Shkup, është shënuar java e aksioneve kundër nacionalizmit dhe racizmit në sport

Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut (FFM) dhe Qendra maqedonase për kulturë dhe zhvillim (MCKR) për të 20-tën herë me radhë shënojnë Javën e aksioneve FARE kundër nacionalizmit dhe racizmit në terrenet sportive, transmeton Anadolu Agency.

Me rastin e Javës së aksioneve FARE, zëdhënësi i FFM-së, Zllatko Andonovski dhe kreu i MCKR-së, njëherësh koordinator i kësaj fushate, Nellko Nellkovski, u adresuan në një konferencë të përbashkët për media.

Andonovski theksoi se futbolli është një lojë që duhet të jetë e arritshme për të gjithë, pavarësisht se kush është dhe nga vjen.

“FFM ofron mbështetje të vazhdueshme për Javën e aksioneve FARE dhe me këtë tregojmë se festojmë diversitetin e lojës. Në sportin tonë nuk ka vend për racizëm, nacionalizëm apo çfarëdo lloji tjetër të diskriminimit”, tha Andonovski.

Nellkovski, nga ana e tij, duke theksuar se dhuna në terrenet sportive prish imazhin e sportit modern, kujtoi se pikërisht në këtë fushatë dy vendet fqinje, Mali i Zi dhe Bullgaria, kishin skena të pasjellshme.

“Mund të themi se po e vendosim Maqedoninë e Veriut në segmentin e vendeve të zhvilluara që trajtojnë tifozërinë në mënyrë cilësore, i trajtojnë tifozët dhe angazhimin total në futboll dhe rreth futbollit. Ne të gjithë jemi një familje e madhe e futbollit dhe vetëm të bashkuar do të ecim përpara dhe do të arrijmë sukses”, tha Nellkovski.

Rrjeti FARE është i përbërë nga 150 mijë individë, tifozë, klube futbolli dhe qytetarë nga e gjithë Evropa. Këtë vit rreth 2.000 organizata nga 10 deri më 24 tetor në 60 vende të botës organizojnë aktivitete lidhur me fushatën Java e aksioneve FARE.

Qëllimi kryesor i fushatës FARE është të ndihmojë nismat lokale për të larguar nacionalizmin, racizmin dhe diskriminimin në stadiumet e futbollit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button