U mbyll votimi në Kosovë, filloi numërimi

Kutitë e votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë që filluan sot në ora 07:00 me disa parregullsi, u mbyllën orën 19:00, transmeton Portalb.mk.

“Po shpresoj që tashmë vendvotimet kanë filluar të mbyllen. Shumë shpejt do të kemi njoftimet e para për mbylljen e vendvotimeve, dhe normalisht ata që janë në radhë mund t’i kryejnë votimet e të mbyllen më pas qendrat”, ka thënë Valdete Daka.

Sipas uebfaqes së KQZ-së, në zgjedhjet e 6 tetorit të drejtën për votë e shfrytëzuan më shumë se 810 mijë qytetarë.

Sot nga ora 07:00 deri në ora 19:00, në Republikën e Kosovës u mbajtën zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Këto janë zgjedhjet e shtata më radhë për Kuvendin e Kosovës.

KQZ-ja ka certifikuar 25 subjekte politike (20 parti politike; 4 koalicione; dhe 1 kandidat të pavarur) për pjesëmarrje në zgjedhje me gjithsej 1 067 kandidatë për deputetë (F 343; M 724).

Në këto zgjedhje numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 937 mijë e 868 votues, ndërkaq numri i qendrave të votimit është 895 me gjithsej 2 547 vendvotime.

Procesi zgjedhor do të vëzhgohet nga një grup i më shumë se 40 organizatave të shoqërisë civile të cilët janë bashkuar në koalicionin “Demokracia në Veprim (DNV)”, të cilët do të jenë të pranishëm në të gjitha qendrat e votimit në vend.

Procesi zgjedhor i 6 tetorit do të vëzhgohet edhe nga një mision i gjerë i Bashkimit Evropian. Rreth 30 vëzhgues dhe analistë të këtij misioni janë vendosur në Kosovë që nga fillimi i muajit shtator.

Njëjtë si herëve të kaluara edhe në këto zgjedhje, në total do të jenë rreth 100 vëzhgues, nga shtetet anëtare të BE-së që do të vëzhgojnë procesin e votimit dhe numërimit më 6 tetor.

Ndërkohë, Policia e Kosovës do të kujdeset për mbarëvajtjen procesit si dhe transportimin e materialit zgjedhor.

Për të siguruar një proces të drejtë zgjedhor rol të rëndësishëm ka edhe Prokuroria e Shtetit, institucion ky që ka caktuar 100 prokurorë kujdestarë në nivel vendi për ditën e mbajtjes së zgjedhjeve.

Në shkollën fillore “Mustafa Bakija” në Gjakovë e cila i ka gjithsej 12 vendvotime të drejtë vote kanë 10535 qytetarë, njofton Klan Kosova.

Dy vendvotime nuk kanë filluar me kohe, njëra ne 07:15 tjetra në 07:05.

Arsyeja sipas kryesuesit të njërës nga vendovotimi është transporti, pra materiali ka arritur me vonesë.

Vëzhguesit e qendrës më të madhe 401 në Gjilan nuk kanë arritur me kohë, pavarësisht kësaj i gjithë materiali në këtë qendër ka arritur me kohë dhe se votimi pritet të fillojë në ora 07:00.

“Materialet e ndjeshme dhe jo të ndjeshme kanë arritur me kohë. Janë vetëm dy tri subjekte që vëzhguesit e tyre i kanë shpërndarë pak me vonë në vendvotime. Por të gjitha tjerat janë në rregull”.

Po ashtu në 34 qendrat e votimit sa janë në Gjilan pritet të hapen me kohë.

Zgjedhjet e 6 tetorit u shpallën pasi me 19 korrik të këtij viti, asokohe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga kjo pozitë me arsyetimin se ishte ftuar nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button