Drurët e Malit Sharr po priten, banorët ngelen të revoltuar ndërsa hidrocentralet po ndërtohen

Aktivistët ekologjik kanë ngritur zërin në lidhje me prerjen e drurëve në Malin Sharr duke theksuar se kjo po e shkatërron natyrën. Nga ana tjetër, autoritetet përkatëse thonë se prerja është legale dhe për këtë ka dy arsye, shkruan Portalb.mk.

Ditëve të fundit në Malin Sharr, në rajonin e fshatit Bozovcë të Tetovës, gjegjësisht në vendin e quajtur Leshnicë priten drurët në bazë të dy vendimeve nga institucionet e vendit:

1. Prerja e planifikuar nga N.P “Malet Kombëtare”
dhe
2. Prerja për hapjen e rrugës për te hidrocentrali i planifikuar në këtë zonë.

Aktivistët nga iniciativa “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” dhe “Eco Guerrilla” e kanë alarmuar situatën për këto prerje sepse sipas tyre, “shkatërrohet natyra ndërsa banorët nuk përfitojnë”. Problemi më i madh, sipas tyre është mos-shpallja e Malit Sharr si Park Nacional. Duke mos e mbrojtur malin me ligj, lihen mundësi për keqpërdorime, ndërtim të hidrocentraleve që shkatërrojnë ambientin dhe prerje masive të drurëve pa e konsideruar dëmin që e bëjnë në natyrë.

 Prerja nga N.P “Malet Kombëtare”: aktivitet i planifikuar

Janë prerë 700 kubik drurë në këtë lokacion, në seksionet 34 A dhe 29 B, nga N.P “Malet Kombëtare”.

34A edhe 29B
Seksionet 34A edhe 29B
Drunjtë e prera në Malin Sharr
Drunjtë e prera në Malin Sharr

Sipas tyre, bëhet fjalë për aktivitete të rregullta të “Ndërmarrjes për menaxhimin e pyjeve” Leshnicë në “Njësinë e Menaxhimit të pyjeve” Pyjet e Leshnicës – Tetovë, të bazuar në një plan për menaxhimin e pyjeve, gjegjësisht për “Pyjet e Leshnicës” të vitit 2019-2028.

Plani për menaxhimin e pyjeve, specifikisht për "Pyjet e Leshnicës" të vitit 2019-2028.
Plani për menaxhimin e pyjeve, saktësisht për “Pyjet e Leshnicës” të vitit 2019-2028

Redaksia e Portalb.mk e vizitoi këtë vend dhe zhvilloi bisedë me drejtorin e kësaj ndërmarrje Pane Simiç. 

Ai tha se prerja e drurëve është bërë në mënyrë legale nga të punësuarit e “Ndërmarrjes Publike Malet Kombëtare” në seksionet 34 A dhe 29 B dhe se drunjtë e prera janë të destinuara për kompanitë me të cilat “Pyjet Kombëtare” bashkëpunon përmes marrëveshjeve të nënshkruara paraprakisht.

Sipas planit “Pyjet e Leshnicës” të vitit 2019-2028″, do të priten gjithsej 2000 metër kub drunj në këtë lokacion.

Simiç tha se këto drurë po prehen me plan edhe se sipas tij, nuk po shkatërrohet pylli, për atë se cili nga drurët duhet të prehet vendosin inxhinierët e pyjeve, nuk prehen drunjtë e reja por ata të vjetrat në mënyrë që të ju krijohet hapësirë për rritjen e drurëve të reja.

Plani për menaxhimin e pyjeve, specifikisht për "Pyjet e Leshnicës" të vitit 2019-2028.
Plani për menaxhimin e pyjeve, saktësisht për “Pyjet e Leshnicës” të vitit 2019-2028.

“Disa nga drunjtë tanimë janë dërguar fabrikave të përpunimit kurse pjesa e ngelur aktualisht janë në Malin Sharr. Drunjtë e ngelura janë me shenja specifike, vula të plastikës në të cilat kategorizohen në të vjetër dhe të ri. Disa përdoren për mobilje dhe disa për prodhime të tjera nga druri” tha ai.

Nga ana tjetër, Hamdi Sulemani nga iniciativa “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” thotë se problemi më i madh është në mos-shpalljen e Malit Sharr si Park Nacional.

Nga kjo iniciativë u realizua marsh në Leshnicë me moton “Shpëtoje Leshnicën” duke kërkuar të ndërpritet prerja e pyllit dhe drunjve që është duke u realizuar javëve të fundit në Malin Sharr.

“Duhet të kenë analizë të hollësishme dhe të ndërpriten të gjitha intervenimet” tha Sulemani.

Lumenj malor të robëruar nga biznesi!

Portalb vërejti se në Leshnicë kishte një trase rruge të hapur me ekskavator dhe si pasojë e kësaj ishin prerë disa drurë të cilët qëndronin të shtrirë në tokë. Kjo rrugë, sipas informacioneve nga banorët e fshatit Bozovcë do të hapet deri poshtë te lumi ku edhe planifikohet ndërtimi i dy hidrocentraleve.
Edhe pse në vendin e ngjarjes nuk hasëm në ekskavatorë duke punuar, sidoqoftë na informuan se ata po punojnë disa kilometra më poshtë, në një lokacion që nuk mund të shkohet me veturë. Në fotografitë nga vendngjarja mund të shihet se mjetet punuese mbajnë shenjën e kompanisë “AK INVEST”, me seli në Tetovë, e cila tashmë ka ndërtuar disa hidrocentrale në Malin Sharr.

Rruga e hapur për ndërtimin e hidrocentraleve
Rruga e hapur për ndërtimin e hidrocentraleve
Drunjtë e dëmtuar si pasojë e rrugës së hapur
Drunjtë e dëmtuar si pasojë e rrugës së hapur
Shahin Fazlija, banor i fshatit Bozovcë
Shahin Fazlija, banor i fshatit Bozovcë

Aktivisti Shahin Fazlija, që njëkohësisht është edhe banor i fshatit Bozovcë thotë se banorët e fshatit të tij janë tejet të revoltuar nga ndërtimi i hidrocentraleve. Ai shprehet i brengosur për lumenjtë që sipas tij, në qoftë se nuk ndërmerret diçka urgjentisht, banorët e këtij fshati nuk do të munden ta dëgjojnë më zhurmën e ujërave kurse bjeshkët do të thahen.

“Ne banorët e fshatit Bozovcë jemi të revoltuar nga kjo që pritet të ndodhë ditëve të fundit. Kanë nisur punimet për ndërtimin e hidrocentraleve, disa lumenj të vogël do të përfundojnë nëpër gypa, nuk do ta dëgjojmë më zhurmën e këtyre ujërave, do të thahen bjeshkët edhe pishat kurse shumë lule do të zhduken, bletë nuk do ketë më. Kërkojmë nga këto investitorë që kanë filluar të shkatërrojnë bukuritë e Malit Sharr sa më parë ta ndalojnë punën dhe të largohen nga territori jonë, duhet të jemi të kujdesshëm sepse natyra një ditë do të na hakmerret”, tha për Portalb, Shahin Fazlija.

“Prerja e pyjeve në këtë pjesë është tejet e dëmshme sepse do shkaktojë erozion të tokës, rrëshqitje të dheut, vërshime të cilat do marrin jetë njerëzish në fshatrat e Malësisë së Sharrit. Nga ndërtimi i hidrocentraleve të tilla në Malin Sharr do përfitojnë miliona euro një dorë prej 10 personash të cilët kanë lidhje të afërta me BDI, LSDM por dhe VMRO, kurse do dëmtohet një pjesë më e madhe e vendit, sidomos banorët e fshatrave të Malësisë së Sharrit, të cilët rrezikojnë dhe jetët e tyre. Është me rëndësi që banorët e fshatrave të Malësisë së Sharrit të reagojnë ndaj këtij kriminaliteti që grupe interesash të hidro-mafias po i bëjnë pronave të tyre, lumejve tona, maleve tona, tokave tona!” shprehet për Portalb.mk, Arianit Xhaferi nga “Eco Guerrilla”.

“Prerja e drunjve dhe hapja e traseve të reja është e madhe, gjithçka shkatërrohet. Sot dërgojmë mesazh deri te të gjithë dhe shohim se çka po ndodh lart. Kjo sëmundje e ka kapluar gjithë territorin e Sharrit në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë”, deklaroi Hamdi Sulejmani.

Bazuar në dokumentet të cilat i siguroi Portalb.mk, kompania “Gravis Hidro” me bazë në Gostivar ka paguar Ndërmarrjes Publike “Malet Kombëtare” 1.93 milion denarë për dëmin që ia kanë shkaktuar malit për prerjen e drurëve për ndërtimin e dy hidrocentraleve të vogla në rrjedhën e lumit Shkumbin.

N.P “Malet Kombëtare” gjithashtu ka pranuar 28.000 denarë nga AK “Hidro”, koncesioner për një hidrocentral të vogël në lumin Vejaçka, degë e lumit Pena, e cila do të duhet të filloje me punë në vitin 2021.

Kanë filluar punët për ndërtimin e hidrocentraleve
Kanë filluar punët për ndërtimin e hidrocentraleve

Sipas raportit të fundit të Komisionit rregullator për energjetikë për vitin 2018, deri në vitin e kaluar në vend janë ndërtuar 96 hidrocentrale të vogla.

Në të njëjtin raport përmendet që në strukturën e prodhuesve vendas të energjisë elektrike vitin e kaluar, SHA “ESM Shkup” është prodhues dominues i vendit për energji elektrike me pjesëmarrje në prodhimtarinë e vendit prej 78,46%, pastaj vijon “ТЕТО SHA Shkup” me 13,16%, “EVN Elektrani SHPKPV Shkup” me 3,03%, hidroelektranat tjera të vogla me 3,93%, termoelektrocentralet me biogaz me 0,99% dhe elektrocentralet fotovoltaike me 0,43%.

Sipas një studimi të rrjetit për mbrojtje të mjedisit jetësor në Evropën Lindore HCC Benkuoç, mjedisi jetësor në vendet nga Ballkani Perëndimor pëson dëme të mëdha për shkak të ndërtimit të hidroelektraneve të vogla nga të cilat përfitojnë biznesmenët e pasur.

Në janar të këtij viti, Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli edhe një thirrje për ndërtimin e hidrocentraleve në rajonin e Malit Sharr. Shoqatat ekologjike vazhdimisht alarmojnë për dëmin e hidrocentraleve të vogla që ia shkakton shumëllojshmërisë së bimëve dhe bukurive natyrale të vendit. Ata thonë se këto vende duhet të mbrohen me ligj dhe të shndërrohen në parqe nacionale.

Në shpalljen e Malit Sharr në Park Nacional ka vite që është duke punuar Ministria e mjedisit dhe planifikimit hapësinor në bashkëpunim me UNDP-në. 

E njëjta ministri jep leje për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button