Ademi tregoi se cilët fëmijë janë të liruar nga vaksinimi

Me Ligjin e ri për arsim fillor, por edhe me atë të vjetrin është paraparë obligimi i prindërve që, kur do t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në klasë të parë, të parashtrojnë edhe vërtetim për pranim të vaksinave të detyrueshme. Në maj kemi informuar që duhet të pranohen të gjitha fletëparaqitjet për regjistrim, por deri më 1 shtator duhet edhe vaksinim, deklaroi ministri për arsim dhe shkencë Arbër Ademi në lidhje me vaksinimin e fëmijëve gjatë vizitës së tij të Institutit për trashëgimi shpirtërore dhe kulturore të Shqiptarëve, transmeton NovaTv.

Ademi ka theksuar që deri në fund të muajit shtator shkollat duhet ta njoftojnë inspektoratin për arsim sa nxënës nuk janë të regjistruar, ndërsa do të duhej të ishin regjistruar.

“Të dhënat janë duke u përpunuar dhe kur të bëhen përfundimtare, unë ato të dhëna do t’i raportoj në seancë të veçantë të Qeverisë që edhe një herë t’i kthehemi kësaj çështjeje. Mirëpo, ne së bashku me Ministrinë për shëndetësi kemi premtuar dhe qëndrojmë në atë, do të ketë edhe vaksinim në terren për t’u lehtësuar mënyra e vaksinimit të atyre fëmijëve të cilët deri më tani nuk i kanë pranuar vaksinat e detyrueshme. Përveç kësaj, në vitin 2014 apo 2015 kemi edhe vendim të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje dhe atë e kemi ndarë me të gjithë: me publikun, me partitë politike, deputetët. Si ministër për arsim dhe shkencë, pa e parë edhe aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese kam pasur qëndrim që secili duhet të regjistrohet në shkollën fillore. Mirëpo, pasi e shqyrtuam këtë çështje dhe aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, atëherë me qasje serioze diskutuam në seancë të Qeverisë dhe i miratuam konkluzionet, të cilat janë në pajtim me dispozitat ligjore. Në maj kemi thënë që duhet të pranohen të gjitha fletëparaqitjet për regjistrim, mirëpo deri më 1 shtator duhet edhe për vaksinim”, ka thënë Ademi.

Ai informon që nga vaksinimi janë të liruar ata persona dhe fëmijë tek të cilët me vërtetim mjekësor është konstatuar që nëse pranojnë ndonjë vaksinë do t’iu përkeqësohej gjendja shëndetësore.

Në pyetjen e gazetarit në lidhje me kërkesën e prindërve të nxënësve nga fshati Bërnjarci për transport të fëmijëve të tyre deri në shkollën në fshatin Haraçinë, ministri Ademi ka theksuar që gjithmonë është i përgatitur të diskutojnë për të gjetur zgjidhje, madje edhe në situata të caktuara kur problemi nuk varet nga Ministria për arsim dhe shkencë.

Organizimi i transportit të nxënësve është në kompetencë të komunave. Kjo çështje është në kompetencë të njësive të vetëqeverisjes lokale dhe komunave në kuadër të obligimeve që ato i kanë, duhet ta organizojnë transportin e fëmijëve. Mirëpo, nuk dyshoj që do të takohemi me prindët dhe do ta jap kontributin tim edhe jashtë kompetencave të mia për t’u gjetur ndonjë zgjidhje në interes të fëmijëve dhe prindërve të tyre, ka thënë ministri Ademi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button