“E ndryshova imazhin e klubit të burrave” tha Sela dhe i ftoi qytetarët të mobilizohen për ndryshim

“Ja përmirësova imazhin këtij takimi, sepse nga një klub burrash, pata kënaqësinë të marrë pjesë me nënkryetaren e partisë”, kështu u deklarua lideri i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Ziadin Sela pas takimit të liderëve dhe ftoi qytetarët të mobilizohen për ndryshim më 12 prill të 2020-s, transmeton Portalb.mk.

I shoqëruar nga nënkryetarja Bujare Abazi, e vetmja femër e pranishme në takimin e liderëve, Sela më tej ftoi qytetarët të mobilizohen për ta sjellë ndryshimin brenda shoqërisë shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV).

“Data e zgjedhjeve të parakohshme është një sihariq i mirë edhe për opozitën. Të gjithë ata që mendojnë se ka ardhur koha që të vijë ndryshimi, dhe të kthehet shpresa edhe te një pjesë e shoqërisë shqiptare këtu në Maqedoninë e Veriut. Bashkërisht u morëm vesh që më 12 prill të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Unë ju bëj ftesë të gjithë njerëzve, që të mobilizohen dhe më 12 prill bashkërisht ta sjellim ndryshimin aq të nevojshëm dhe demokracinë brenda për brenda shoqërisë shqiptare”, tha Sela.

Sa i takon regjistrimit, ai tha se si Aleancë për Shqiptarët nuk do të jetë problem që paralelisht me zgjedhjet të realizohet edhe regjistrimi, sepse ai është proces teknik, dhe nuk duhet të varet nga subjektet politike.

Përndryshe, më 12 prill të 2020-s janë caktuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Zgjedhjet u diskutuan në pjesën e dytë të takimit, ndërkaq në pjesën e parë u riafirmua qëndrimi për rrugëtim evropian të RMV-së në BE, pavarësisht se kush do të jetë në pushtet dhe opozitë.

Takimi i liderëve vjen pasi Këshilli i BE-së, dhënien e datës për nisjen e negociatave me RMV-në dhe Shqipërinë e shtyu për në maj të 2020-s, për shkak se liderët nuk arritën kompromis gjatë samitit dyditor që u mbajt në tetor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button