Para takimit të liderëve, përplasje mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së

Para takimit të liderëve, dy partitë më të mëdha të bllokut maqedonas, VMRO-DPMNE dhe Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) janë përplasur me njëra-tjetrën, e para duke numëruar dështimet e pushtetit, e dyta sukseset, transmeton Portalb.mk.

Partia opozitare, VMRO-DPMNE ka deklaruar se pas dështimit të marrjes së datës nga Bashkimi Evropian (BE), qytetarët nuk i besojnë kryeministrit dhe liderit të LSDM-së, Zoran Zaevit, sepse “në Evropë nuk shkohet me zhvatje, krim dhe korrupsion”.

“Marrëveshjet e dëmshme, disfatat, politikat me kurriz të ngrysur nuk e hapin perspektivën evropiane për shtetin tonë. VMRO-DPMNE paralajmëronte se ndryshimi i emrit dhe heqja dorë nga gjithçka që është maqedonase, nuk do të na përafrojë drejt Evropës ndërsa Zaev i gënjente qytetarët maqedonas se kjo është rruga e vetme. Koha për reforma dhe për politikanë që do ta ndërtojnë të ardhmen e Maqedonisë me projekte dhe politika në interes të qytetarëve”, thuhet ndër të tjerash në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

Nga ana tjetër, LSDM-ja mosmarrjen e datës e ka vlerësuar si padrejtësi, dhe se një gjë e tillë nuk do ta fusë në amulli shoqërinë, shtetin, institucionet e RMV-së.

“Shteti ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare që më fuqishëm të vazhdojë rruga e drejtë e reformave, përparimit dhe integrimit. Për vetëm më pak se dy vjet e gjysmë, RMV-ja u bë moderne, shtet evropian. Suksesi i reformave të realizuara nga Qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja, tashmë janë të njohura në tërë botën demokratike. Bashkimi Evropian bëri gabim historik dhe ajo ishte porosia e përfaqësuesve të BE-së. Një padrejtësi e tillë, nuk do ta fut në amulli shoqërinë, shtetin, institucionet. Përkundrazi, do të punojmë dyfish më shumë për vlerat evropiane, standardet dhe reformat që do t’i sjellim këtu. Ëndrra evropiane për popullin maqedonas, si dhe për shqiptarët, serbët, vllahët, turqit, romët dhe boshnjakët dhe të gjithë që jetojnë në shtetin tonë – nuk do të shkatërrohet”, thuhet ndër të tjerash në reagimin e LSDM-së, për çfarë kanë shtuar se, për këtë është më mirë të organizohen zgjedhje të parakohshme, që a do të vazhdojmë në rrugën e vërtetë, të vendosin qytetarët.

Kjo përplasje vjen në vazhdën e takimit të liderëve, ku pritet të diskutohet për të ardhmen e shtetit të RMV-së dhe për opsionin të cilin Zaevi dje e propozoi, shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Takimi i liderëve dhe zgjedhjet e parakohshme vijnë pasi pasi, Këshilli i BE-së, dhënien e datës për nisjen e negociatave me RMV-në dhe Shqipërinë e shtyu për në maj të 2020-s, për shkak se liderët nuk arritën kompromis gjatë samitit dyditor që u mbajt në tetor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button