Greta dhe ne

E gjithë bota flet për fjalimin emocional të Greta Thunberg në Kombet e Bashkuara ku ajo i pyeti liderët botërorë “Si guxoni të më vidhni fëmijërinë dhe ëndrrat e mia?!” duke tërhequr vëmendjen tek shkatërrimi i ekosistemeve të tëra në emër të rritjes ekonomike dhe tek neglizhenca e plotë e politikanëve për ndryshimet klimatike në botë. Ajo, një 16 vjeçare suedeze, organizon çdo të premte grevë për të shprehur indinjatën për këtë neglizhencë, dhe asaj i bashkëngjiten miliona njerëz duke organizuar të njëjtën grevë në vendet e tyre.

Është një lëvizje globale për të ngritur vetëdijen për një problem global: Planeti ynë bëhet gjithnjë e më i ndotur. Dhe këtu përshtatet ajo thënia e njohur e fisit indian që thotë: “Kur t‘i kemi prerë të gjithë drutë, kur të mos kemi lënë asnjë peshk në lumenjtë e detet e helmuara, kur ta kemi ndotur gjithë ajrin që na rrethon, atëherë ndoshta do të kuptojmë se paratë nuk hahen.”

Kur jemi tek ndotja e ambientit ne poashtu i dime shumë mirë problemet e kësaj natyre në Maqedoninë e Veriut. Ja së shpejti do të fillojmë të përballemi sërish me vlerat e larta të grimcave PM10 në ajër sepse do të vijnë muajt ngufatës të dimrit, kur në kryeqytetin tone nuk do të merret fryme, ndërsa në Tetovë, ndoshta edhe sivjet do të frymohet pak më lehtë sepse numri i këtyre grimcave në ajër është përgjysmuar pas mbylljes së Jugohromit. Por megjithatë, numri i grimcave është sërish i lartë, ndoshta nuk është 1000 por gjatë dimrit edhe tek ne është 200-300-500, kur duhet të jetë maksimum 50. Problemet e përhershme lidhur me mungesën e riciklimit të hedhurinave, mungesën e transportit publik, dhe problemet lidhur me ndërtimet që dëmtojnë planin ambiental janë të përhershme, ndërsa vetëm disa ditë para në mediume lexuam se masat preventive për mbrojtje të ambientit në nivel shtetëror nuk janë zbatuar. Kjo është gjendja tek ne, ngufatemi për ajër kur jetojmë afër maleve dhe një ditë do të fundosemi brenda hedhurinave që i prodhojmë.

Për këtë pa dyshim përgjegjësi kanë të gjitha institucionet shtetërore që nuk bëjnë më shumë për rruajtjen e ambientit dhe sigurimin e masave për mbrojtjen e tij. Sigurisht që kanë përgjegjësi pse nuk i zbatojnë normat ligjore aq bukur të parapara në Kushtetutë, Kod Penal dhe në ligjet ambientale. Pse nuk bëjnë më shumë për të siguruar transportin publik aty ku nuk është, për të stimuluar lëvizjen me bicikleta ose në këmbë, por mbi të gjitha, përse nuk vendosin ligjin mbi ata të cilët në mënyre eklatante i shkelin normat ligjore që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit.

Por ruajtja e mjedisit nuk duhet kuptuar asnjëherë vetëm si përgjegjësi e institucioneve shtetërore, edhe pse ata e kanë përgjithësinë kryesore për atë që thashë më lartë. Secili qytetar ka obligim të ruajë mjedisin jetësor, dhe pikërisht për këtë, veprat penale dhe kundërvajtjet e kësaj natyre kryhen dhe për to përgjegjësi mbajnë kryesit edhe kur janë persona fizikë edhe kur janë persona juridikë.

E si sillemi ne lidhur me mbrojtjen e mjedisit? Mjafton të shihet vendi ku jetojmë dhe sjelljet e shumë njerëzve që i njohim. Ne presim të bjerë nata që të hedhim në kontejnerin e mëhallës mobiljet që nuk na duhen, mbeturinat e përpjekjeve tona ndërtimore dhe mbetjet e kurbaneve të thera. Ne dalim në piknik tek Gurri i Sidollit dhe kënaqemi duke parë sa bukur janë hedhur gjithandej shishet e plastikës dhe mbetjet e ushqimeve bashkë me pjatat dhe gotat plastike. Ngado të kthehesh do të shohësh qese najloni të hedhura gjithandej nëpër natyrë, ndërsa vendet turistike janë të mbuluara me shishe plastike që i pengojnë shpesh edhe skiatorë që mundohen të kënaqen në bukuritë që natyra ia ka falë Sharrit, atij Sharri që dita ditës zhvishet për shkak të prerjeve ilegale të druve. Askush nuk mund ta mbrojë ambientin më mire se vet njeriu e megjithatë, ne si njerëz bëjmë gabime të pafalshme në këtë drejtim.

Një ditë ecja me fëmijët e mi rrugëve të qytetit. Kalova pranë një veture qe e parkuar anësh trotuarit priste dikë. Brenda kishte tre persona, dy meshkuj të moshës mesatare dhe një grua që për nga mosha dukej të ishte nëna e tyre. Nuk kishte asgjë të veçantë tek vetura, përveç tabelave të Francës. Për një moment, gruaja që rinte në karriget e pasme të veturës, e hapi dritaren dhe jashtë veturës, mu në asfalt, afër trotuarit, në mes të ditës, hodhi një shishe plastike nga ato prej 2 litrave, të mbushur deri në gjysmë me ujë. Unë u habita nga ajo që pashë e më shumë u habitën fëmijët e mi. Kisha dy zgjidhje: ta injoroja këtë pamje dhe pastaj të mundohesha t’u tregoj fëmijëve arsyet e kësaj sjelljeje, ose të reagoja aty për aty. Vendosa për këtë të dytën. U ndala afër veturës, e mora shishen në dorë dhe prita që zonja ta hapë sërish dritaren. E pyeta “Si duket juve ju ra kjo në tokë, ashtu?”. Tha “Po”. “Epo atëherë duhet ta merrni dhe ta hidhni atje ku duhet, se këtu nuk është vendi ku hidhen hedhurinat”. E mori shishen e plastikës dhe u nisën.

Kjo ngjarje më bëri shumë përshtypje dhe mendova gjatë për domethënien e saj. Unë me gruan fola shqip dhe ajo mu përgjigj shqip. Pra ishin shqiptarë të rajonit tone. Nga pamja e tyre dukeshin se janë edhe praktikues të islamit. Nga vetura e tyre dukej se jetojnë në Francë. E tani pyetja ime është: ku jemi duke shkuar ne si popull? Ne si shqiptarë kemi pasur më herët qytete të pastra ku secili është kujdesur jo vetëm për brendinë e shtëpisë së vet por edhe për rrugët dhe ambientet jashtë oborrit të tyre, e megjithatë sot qytetet dhe ambientet tona janë më të ndoturat në botë. Ne si myslimanë e dimë shumë mire sa e rëndësishme është pastërtia në islam, si higjiena personale ashtu edhe ajo ambientale, e megjithatë ne vetë i kontaminojmë ambientet tona e që është më keq, ndonjëherë pikërisht në emër të islamit (kur i hedhim organet e brendshme dhe eshtrat e kafshëve të sakrifikuara në kontejner ose nëpër natyrë, dhe kështu, ngado që ecim ndjejmë erë mishi të kalbur). Dhe mbi të gjitha, secila familje tek ne ka një pjesë të saj në diasporë, në vendet evropiane ku hedhurinat riciklohen dhe ku paguhen dënime të mëdha për hedhje shishesh plastike në rrugë. E megjithatë, shpesh nga ato vende nuk sjellim sjelljen e mire, nuk i sjellim parimet e Foerbah, Ruso, ose Monteskje, por një eksperiencë krejtësisht tjetër të standardeve të dyfishta, kur në Gjermani ose Francë paguajmë dënime, ndërsa në vendin tone hedhim hedhurina nga xhami dhe parkohemi ku dhe si të duam.

Pa dashur të fajësoj ose shfajësoj dikën, mendoj se diçka është thellësisht e kalbur në sjelljen tone, si individuale ashtu edhe institucionale. E kalbur po aq sa hedhurinat në duhmën e të cilave mbytemi nga pak çdo ditë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button