Vendimin francez për negociata me RMV-në do ta merr vetë Makroni

Nuk ka pasur përparim në qëndrimin e përbashkët të Bashkimit Evropian në lidhje me vendimin për të filluar negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Franca ende nuk ka qëndrim përfundimtar, pritet vendimin ta merr personalisht presidenti Emanuel Makron.

Në Këshillin e sotëm të Ambasadorëve në Bruksel, nuk janë sjellë projekt konkluzione të reja për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për të cilin presidenca finlandeze shpresonte se do të arrihej përparim në diskutimet për zgjerim.

“Këtë mëngjes u bë një përmbledhje e shkurtër e pozicioneve të të gjitha vendeve anëtare të BE-së, si zakonisht të njëjtat vende shprehën mbështetje për fillim të shpejtë të negociatave me të dy vendet, kryesisht vendet Evropës lindore dhe Jugore, Holanda u tregua si më e mbështetëse për Maqedoninë e Veriut sesa për Shqipërinë, ndërsa Belgjika konsideron se me rëndësi është Reforma e brendshme e BE-së, por pala franceze ende nuk ka pozicion përfundimtar”, thanë diplomatë nga vendet perëndimore të pranishëm në takim.

Tani për tani, zyrtarisht, Parisi i përmbahet formulës së njohur që “e mbështet perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, pozicion që duhet t’i përmbushë dy parime: respektimi i sundimit të ligjit dhe lufta kundër korrupsionit në vendet dhe më parë reformë e brendshme e Bashkimit Evropian.

Nga Këshilli thonë se, nuk pritet që Franca të përcaktojë qartë pozicionin e saj më herët se Këshilli për çështje të përgjithshme më 15 tetor në Luksemburg, por nuk përjashtohet që kjo çështje t’u lihet liderëve të BE-së dy ditë më vonë në samitin në Bruksel.

“Presidenti Makron do ta marrë vendimin personalisht në emër të Francës”, thonë diplomatët në Bruksel.

Sipas burimeve tjera diplomatike në BE, zgjedhja për të marrë vendimin në nivel të krerëve të shteteve dhe qeverive është strategji e Parisit për të përballuar me presionin nga vendet që kërkojnë hapje të menjëhershme të negociatave me të dy vendet.

Një tjetër e panjohur është vendimi i Holandës që pritet javën e ardhshme. Sipas sinjaleve nga parlamentit holandez dhe Ministrit të saj të jashtëm, ka shumë të ngjarë që Haga të kërkojë ndarje më të qartë midis Shkupit dhe Tiranës, ose kushte më të mëdha për Shqipërinë.

Kjo është në përputhje me qëndrimin e Bundestagut gjerman, i cili para disa ditësh votoi për mbështetje të qartë për Maqedoninë e Veriut, por të kushtëzuar për Shqipërinë.

Diplomatët vendas kanë frikë që nëse vjen deri te ky skenar, disa shtete anëtare mund të insistojnë në paketën “Shkup-Tiranë” dhe të kundërshtojnë fillimin e negociatave vetëm me Maqedoninë e Veriut.

Pozicioni i këtyre vendeve bazohet në frikën se negociatat vetëm me Maqedoninë e Veriut do të shkaktonin pakënaqësi në Shqipëri dhe mund të sjellin pasoja negative për stabilitetin në rajon, si dhe për dialogun midis Prishtinës e Beogradit.

Përkrahësit e Maqedonisë e Veriut, nga ana tjetër, kujtojnë se mos shpërblimi i kompromisit që Maqedonia e bëri për kontestin rreth emrit dërgon sinjal “shumë të rrezikshëm” për Beogradin, i cili “nuk sheh arsye” për të ndërmarrë rrezik politik rreth çështjes së Kosovës, shpjegojnë diplomatët evropianë të cilët janë njohur me përmbajtjen e diskutimeve midis shteteve anëtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button