Komuna e Tetovës ende nuk ka aplikuar në Bankën Botërore për autobusët e transportit publik

Tetovarët do të presin për të parë autobusët e transportit publik. Komuna e Tetovës ende nuk ka dërguar dokumentet në Bankën Botërore për marrjen e huasë për autobusët, ajo i përgatit të njëjtat me lejen e Ministrisë së Financave të Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

Edhe pse Ndërmarrja për transport publik “Tetova Transport” thotë se Komuna e Tetovës ka fituar projekt nga Ministria e Financave dhe Banka Botërore në vlerë prej 72 milion denarëve për blerje të pesë autobusëve për transport publik, Ministria e Financave mohon se projekti është fituar.

Nga kjo ministri thonë se komuna ende është në fazën e përgatitjes së dokumenteve të nevojshme për të aplikuar në Bankën Botërore, transmeton Portalb.mk.

Nga Ministria për Portalb.mk thonë se komuna ka aplikuar në thirrjen e tyre dhe ka marrë dritë jeshile, gjë që ju jep të drejtën të aplikojnë për fonde nga Banka Botërore, por se dokumentacioni ende është në përgatitje e sipër dhe ende nuk është dërguar në Bankën Botërore.

“Sa i përket komunës së Tetovës, ajo ka bërë kërkesë për thirrje publike për këtë projekt që ta përdorë atë për të blerë 5 autobusë të qytetit. Përgatitja e Dokumentacionit të Vlerësimit të Projektit nga komuna është në vazhdim e sipër. Pasi të paraqitet, ai do t’i dërgohet për miratim Bankës Botërore dhe pastaj Komisionit të Koordinimit të Projektit në përputhje me rrethanat”, njoftojnë nga Ministria e Financave.

Edhe përkundër kësaj, nga Komuna dhe ndërmarrja publike NP “Tetova Transport” vazhdon të pohojë se projekti është fituar, por pa bërë të ditur që i njëjti ka marrë dritë jeshile vetëm nga Ministria e Financave dhe jo nga Banka Botërore, e cila duhet ta jep huanë.

Ata thonë se presin konfirmim nga Ministria e Financave për hapje të tenderit për blerjen e autobusëve, në ndërkohë që ende nuk është siguruar huamarrja nga Banka Botërore.

“Komuna e Tetovës ka fituar projekt në vlerë prej 72 milion denarëve përmes projektit MSIP 2 për përmirësimin e shërbimeve komunale në bashkëpunim me Ministrinë e Financave të Qeverisë së RMV-së dhe Bankës Botërore për furnizim me 5 autobusë të ri urban për qytetin tonë, aktualisht grupe të punës së ndërmarrjes në bashkëpunim me sektorin për veprimtari komunale dhe sektorin për zhvillim ekonomik lokal punojnë në përgatitjen e projektit dhe posa i njëjti të marrë konfirmim nga Ministria e Financave do të fillojmë me përgatitjen e proceduarave për shpalljen e tenderit për furnizim me autobusë”, thotë Beadini nga ndërmarrja publike NP “Tetova Transport”.

Ndonëse e themeluar për herë të parë në vitin 2014, kurse për herë të dytë në shtator të këtij viti, ndërmarrjes për transport publik që pesë vite nuk është arritur që t’i sigurohen autobusë. Rithemelimi i ndërmarrjes së re për transport publik në Tetovë ka ngjallur diskutime të shumta pasi për vite me radhë thuhet se është aplikuar për blerje të autobusëve por procesi nuk po ec përpara.

LEXO: Komuna e Tetovës dy herë themelon ndërmarrjen për transport publik, por autobusë s’ka

Sa i përket organizimit të transportit publik në Tetovë, Beadini thotë se oraret, linjat dhe stacionet e autobusëve janë në fazë të përgatitjes dhe janë ende të papërfunduara.

“Sa i takon linjave, orarit dhe stacioneve të autobusave të njëjtat janë në fazë të përgatitjes dhe janë ende të papërfunduara, në momentin që ato do të jenë gati do t’i dërgohen Këshillit Komunal për miratim dhe do të bëhen publike”, tha Beadini.

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, në një intervistë për Portalb më datë 25 maj të vitit 2018 ka thënë se ata kanë kërkuar transport publik nga Ministria e Transportit dhe se kjo çështje shihet si prioritare nga Komuna. Megjithatë, Tetova ende nuk ka transport publik.

LEXO: Ku mbeti transporti urban në Tetovë? Përgjigjja është në këtë video

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button