Kritikat për “punësimet partiake në ASN”, Viktor Dimovski: Nuk brengosem, por krenohem se jemi në rrugën e duhur

Pas publikimeve në media se, procesi i punësimeve në Agjencinë për Siguri Nacionale (ASN) është partizuar dhe komprometuar, vijoi dorëheqja e Trajço Dimkov nga Komisioni për zgjedhje të të punësuarve, për çfarë sot drejtori i kësaj Agjencie, Viktor Dimovski ka raportuar para Komisionit Mbikëqyrës, transmeton Portalb.mk.

Pas kësaj, Dimovski ka dhënë deklaratë për media, ku ka deklaruar se nuk brengoset në lidhje me kritikat, pasi që sipas tij, ato janë në një vijë me përcaktimin fillestar se, do ta ndryshojnë mënyrën e punës së deritashme dhe nuk do të lejojnë që për shtetin të vendosin individë dhe grupe të caktuara.

“Nuk jam i brengosur, por edhe krenohem se atë çfarë e kemi punuar, kemi qenë në rrugë të duhur. Si përcaktim i ynë, si ASN ishte të mos punojmë siç kemi punuar deri sot, por të hymë dhe thellësisht të punojmë në reforma. Reagimet që u ngjallën ishin vetëm dëshmi se, kemi punuar në mënyrë cilësore. Dua të them se, koha e individëve dhe grupeve që do të vendosin se si do të punojë shteti, ka kaluar. Ne kemi punuar në bazë të dispozitës ligjore dhe nga Rregullorja e punës e miratuar dhe e hartuar paraprakisht”, tha Dimovski.

Ai deklaroi se, më 30 gusht ka përfunduar faza e parë e selektimit të kandidatëve, për çfarë është përzgjedhur numri i nevojshëm i të punësuarve.

“Mbeti 10 përqindëshi i kuadrit pa u zgjedhur, sepse duhej verifikimi shtesë. Të gjithë kandidatët u zgjedhën njëzëri nga Komisioni Selektues, përfshirë edhe dy deputetët e Komisionit për mbikëqyrje të punës së Agjencisë”, tha Dimovski.

Duke u përgjigjur akuzave të deputetit të VMRO-DPMNE-së, Trajço Dimkov se gjatë përzgjedhjes së kandidatëve nuk është realizuar testimi i integritetit dhe poligrafik, Dimovski deklaroi se të njëjtat nuk janë realizuar, sepse nuk ka pasur kushte.

“Për testimin integrues edhe poligrafik, nuk pati kushte për realizim, dhe Komisioni dha rekomandim që Agjencia ta ketë prioritet zbatimin e tij në periudhën që vijon”, tha Dimovski.

Ai deklaratën e Dimkovit e cilësoi si të bazuar politikisht.

“Vlerësimi i tij është ndikuar nga qëllime politike. Ai i di argumentet. Ajo ka ndodhur pas mbajtjes së seancës së fundit të Komisionit Selektues. Në procesin e Selektimit nuk është denoncuar për ndonjë individ ndaj të cilit udhëhiqet procedura nga organe kompetente”, tha Dimovski.

Nga ana tjetër, dje, nga Komisioni për zgjedhjen e të punësuarve në ASN ka dhënë dorëheqje deputeti i VMRO-DPMNE-së, Trajço Dimkov, për siç tha ai, sepse tërë procesi i përzgjedhjes së kuadrove ishte “farsë”.

“Përshtypja ime ishte se tërë procesi ishte një farsë, gjegjësisht kishte për qëllim të fsheh vendimet e miratuara paraprakisht për kuadrot të cilat do të hynin në ASN. Sipas meje, kishte disa momente kyçe, sipas të cilave kjo përzgjedhje nuk është realizuar sipas Ligjit për ASN. Nuk është realizuar testi për integritet, nuk janë dorëzuar informacionet nga Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit për konflikt të interesit gjatë punësimit. Nuk është realizuar as testi poligrafik”, tha Dimkov.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski dje deklaroi se, për rreth 50 të punësuar në ish-DSK-ja është konstatuar “rrezik i sigurisë për punë në shërbimet e sigurisë dhe do të duhet të largohen nga MPB-ja, pas çka do të sistemoheshin në institucione të tjera shtetërore”.

Kurse, ditë më parë Gazeta “KOHA”, njoftoi se, “Pakënaqësi e madhe mbretëron brenda ASN-së për shkak të mënyrës së zgjedhjes së kuadrove të rinj të cilët do të punojnë në këtë Agjenci të sapoformuar. E mundshme është edhe revolta, rebelimi dhe dorëheqja e kuadrit të zgjedhur shqiptarë deri më tani”.

ASN-ja, ish Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), zyrtarisht filloi me punë prej 1 shtatorit. Formimi i saj doli nga rekomandimet e Rajnhard Pribes për reformim të sistemit të sigurisë-zbulimit në vend pas skandalit me përgjimet. Ndarja e DSK-së dhe kalimi i saj në ASN erdhi si rezultat i publikimit të skandalit me përgjimet e paligjshme, të ashtuquajtura “bomba”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button