Filloi asfaltimi i kilometrit të fundit të rrugës Tetovë – Kodër e Diellit, “Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit” ka kërkesa të reja

Pas shkrimeve të njëpasnjëshme nga redaksi Portalb.mk, kilometri i fundit i rrugës Tetovë – Kodër e Diellit ka filluar të asfaltohet, por iniciativa “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” ka kërkesa të tjera, për siç thonë ata, që të kompletohet me të gjitha standardet. Ministri Bekteshi nga ana tjetër thotë se projektet nuk mund të realizohen brenda natës.

” Një nga shumë premtimet po realizohet, por të njëjtës rrugë i mungon sinjalizimi vertikal, mbrojtëset rrugore dhe shumë elemente të tjera për ta kompletuar me të gjitha standardet. Rruga përsëri ngelet në gjysmë”, thuhet në reagimin e “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”.

Ministri Bekteshi nga ana tjetër, për pyetjen se a do të kompletohet rruga me të gjitha standardet, thotë se projektet nuk realizohen brenda natës dhe se do të realizohen në të ardhmen.

“Unë e kuptoj protagonizmin edhe të disa organizatave dhe disa gazetarëve që duhet me siguri t’i dinë edhe procedurat se si ndërtohen projektet infrastrukturore, ato nuk ndërtohen brenda natës. Ka rrugë edhe projekte që nuk janë realizuar më parë dhe tash realizohen, ashtu si e realizojmë këtë rrugë do të realizohen edhe projektet tjera”, tha Bekteshi.

Nga Iniciativa “Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit”, thonë se përgjegjësia për vazhdimësinë e përmirësimit të infrastrukturës rrugore në këtë pjesë të Tetovës, tash është mbi Komunën e Tetovës, kjo edhe për shkak të mosaprovimit të mjeteve nga Banka Botërore për rikonstruktimin e rrugës së Lagjes së Villave.

“Autoritetet duhet angazhuar maksimalisht, në veçanti Komuna e Tetovës të zgjedh problemin me infrastrukturën rrugore në Lagjen e Villave. Afër 4 kilometra rrugë për momentin janë sikurse rrugët e kohës së gurit”, thanë më tej nga “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”.

Kilometri i fundit i rrugës Tetovë - Kodër e Diellit
Kilometri i fundit i rrugës Tetovë – Kodër e Diellit

 

Kjo vjen pasi ditë më parë Portalb.mk informoi se, edhe pse më datë 5 shtator të këtij viti ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi tha se brenda dy javëve kilometri i fundit i rrugës Tetovë-Kodra e Diellit do të asfaltohet, ky afat u shkel.

Rehabilitimi i rrugës Tetovë – Kodër Dielli ka filluar në maj të këtij viti dhe duhet të përfundojë në shtator. Rruga deri tani është asfaltuar një kilometër larg hyrjes në qendrën për skijim. Nga Iniciativa Qytetare “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” kërkuan që për aq kohë sa makineritë janë në vend, të vazhdohet rruga edhe një kilometër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button