspektivën e Unionit Evropian dhe të Evropës në përgjithësi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button