MREKULLIA QË RRITET NË UDHËKRYQ

Olga Tokarczuk (1962) beson se letërsia është mrekullia që rritet në udhëkryq; se është gjuha universale dhe mjeti më mahnitës për këmbim përvojash, ndërkaq shkrimi është kalim në një gjendje pjekurie nëpërmjet përrallave që ia rrëfejmë vetvetes, ashtu siç bëjmë me fëmijët para gjumit.

Tokarczuk, kjo kundërshtare e ksenofobisë dhe promovuese e paqes, e mirëkuptimit dhe solidaritetit midis njerëzve e kombeve të Evropës, i sheh problemet evropiane nëpërmjet prizmit të historisë. Por mendimet e saj nuk pëlqehen prej shoqatave të djathta polake, që e akuzojnë për njollosje të historisë dhe të kombit polak. Tokarczuk u është kundërpërgjigjur këtyre akuzave duke thënë se ajo është atdhetarja e vërtetë polake, sepse është kundër qëndrimeve dhe veprimeve ksenofobe e raciste, të dëmshme për Poloninë.

Romani i saj, “Librat e Jakubit” (Titulli i plotë: “Librat e Jakubit, Udhëtim i gjatë nëpër shtatë kufi, pesë gjuhë, tre religjione, pa llogaritur të voglit”), është quajtur roman historik, sagë intriguese familjare apo një kronikë e rëndësishme shoqërore. Në qendër të veprës është Polonia e vjetër me problemet e saj, por në sfond duken problemet e shoqërisë së sotme europiane. Është shekulli XVIII. Në një gjendje pasigurie shfaqet Jakub Lejboviçi, një tregtar dhe rrëfimtar i shkathët, i cili, për shkak të qëndrimeve të tij bëhet i urryeri i rabinëve. Jakubi është personazhi që transformohet vazhdimisht: ai ndërron fenë dhe mbiemrin në Frank, derisa e kryen misionin e tij.

“Olga Tokarczuk, duke e paraqitur fatin e hebrenjve polakë ndërmjet viteve 1759 dhe 1790, që nën udhëheqjen e Jakub Frankut vendosin të kalojnë në besimin katolik, i hulumton dukuritë e ksenofobisë dhe antisemitizmit në Evropën lindore. Struktura shoqërore, e paraqitur nga Olga Tokarczuk, është krijuar sipas logjikës se i ardhuri ose i huaji është humbësi i përhershëm, sepse përherë shihet si i huaj. Në këtë roman hetohet kritika për atë që ndodh edhe sot në Poloni dhe në Evropë”, shkruan Ana Gershaak.

“Olga Tokarczuk krijoi një roman mahnitës historik, duke mos e fshehur se të kaluarën e sheh nëpërmjet syrit të një shkrimtareje bashkëkohore. Në fokusin e interesimit të saj janë edhe problemet e feminizmit apo “të drejtat e kafshëve”, shkruan Malwina Wapińska.

Tokarczuk e rishikon historinë kombëtare, praninë dhe ndikimin e hebrenjve në kulturën dhe qytetërimin polak, madje flet edhe për kolonializmin polak.

“Duhet pranuar fakti se Polonia në të kaluarën ka qenë vend kolonialist. Vlerësoj se romani im hap dritare të reja dhe i thyen tabutë e historisë polake”, ka thënë ajo.

Vepra”Librat e Jakubit”, sipas saj, merret me të kaluarën, por duke trajtuar temën e asimilimit, të përballjes me të huajt, me refugjatët, me emancipimin e të përjashtuarve dhe të të zhgënjyerve, trajton edhe temë bashkëkohore e aktuale.

“Duke rrëfyer për të kaluarën kam thënë shumëçka për të tashmen. Le të kujtojmë faktin se Europa u ndërtua nga refugjatët. Europa përherë ka qenë hapësirë këmbimesh”. Dhe sakaq përmend poeten iraniano – suedeze, Athene Farrokhzad, që njihet për vargjet: “Europë, derisa fashistët vrasin fëmijë, ti valëvit flamuj kombëtarë”.

Libri tjetër që i solli lavdi është “Ikanakët”, që e botoi pas shumë udhëtimeve, por refuzon ta quajë “libër udhëtimesh”.

“Aty nuk ka përshkrime përmendoresh dhe vendesh. Nuk është ditar udhëtimesh dhe as reportazh. Kam dashur ta fokusoj vështrimin tek domethënia e udhëtimit, e lëvizjes dhe e ndërthurjes”, shkruan në hyrje të librit.

Olga Tokarczuk ka diplomuar për psikologji në Universitetin e Varshavës, por ajo e braktisi profesionin e psikologes kur e kuptoi se “ishte në një kaos më të madh se sa pacientët e saj”. Ajo nuk beson se psikologjia i ka ndihmuar për krijimin e personazheve. Psikologjia e ka mësuar se ka më shumë se një botëshikim, se realiteti është shumështresor dhe i komplikuar. Kjo njohje, thotë ajo, është e dobishme për një shkrimtare.

Olga Tokarczuk, e cila librin e parë e botoi me pseudonimin Natasza Borowin, është fituese e disa çmimeve letrare. Dy herë e fitoi çmimin “Nike” (Poloni), por edhe çmimet: “Brückepreis” (Gjermani), “Kulturhuset International Literary Prize” (Suedi), “Prix Laure Bataillon” (Francë) dhe çmimin “Man Booker International”.

Disa nga librat e saj janë: “Qytetet në pasqyra” (1989) – poezi; “Në kërkim të librit” (1993) – roman; “Erna Elcner” (1995) – roman; “Rrëfime hyjnore” (2000) – tregime; “Kukulla dhe perla” (2000) – ese; “Ana në varrezat e botës” (2006) – roman; “Ikanakët” (2007) – roman; “Çasti i ariut” (2012) – ese; “Librat e Jakubit” (2014) – roman; “Rrëfime bizare” (2018) – tregime.

Në gjuhën shqipe i është botuar “Sonatë për shumë tambure”, i përkthyer nga Astrit Beqiraj dhe i botuar nga IDK.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button