Lideri i Socialistëve Evropian i kërkon kryetarit të BE-së Tusk të vendosë çështjen e Ballkanit Perëndimor në agjendën e takimit të nesërm

Lideri i Partisë së Socialistëve Evropianë (PSE), Sergei Stanishev, i ka dërguar një letër Presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk, për t’i kërkuar atij që të vendosë çështjen e bisedimeve të pranimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në agjendën e nesërme të takimit të Këshillit Evropian, transmeton Portalb.mk.

“Ju lutem më lejoni të insistoj në nevojën për një përpjekje përfundimtare – një shans të fundit për të gjetur marrëveshje midis të gjithë liderëve evropianë për këtë çështje. Duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj çështje për interesat strategjikë, ekonomikë dhe të sigurisë së BE-së, ne besojmë se Krerët e Shteteve ose Qeverive tona duhet të paraqiten me mundësinë për të diskutuar më tej çështjen personalisht”, thuhet në letrën e Sergei Stanishev.

Në letër, presidenti i PSE-së nënvizon rolin e kryeministrave dhe qeverive përparimtare të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për të ecur përpara në rrugën e vështirë të reformave në të dy vendet.

“Kryetarët e kombeve të tyre, Kryeministrat progresivë Zoran Zaev dhe Edi Rama kanë investuar kapital të rëndësishëm politik, duke ndërmarrë reforma të dhimbshme dhe duke marrë vendime të vështira për të përparuar në rrugën e tyre evropiane. Marrëveshja e Prespës midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, për shembull, e cila zgjidhte mosmarrëveshjen e gjatë për emrin midis dy vendeve, nuk ishte më pak se historike. Ishte një demonstrim i gjallë i vendosmërisë së udhëheqjes politike të këtyre vendeve për të kthyer faqen e konfrontimit në rajon dhe për t’i futur vendet në një epokë të re të bashkëpunimit evropian, solidaritetit dhe miqësisë së sinqertë”, thuhet në letrën e Stanishev.

LEXO: Bashkimi Evropian kalkulon, Maqedonia e Veriut në ankthin e pritjes

Ai thotë se mos dhënia e datës RMV-së mund të rrezikojë politikën e zgjerimit dhe të prishë procesin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Kam frikë se mos arritja e një marrëveshje tani nuk do të minojë besueshmërinë e BE, por do të rrezikojë politikën e zgjerimit dhe do të prishë procesin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor për kohën e ardhshme. Ne nuk duhet të dështojmë. Këtë ia kemi borxh jo vetëm popujve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe të gjithë qytetarëve të BE-së, të cilët presin veprime vendimtare dhe udhëheqje të përgjegjshme, dhe jo vetëm “sinjale””, thuhet në letrën e Stanishev.

LEXO EDHE: Dimitrovi për datën e BE-së: Nuk jemi perfekt, por punojmë që të jemi demokraci evropiane

Përndryshe, dje, Mbledhja ministrore e BE-së ka përfunduar pa vendim për dhënie ose jo të datës për nisjen e negociatave. Për këtë, do të vendosin liderët e BE-së në takimin që do të mbahet më 17 dhe 18 tetor. Për epilogun e mbledhjes së djeshme, të revoltuar janë shprehur eurokomesari për Zgjerim në largim, Johanes Han dhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button