Ofensiva e politikës së jashtme amerikane drejtë Ballkanit Perëndimor

Në mjetet e informimit dhe në shumë portale këtë javë ishin në fokus lajmet spektakulare se, qysh pas mbarimit të luftës në Kosovë dhe shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç deklaroi për herë të parë se Serbia mund ta njohë Kosovën. Vuçiç tha se njohja do të arrihet me kompromis të ndërsjelltë.

Presidenti amerikan Donald Trump u ka dërguar dy liderëve ballkanikë Aleksandër Vuçiçit dhe Hashim Thaçit dy letra ku thuhet se në të ardhmen administrata e Shtëpisë së Bardhë do të ndërmarrë ofensivën për rikthimin e bisedimeve dhe dialogut midis dy shteteve ballkanike.

Sipas një korrespondenti nga Vashingtoni, fokusimi dhe kthimi i ofensivës së politikës së jashtme të Donald Trump-it është si shkak i defiçitit të axhendës dhe politikës së jashtme amerikane në Lindjen e Mesme dhe i zgjedhjeve presidenciale në SHBA vitin e ardhshëm. Sipas disa analistëve dhe diplomatëve, interesi dhe fokusimi ndaj Ballkanit kanë si protagonist senatorin Bob Dole, ish-kandidat për president. Ai është një nga figurat më të afërta të Donald Trump-it. Bob Dole-i i takon një linje të ashpër dhe kritike ndaj Moskës. Bob Dole-i tha se politika në Ballkan është tensionuar nga liderët nacionalistë si në vitet 90-të. Bob Dole-i rrëfen takimin e tij me Sllobodan Millosheviçin: “Ishte dera e hapur, por ajo derë u mbyll. Më në fund e pashë se Millosheviçi më injoronte, nuk donte bisedime.” Në fund Dole-i pohon se kanë kaluar tridhjetë vite që nga koha e Millosheviçit dhe, përveç Zoran Xhinxhiçit, asnjë nuk ka ndryshuar. Koshtunica, Tadiçi dhe Vuçiçi vazhdojnë gjithnjë të flasin me të njëjtën gjuhë, domethënë me gjuhë të vdekur ndaj rajonit.

Sërbia kërkon dalje në pjesën shqiptare të Detit Adriatik

Në bisedimet finale, siç dihet, serbët nuk do të hyjnë pa pjesëmarrjen e Rusisë. Por sipas gazetës Washington Post, amerikanët janë konsultuar me palën ruse dhe Donald Trump-i ka biseduar me Putinin që vetë amerikanët të jenë aktorë në bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës. Aleksandër Vuçiçi ka deklaruar hapur para mediave se në bisedimet finale do të arrihet një kompromis për njohjen e Kosovës, por për këtë Serbia duhet të marrë kompensime. Pas dështimit të projektit për shkëmbimin e territoreve, serbët në fund do të kërkojnë si kompensim status special për veriun e Kosovës, konkretisht autonomi administrative.

Ultra-nacionalisti dhe pinjolli i Sllobodan Millosheviçit i lindur në Kosovë Ivica Daçiç shkoi dhe më tutje. Daçiçi tha se amerikanët në paketë kanë dhe opsionin për shkëmbim territoresh, daljen në det në bregdetin shqiptar, si kompensim për njohjen e Kosovës. Me fjalë të tjera, po të arrihet njohja e Kosovës, Serbia do të ketë një korridor për dalje në det. Sipas Daçiçit, shqiptarët kështu mund të realizojnë ëndrrën shumë-shekullore të Shqipërisë së Madhe nëpërmjet bashkimit me Kosovën.

Kjo tingëllon sa utopike aq dhe spekulative.

Thuhet se në paketë amerikanët kanë si propozim që Shqipëria ta lejojë Serbinë që të ketë me koncesion një port detar, të cilin do ta shfrytëzojë së bashku me Kosovën. Dihet botërisht se ëndërra e serbëve ka qenë e kaherëshme për të marrë një copë territor nga shtetet fqinjë për dalje në det. Serbia ka pasur pretendime sidomos për bregdetin shqiptar. Ivica Daçiçi tha se në kuadrin e shkëmbimit të territoreve, kanë qenë zhvilluar bisedime midis monarkisë jugosllave dhe mbretërisë së Ahmet Zogut për daljen e Serbisë në det. Nikolla Pashiqi i pat kërkuar Mbretit Zog dalje në bregdetin shqiptar nëpërmjet Shkodrës dhe si kompensim do t’i jepej Maqedonia Perëndimore. Nikolla Pashiqi kishte ndërmarrë një ekspeditë në jug duke kaluar nga Shkupi në Tetovë e pastaj në Dibër. Ai kishte parë që shumica e territorit, sidomos pjesa rurale, ishte etnikisht e banuar me shqiptarë. Menjëherë Nikolla Pashiqi kishte filluar me reformat agrare duke sjellë kolonë serbë nga Bosnja e Kroacia.

Duke folur për opsionin e amerikanëve në bisedimet e ardhëshme Ivica Daçiçi tha se dhe Presidenti Wilson në Koferencën e paqes në Versajë më 1919 kishte propozuar që shteti shqiptar të lejonte që Serbia të dilte në det.

XXX

Sipas analistëve, politologëve dhe ish-diplomatëve serbë, në bisedimet e ardhëshme nuk pritet të ketë ndryshime – kriza dhe ngërçi midis Serbisë dhe Kosovës do të vazhdojë. Në bisedime mund të arrihet heqja e taksave dhe vazhdimi i bisedimeve teknike, si dhe ndërprerja e fushatës së Serbisë për tërheqjen e njohjes së Kosovës. Në fund pala kosovare do të ketë premtime për heqjen e vizave.

XXX

Dështimet e Ministrisë së Jashtme të Kosovës

Qeveria nacionalisto-populiste e Aleksandër Vuçiçit dhe ministri i jashtëm Ivica Daçiç me anë të lobimeve dhe promotorëve të akredituar në ambasadat serbe kanë bindur disa shtete që ta revokojnë, ta tërheqin njohjen e Republikës së Kosovës. Ata kanë paguar agjensi dhe firma për të bërë propagandë dhe agjitacion në dëm të Kosovës. Akademia e Shkencave e Serbisë dhe elita intelektuale serbe kanë botuar ‘libra të bardhë’ të mbushur me qindra foto që tregojnë kisha dhe monastire të shkatërruara e të djegura, si dhe foto me pamje të vrasjeve e dhunimeve të popullatës civile të kryera, sipas tyre, nga forcat e U.Ç.K.-s. Megjithatë, liderët dhe elita politike kosovare nuk e pranojnë dështimin e politikës së jashtme të Republikës së Kosovës. Ata thonë se ato shtete që kanë tërhequr njohjen e Kosovës janë shtatë shtete të vogla margjinale, pa ndonjë peshë në arenën ndërkombëtare. Pasiviteti, plogështia dhe deficensa e politikës dhe diplomacisë së Kosovës kanë bërë që disa shtete të tërhiqnin njohjen e saj. Sërbia është duke vazhduar më tej përpjekjet e saj që dhe shtete të Bashkimit Europjan të tërheqin njohjen e Kosovës. Presidenti çek, gjatë vizitës që bëri në Beograd, tha se në një të ardhme të afërt Çekia do ta tërheqë njohjen e Republikës së Kosovës. Kurse Urbani, miku i afërt i Gruevskit dhe i Vuçiçit, i tha një gazete austriake se po të vazhdojë tërheqja e njohjes së Kosovës nga shtetet e Bashkimit Evropjan, Hungaria do të ishte e para që do ta bënte një gjë të tillë. Kurse kryeministri sllovak  Mirosllav Lajçak tha: “Ne bëmë mirë që nuk e njohëm Kosovën”.

Qeveria e re që do të dalë nga zgjedhjet e ardhëshme në Kosovë duhet të bëjë reformë serioze në Ministrinë e Punëve të Jashtme duke avancuar kuadro të aftë, me vision dhe bagazh të pasur në fushën e politikë-bërjes, politikës së jashtme dhe diplomacisë. Si ministër të punëve të jashtme mund të ishin intelektualë të tillë të kompletuar si Veton Surroi, Blerim Shala, etj., kurse në Ministrinë e Punëve të Jashtme duhet të emërohen kuadro të reja që kanë kryer studimet për diplomaci në universitetet perëndimore.

Merxhan Jakupi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button