Nye: Shekulli amerikan (II)

Në shekullin e nëntëmbëdhjetë, amerikanët e kanë përdorur fuqinë e tyre ekonomike për të bërë tregti me pjesën tjetër të botës, por kanë luajtur një rol të vogël në ekuilibrat globalë të pushtetit. Duke u nisur nga këshilla e George Washington-it për t’iu shmangur aleancave të ngatërruara dhe Doktrinën Monro që fokusohej në hemisferën perëndimore, Shtetet e Bashkuara kanë luajtur një rol minor në ekuilibrat globalë. Atëbotë Amerika nuk kishte ushtri të madhe, kurse në vitet 1880 marina amerikane ishte më e vogël se ajo e Kilit.

Amerikanët nuk i janë shmangur fuqisë ushtarake, siç e vërtetojnë Meksika dhe kombet vendase amerikane. Por, izolacionizmi e përshkruan fort mirë qëndrimin amerikan ndaj fuqive të mëdha europiane. Në luftën e shkurtër spanjollo-amerikane të vitit 1898, Shtetet e Bashkuara ia morën Spanjës  kolonitë e Kubës, Portorikos dhe Filipineve. Por, kjo periudhë e imperializmit global formal qe e shkurtër. Teksa Theodore Roosevelt-i ndërtonte flotën amerikane dhe u fut në diplomacinë globale, politika e jashtme amerikane mbeti kryesisht e fokusuar në hemisferën perëndimore.

Një ndryshim i madh qe hyrja amerikane në Luftën e Parë Botërore. Kohë më parë, Michael Lind argumentonte:

Shekulli amerikan nisi në vitin 1914 dhe përfundoi sivjet (2014). Politika e jashtme amerikane është në gjendje kolapsi, ekonomia nuk funksionon siç duhet, demokracia amerikane është e thyer. Ditët kur vendet e tjera e shihnin Amerikën si një model të suksesshëm të politikës së jashtme, të maturisë, të kapitalizmit demokratik dhe të demokracisë liberale mund t’u ketë ardhur fundi. U prehsh në paqe, Shekulli Amerikan (1914-2014).

Duke e lënë hiperbolën mënjanë, në vitin 1917, Wilson-i e theu këtë traditë dhe për herë të parë dërgoi trupa amerikane për të luftuar në Europë. Për më tepër, propozoi Lidhjen e Kombeve, për të organizuar kështu sigurinë kolektive në baza globale. Pasi senati e refuzoi anëtarësinë amerikane në këtë Lidhje dhe trupat u kthyen në shtëpi, Amerika iu rikthye “normales”. Ndonëse tashmë ishte një faktor madhor në ekuilibrat botërorë të pushtetit, Amerika u bë shumë izolacioniste në vitet 1930. Do të ishte më e saktë po të thoshim se shekulli amerikan ka filluar me hyrjen e Roosevelt-it në Luftën e Dytë Botërore. Në këtë kontekst, për t’i rezistuar izolacionizmit dhe për të nxitur pjesëmarrjen amerikane në luftë, Henry Luce, i biri i dy prindërve misionarë, në shkurt të vitit 1941 shkroi në revistën Life editorialin “Shekulli Amerikan”.

Po aq të rëndësishme qenë vendimet e pasluftës të Harry Truman-it, që çuan në një prani të përhershme ushtarake jashtë vendit. Kur Britania qe shumë e dobët për të ndihmuar Greqinë dhe Turqinë në vitin 1947, vendin e saj e zuri Amerika. Amerika pat investuar fuqishëm në Planin Marshall në vitin 1948; krijoi NATO-n në vitin 1949 dhe udhëhoqi koalicionin e Kombeve të Bashkuara në Luftën e Koresë në vitin 1950. Këto veprime ishin pjesë e strategjisë së përmbajtjes.

Sipas pikëpamjeve të diplomatit George Kennan-i (dhe të tjerëve), në botën e pas Luftës së Dytë Botërore kishte pesë zona kryesore të prodhimtarisë dhe fuqisë industriale: Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Sovjetik, Britania, Europa dhe Japonia. Ishte në interesin e Amerikës që të bëhej aleate me tre prej tyre, si një mjet për të kontrolluar rritjen e fuqisë sovjetike. Trupat amerikane vazhdojnë të jenë të pranishme në Europë, Japoni, Kore dhe gjithandej sot e kësaj  dite.

Nga viti 1945 deri në vitin 1991, ekuilibri botëror i pushtetit është etiketuar si bipolar, me dy superfuqi që qëndronin mbi të gjithë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik kanë pasur një hise të shpërpjesëtuar për sa i takon burimeve të fuqisë, sferave të aleancës së ndikimit dhe kanë qenë vazhdimisht në garë për të kryesuar në botën e të papërfshirëve. Dy gjigantët konkurronin për armatimet bërthamore duke ekuilibruar fuqinë e njëri-tjetrit. Por, pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989 dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik (kryesisht për shkak të arsyeve të brendshme) në vitin 1991, Shtetet e Bashkuara u shndërruan në superfuqinë e vetme botërore.

Ndonëse terminologjia është e pavend, teoricienët e marrëdhënieve ndërkombëtare e shënjuan botën si “unipolare”. Dikush mund të thotë se viti 1991 është pikënisja e tretë e mundshme e shekullit amerikan, kohë kur Amerika u bë kombi i vetëm i aftë për të ushtruar fuqi ushtarake në shkallë globale. Përmasa e marinës amerikane ishte e barabartë me shtatëmbëdhjetë të tjerat që vinin pas saj të marra së bashku; forcat ajrore amerikane ishin superiore. Amerika u bë prijëse në hapësirë dhe në kibernetikë. Buxheti ushtarak amerikan ishte pothuajse sa gjysma e buxhetit të të gjithë botës. Në të tilla rrethana ishte shumë e vështirë për shtetet e tjera që të formonin koalicione që do të mund të ekulibronin fuqinë ushtarake amerikane.]

Nye, në këtë vepër konstaton fare shkoqur se ndonëse sistemi ekonomik i këtij gjiganti “është subjekt i një kalbjeje të konsiderueshme”, ndonëse po përballet me çështjen e lidershipit të dobët, me atë të kujdesit shndetësor, të marrëdhënieve racore, me imigracionin (Gallup, 2019), me një shkallë të lartë krimi, aksidentesh, me ndotjen që shkakton shi acidik, me obezitetin, me abortin, alkoolin dhe duhanin, Amerika vazhdon të udhëheqë në shumë sektorë të rinj që do të jenë kritikë në këtë shekull, si teknologjitë e informacionit, bioteknologjia dhe nanoteknologjia.

SHBA ndoshta nuk do të jetë një vend hegjemon, ama do të mbetet lider, por lidershipi nuk është si dominimi. Amerika nuk do të superohet as nga Kina, që së bashku përbëjnë dy të mëdhenjtë, ose “G-2” (Gurtov, 2017), as nga Rusia, as nga Europa e Bashkuar dhe as nga shtete të tjera që po ngjiten shpejt në piramidën planetare. Me një fjalë, shekulli amerikan nuk po cenohet. Gjasat për fundin e Amerikës janë shumë të vogla – konstaton Nye.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button