Iluzionet e humbura

Për një moment menduam se vërtet është e mundur që të kemi një perspektivë të qartë evropiane. Ishim të bindur se nëse arrijmë të kthehemi në binarët nga kishim dalë për një dekadë të tërë ndoshta dyert e Evropës do të ishin hapur edhe për ne. Sigurisht, asnjë njeri i logjikshëm nuk priste që integrimi i Maqedonisë së Veriut në UE të ndodhte brenda natës, ashtu si ka ndodhur për disa shtete tjera. Të gjithë e dinim që ky do të jetë një proces i gjatë negociatash dhe përshtatjesh.

Por të gjithë ata që mendojnë arsyeshëm bile mezi e prisnin këtë proces të mundimshëm negociatash, këtë proces që do të na ndihmonte si shoqëri të piqeshim, të bëheshim më të mirë, dhe të përshtateshim me vlerat evropiane të cilat ndonjëherë nuk i kemi edhe gjithaq të afërta. Prandaj ishte shumë e rëndësishme, ende është shumë e rëndësishme ajo datë e fillimit të negociatave.

E megjithatë, duket se ajo datë vështirë se do të jepet. Franca dhe Makron kundërshtojnë mënyrën e negociimit për aderim në Unionin Evropian. Thonë që ky është një proces i mundimshëm që i frustron vendet aplikante dhe krijon pakënaqësi në vendet anëtare të UE. Është ironike të flitet për frustrimin që do të krijonte dhënia e datës së fillimit të negociatave ndërsa të injorohet zhgënjimi që vendet si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do ta përjetojnë pikërisht në rastin kur Franca vendos veton e fillimit të këtyre negociatave me këto dy vende. Dhe për më tepër thotë që kjo nuk është veto, sepse në fakt francezët nuk paskan asgjë kundër perspektivës sonë evropiane të cilën çuditërisht, për momentin janë pikërisht ata që po e pengojnë.

Ata thonë se procesi i negociatave qenka frustues për të gjithë, por nuk arrijnë të japin përgjigje se çfarë do të bëjmë me frustrimin që po ata e krijojnë në këtë mënyrë, duke i mbyllur dyert e asaj perspektive evropiane për vende të cilat bënë shumë sakrifica për të arrirë deri në këtë pikë. Franca nuk ofron alternativë për atë se çfarë të bëjmë ne tani. Franca nuk ofron përgjigje për atë se si t’i bindim ne të rinjtë tanë se duhet të zhvillohemi e të përparojmë sepse një ditë do të bëhemi vend i Bashkimit Evropian.
Franca nuk ka përgjigje për rreziqet gjeostrategjike lidhur me Ballkanin Perëndimor që Gjermania por edhe vendet tjera i theksojnë çdo ditë. Ashtu si u shpreh ministri i jashtëm gjerman, vakuumi që EU e len në Ballkan do të plotësohet padyshim nga forca tjera të cilat sigurisht nuk janë aq të interesuara për sundimin e së drejtës dhe për vlerat demokratike. Franca nuk ofron alternativë se si Ballkani perëndimor të mbrohet nga ky rrezik. Franca rrezikshëm e injoron frustrimin që do të rezultojë me radikalizim të dukshëm si pasojë e kësaj kjo non-shalance të vazhdueshme të komoditetit evropian.

Po ti dëgjoni me vëmendje lajmet që qarkullojnë këto ditë do ta kuptoni shumë mirë kahen në të cilën do të zhvillohen ngjarjet në vitet në vazhdim. Realisht, ajo që na ndodh është veto për marrjen e datës së negociatave, një veto joracionale që nuk bazohet në arsyetim racional por në frikë irracionale. Ne bëmë të pamundurën për të tejkaluar frikën brenda shtetit kur diskutohej për çështje të rëndësishme dhe delikate si që është çështja e identitetit dhe ndryshimit të emrit. E megjithatë arritëm ta tejkalojmë frikën dhe të bëjmë një marrëveshje racionale me Greqinë, të cilin gjest e përshëndeti e gjithë bota e civilizuar, duke përfshirë këtu edhe Makronin që na u drejtua neve si qytetarët të këtij vendi, duke na këshilluar të votojmë pro marrëveshjes së Prespës në referendumin e një viti më parë.

pra ne u ballafaquam me frikën tonë irracionale dhe arritëm të sillemi si qytetarë të arsyeshëm në një vend ballkanik ku frika dhe emocionet gjithmonë kanë qenë mbi arsyetimin logjik. Gjithë këtë e bëmë që tani të ballafaqohemi me frikën irracionale të Francës nga migrimet e mundshme që do të ndodhkan pikërisht në kohën kur ne të fillojmë negociatat për aderim në UE. Edhe ministrja e jashtme franceze por edhe vetë Makron në deklaratat e tyre përmendën që migrimet e popullatës nga vendet kandidate drejt BE janë shtuar dukshëm pikërisht në kohën kur këto vende kanë negociuar për aderim në UE. Kur jemi tek imigrantët, Makron dhe të tjerët duhet ta dinë se pikërisht frustrimi nga kjo “perspektivë” e jona evropiane të cilës ata assesi nuk i vendosin veto por gjithmonë e përkrahin duke e penguar, është njëra ndër arsyet kryesore pse shtetet tona nuk mund të ofrojnë asnjë lloj perspektive për të rinjtë e tyre.

Sepse fundi i fundit, nëse Muhamedi nuk i qaset malit, atëherë mali do i qaset Muhamedit. Nëse UE nuk i hap dyert për ne, qytetarët do i hapin dyert e UE-së, ashtu si që bëjnë, duke u arratisur dita ditës nga këto vende plot me “perspektivë evropiane” dhe pa asnjë zhvillim konkret në atë drejtim. Aq më tepër kur në të njëjtat lajme ku Makron flet për perspektivën tonë të ndritur evropiane, lajmi i dytë është se Gjermania nga Janari 2020 ofron mundësi që qytetarët tanë të shkojnë atje dhe të qëndrojnë 6 muaj për të gjetur punë duke mos i detyruar që paraprakisht të kenë siguruar kontratë pune me punëdhënësin.

Kjo pavendosmëri e UE-së për të mbajtur premtimet sigurisht që do të ketë pasoja afatgjate në rajon të cilat në fund do ta godasin edhe vetë UE-në. Gjithnjë e më tepër më duket se e kemi ne gabim perspektivën e integrimit. Ndoshta megjithatë nuk është BE vendi ku duhet të integrohemi por BA, SHBA. Të krijojmë një aleancë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkan. Ta krijojmë këtë aleancë para se të krijohen ato aleancat tjera prolindore të cilat definitivisht do të na kthejnë në shekujt e kaluar dhe do të na ofrojnë një perspektivë tjetër, atë bizantino-otomane.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button