Union doganor ballkanik!

Gjatë historisë, Ballkani ka qenë i njohur për hipertalent për prodhim të së keqes. Këtu është e zakonshme që edhe ateistët të citojnë librat e Zotit. Fjalët e zbrazëta këtu janë më të preferueshme sesa punët e ndershme. Mjafton ato t’i ngjyrosni me një lloj patriotizmi të rremë, që pastaj të kemi lojëra gladiatoriale ku së pari vdes e vërteta, e pafajshmja dhe normalja. Krimi, padrejtësia, urrejtja, gënjeshtra, ose e gjithë së bashku, të mbështjellur në ambalazhe të bukur mund të shkatërrojnë çdo logjikë të shëndoshë. Pothuajse asnjë mendje e madhe nuk ka mbetë pa u prekur nga marrëzitë ballkanike. Këtu çohet pluhur edhe për ate pse deti ka ujë.

Bota normale na tregon se vëllezërit e bashkuar ndërtojnë shtëpi, kurse ne i bindim se vëllezërit e përçarë ndërtojnë dy shtëpi. Luftërat këtu i përngjajnë një simboli ritual kombëtar dhe sit ë tilla shiten si interes suprem nacional.
Talenti permanent ballkanik në disiplinën “vetëvrasje” duket se ka frikësuar seriozisht edhe qendrat më të fuqishme botërore të vendosjes, të cilët tani janë të detyruar të bëjnë gjithçka në mundësinë e tyre për të parandaluar shpërthimin e së keqes. Gjermania me flamurin evropian vite me radhë tentoi integrimin e brendshëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor, por padyshim që rezistenca nga vendet e rajonit është shumë e fortë.

Më në fund, amerikanët, zakonisht pas lodhjes së palëve, me “shkop dhe karrotë”, do t’i bindin liderët ballkanik për atë që vetë nga natyra duhet të jenë të bindur. E kjo është se integrimi i tyre i ndërsjellë nuk është vetëm për zhvillimin e tyre ekonomik, por edhe për shpëtimin e tyre nacional. Krijimi i një unioni ekonomik ose doganor do të kishte efekte të shumta pozitive. Do të hapte një treg prej rreth njëzet milion njerëzve, i cili do të gjallëronte industrinë, tregtinë, bujqësinë, blegtorinë, turizmin, etj. Do të rriste dukshëm investimet e huaja. Dhe mbi të gjitha, popujt e acarruar do të afroheshin dhe e gjithë kjo në favor të paqës dhe stabilitetit rajonal.

Amerikanët tani kanë emëruar Matthew Palmer për të dërguar special për Ballkanin Perëndimor mu për këtë qëllim. Atë e quajnë “Holbrook të Shekullit 21”, dhe ai do të ketë detyrë të vështirë për të zgjidhur problemet e mëdha të brendshme në këtë rajon. Këtu, së pari duhet të gjehet një zgjidhje në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës, por edhe një korrigjim i statusit të Bosnjës së Dejtonit. Palmer është dhëndërr serbe, vlerësoi ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç, por bëri shaka se nuk priste shumë nga ai por nga gruaja e tij. Në fakt një dhëndërr i tillë ndoshta është dërguar për ta bërë sa më të lehtë procesin. Ballkani Perëndimor do të duhet të heq kufijtë në mënyrë që të krijojë një treg unik, një entitet të përbashkët ekonomik, një politikë të përbashkët energjetike, një politikë të përbashkët në telekomunikacion, transport etj. Të gjitha këto të përcjellur me zhvillimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të se drejtës. Takimi i fundit në Bled i organizuar nga amerikanët, ku evropianët ishin pak të pranishëm, shihet si përgatitje për një operacion të gjerë ballkanik. Protokolli i takimit të zgjerimit të UE-së në Bruksel potencon se “Komisioni Evropian mirëpret idenë e integrimit ekonomik të Ballkanit Perëndimor, por që një bashkim i ri nuk është zgjidhja më e mirë, prej këtu bashkëpunimi më i mirë është brenda CEFTA-s”.

Realisht, vite me radhë në kuadër të CEFTA-s integrimi zhvillohet shumë ngadalë. Kjo marrëveshje e tregtisë së lirë ekziston midis të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë, por efektet nuk janë të mjaftueshme. Këtu është problemi që Serbia tashmë ka një marrëveshje të tregtisë së lirë me Rusinë dhe me Bashkimin Euroazian dhe kjo mund të ketë një problem me anëtarët e tjerë që nuk janë palë në një marrëveshje të tillë. Por nëse të dy traktatet harmonizohen, kjo mund të jetë një nxitje shtesë për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Ka mendime se kjo do t’i largonte shtetet rajonale të Ballkanit nga integrimi në UE! Kjo nuk ka asnjë bazë, pasi një union i tillë Ballkanik do t’u ndihmonte vendeve rajonale të forcojnë kapacitetet konkurrente të tyre jo vetëm brenda tregut të përbashkët, por edhe më gjerë, e cila gjë është një kërkesë e tregut evropian.

UE, edhepse xhelozon për të gjitha këte, ajo është e vetëdijshme për (jo)fuqinë e saj dhe mirë e di se dështimi i rajonit (në pamundësinë e tij për ta integruar), mund të çojë në destabilizim rajonal. Këtu tashmë pretendimet gjeopolitike të fuqive botërore janë thellësisht të rrënjosura. Ekziston një frikë e arsyeshme se Kina, Rusia dhe Turqia do të ndajnë lehtësisht interesat e tyre në rajon pa u shqetësuar fare për paqen. Destabilizimi i Ballkanit do të ishte një përshtatje e mirë për ata që të duan të faktorizohen për lojëra të tjera të rëndësishme politike botërore. Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara, në momentet e fundit me kapacitetin e tyre të plotë, po përpiqen fuqimisht për qetësimin dhe integrimin e të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Por, procesi nuk është aspak i thjeshtë dhe as i lehtë. Shtetet perëndimore, vetëm disa vjet pas luftës, formuan tre organizata si shtylla kryesore të UE-së aktuale (për qymyr dhe çelik; për komunitetin ekonomik; dhe për energjinë atomike).

Kurse këtu te ne, edhe pas 25 vite nga përfundimi i luftërave çdo ditë plagët gërvishten qëllimisht për t’i bërë ato të duken të freskëta. Ballkanasi nuk haron gabimet e të tjerëve, por zemërohet kur e përkujtojnë në gabimet e tija. Ai është konzistent në jokonzistencë.

Pra, përkundër zilisë evropiane, UE e di se me integrimin rajonal do të zvogëlojë presionin ndaj saj për antarsim të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në te. Brukseli është i gatshëm të paguajë pesë herë më shumë para sesa jep tani (që do të ishin rreth 60 miliardë euro), vetëm për të vonuar pranimet e mundshme për dhjetë vite të ardhshme. Fakti është se shumica e qytetarëve të UE-së janë kundër pranimit të vendeve të varfëra në klubin e tyre edhe ashtu të përçarë. Gjithashtu, disa nga vendet anëtare relevante të UE-së insistojnë që së pari të bëhen reforma të brendshme brenda UE-së, dhe më pas të zbatohen kritere të reja të rrepta për antarsim. Sidoqoftë, kjo është shumë më fer sesa veprimet e rremë se shtetet e Ballkanit Perëndimor bëjnë reforma substaciale, por edhe sesa veprimet e rrema se Brukseli është i përkushtuar për antarsime të reja! Duket se ka aq shumë maska, ndoshta për të maskuar kaq shumë udhëheqës pa fytyrë. Tani zgjerimi në Bruksel përjetohet si një këngë e mërzitshme, refrenet e së cilës janë gënjeshtrat e përditshme. Rajoni i Ballkanit Perëndimor boshadiset nga të rinjtë. Ai tanimë ka mbetur pa shpirt. Ata janë duke ikur, sepse kudo në botë e kanë më mirë se në atdheun e tyre. Këtu të uriturit janë të ngopur nga çdo gjë, kurse të ngopurit janë gjithnjë e më të uritur! Për vite me radhë, bota perëndimore merrë shtresën tonë më vitale të popullsisë si një forcë pune sepse ata mire e dinë që këta integrohen lehtë atje. Kurse neva do na i lejnë Afganët, Indianët, Sirianët, Eritreasit etj. Ndoshta këte edhe e meritojmë, pasi ndërruam aq shumë qeveri dhe asgjë, ndoshta është koha për ta ndërruar popullatën!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button