PDK: Do t’i hapim rrugë dialogut me Serbinë

Në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme partitë politike kanë filluar që taksën 100 për qind ta përdorin si parullë zgjedhore. Ndonëse Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë deklaruar se do ta heqin taksën vetëm pasi të vendosin reciprocitet të plotë ndaj shtetit serb, AAK-ja dhe PSD-ja në anën tjetër kanë theksuar se taksa do të mbetet në fuqi deri në njohje nga Serbia, shkruan gazeta “Zëri“.

Zëvendëskryeministri në detyrë Enver Hoxhaj, nga PDK-ja, për “Zërin” ka deklaruar se pas zgjedhjeve të 6 tetorit, me të ardhur në pushtet, partia e tij do t’ia hapë rrugën dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo ai nuk ka specifikuar nëse taksa ndaj produkteve serbe do të hiqet ose jo.

“Epilogu i taksës është se ne duam që dialogut t’i japim shans, ne duam që të jemi partnerë me amerikanët dhe interesi i Kosovës është i barabartë me interesin kombëtar të Amerikës. Interesat tona strategjike përputhen dhe duhet të kemi një qartësi se çfarë do të ndodhë me dialogun Kosovë – Serbi dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB është në qendër të vendimmarrjes së politikës së jashtme të Kosovës. Ne dialogun e shohim pjesë të politikës së jashtme, edhe taksën e shohim vetëm si një instrument të politikës së jashtme”. Po ashtu ai ka thënë se taksa ndaj produkteve serbe është duke u shndërruar në parullë zgjedhore për disa parti.

“Neve na duhet që të kemi një qeveri serioze dhe kjo qeveri do ta trajtojë në mënyrë serioze edhe dialogun, edhe taksën dhe ne nuk duam që taksa të shndërrohet në një parullë zgjedhore siç është shndërruar për disa subjekte politike. PDK-ja, kur është në pyetje besueshmëria e Kosovës, e ardhmja e Kosovës dhe kur është në pyetje marrja e vendimeve të mëdha, është serioze”, ka shtuar ai.

Kurse Ahmet Isufi, nga AAK-ja, për “Zërin” ka deklaruar se në rast se partia e tij vjen në pushtet taksa nuk do të hiqet deri kur Serbia ta njohë Kosovën si shtet. “Epilogu i taksës do të jetë vetëm me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. Nuk hiqet taksa në asnjë variant tjetër”, ka thënë ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button