SHAKATË E REJA NGA EVROPA

Pas shakasë së pakripë të Parlamentit të Holandës, përsëri Evropa!

Me shaka të reja!

Kësaj radhe Bullgaria me një pehlivanllëk. Me një paradë verbale “miqësore pohon se në Shqipëri paska bullgarë që do të thotë se shteti shqiptar duhet të hapë shkolla bullgare në disa vende të Shqipërisë Lindore, përfshi këtu edhe Kukësin!

Interesant, kjo Bullgaria shpërndan me grusht pasaporta të BE-së nëpër Ballkan dhe njerëzit që i marrin këto pasaporta politika bullgare menjëherë i shpall bullgarë!

Bullgaria e cila ende i ka të freskëta plagët që ua ka bërë turqve duke ua ndërruar emrat dhe duke i dëbuar nga fshatrat e qytetet ku turqit kanë jetuar me shekuj në vatrat e tyre stërgjyshore, kërkon  drejtësi dhe të drejta kolektive për bullgarët inekzistentë!

Bullgaria e cila hyri në BE pa kurrfarë kushtesh, paralajmëron kështu se ka mundësi ta kushtëzojë anëtarësimin e Shqipërisë në BE!

Aferim!

Shakaja tjetër vjen nga një vend nordik.

Nga Suedia.

Më saktë është shaka akademike e Stokholmit.

Deshi Akademia Suedeze  të bëjë një shaka me ne. Në fakt edhe një shaka.

Është ajo akademi që na ka fyer në vitin 1961 kur çmimin Nobel për letërsi ia ndau shkrimtarit kroat që deklarohej si serb, Ivo Andriçit, i cili përveç se është marrë me letërsi ka qenë edhe ambasador i Jugosllavisë së kralit serb në Berlin në kohën e Hitlerit dhe, mbi të gjitha, ka qenë hartues i planeve për copëtimin e Shqipërisë për nevojat e aspiratave pushtuese serbomëdha.

Kësaj radhe Akademia suedeze na “fali” edhe një shaka pa kripë fare. Çmimin Nobel për letërsi ia dha një antishqiptari tjetër: Peter Handkes nga Austria. Edhe Handkeja, përveç se është marrë me letërsi ka qenë në shërbim të Jugosllavisë, më saktë në shërbim të Slobodan Millosheviçit, të njohur si kasapi i Ballkanit. Handkeja që tash u stolis me kurorën e nobelistit për letërsi ka qenë avokati më i zëshëm i Serbisë agresore gjatë përpjekjeve titanike të shqiptarëve për liri e dinjitet njerëzor, më mirë të thuhet se ka qenë truba kryesore e propagandës së egër të fushatës serbe për pastrimin etnik të Kosovës gjatë viteve 90 të shekullit të kaluar.

Në të dy rastet Akademia suedeze do ta ketë trajtuar si “vlerë të veçantë letrare” antishqiptarizmin për ndarjen e çmimit Nobel për letërsi.

Tash duhet të jemi gati t’i presim befasitë tjera të pakëndshme, të cilat do të na tregojnë se çfarë mund të presim nga BE-ja.

A nuk na mjaftuan këto befasi që ta kemi më të qartë se katundi që shihet kallauz nuk do. Çfarë dua të them? Ta ruajmë krenarinë dhe dinjitetin kombëtar.

Nëse vazhdojmë t’i  presim “dhuratat e danajve” nga BE-ja, kush na ka faj?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button