SHTETI I DASHURISË

Bajram Kryeziu dhe Shyqeri Krasniqi. Njëri nga Rahoveci dhe tjetri nga Gjakova. Dy adhurues të letërsisë. Dy miq të dashur, që i kam njohur në kohën më të mirë të jetës – si student. Unë isha brucosh, ata absolventë. Ishte koha kur Kosova frymonte nën terror, por jeta jonë rridhte sipas një kalendari tjetër. Studentët më të vjetër na mësuan që jetën nën terrorin policor ta përjetonim si gjendje normale. Ne u mësuam ta injoronim robërinë e jashtme. Ishim të lirë së brendshmi. Kishim shpresë. Kishim edhe frikë. Ishim njerëz. Ishim të rinj. Kishim shumë ëndrra dhe iluzione. E Kosova ishte pjesë e secilit prej nesh. Ajo nuk ishte vetëm e Bajramit dhe e Shyqës. Ajo ishte edhe e  tetovarëve: e imja, e Xhepës, Ejupit, Abazit, Mujës, Azizit, Saitit, Bardhit, Rexhës… Dhe gjendja e shqiptarëve “këndej” përjetohej njëjtë. Nuk i njihnim kufijtë që u ngritën pastaj si muret e Kavafisit nëpër mendjet e disa protagonistëve të jetës publike, atdheu i të cilëve ka përmasa oborri.

Kosova ka ndikuar në formimin tonë. Ne jemi bijtë e saj. A i pëlqen apo jo dikujt, kjo për mua nuk ka rëndësi, sepse askujt nuk i jap llogari për atë që e dua. Si mund të mos e duash dikë që të ka dhënë kulturë e dije? Si mund të jesh mosmirënjohës?

Kosova ka reflektuar në mbarë hapësirën shqiptare. Ka reflektuar kulturë e dije. Ka shpërndarë libra në çdo qytet jashtë Kosovës. “Rilindja” e solli rilindjen. Por “Rilindja”, kjo vlerë e shenjtëruar, më nuk ekziston. Çfarë mëkati! Çfarë shkurtpamësie! Kosova e Bajramit dhe Shyqës, e imja dhe e shumë të tjerëve, Kosova jonë, e kishte “Rilindjen”. Sepse në Kosovë kishte vetëdije shtetërore ende pa u bërë shteti i Kosovës…

Shteti i Kosovës është bërë nga dashuria e madhe e njerëzve për të.

“Kur e kujtoj se sa gjak është derdhur”. Këtë varg të Dantes duhet përherë ta kemi ndërmend. Me këtë ndjeshmëri duhet të punohet për Kosovën që e duam unë dhe miqtë e mi, Kosovën që u bë shtet i pavarur nga dashuria e madhe për të, Kosovën që mund ta çojnë përpara vetëm ata që e duan me dashuri prej idealisti.

Dhe korzoja e Prishtinës nuk është e njëjtë për mua dhe për një të ri që është rritur në kohë normale. Aty shoh hije njerëzish të dashur. Shoh hijen e poetit Beqir Musliu. Më shfaqet hija e poetit Mirko Gashi, që i bënte hile robërisë. Jetonte ai në një botë që e kishte sajuar. Në një botë pa orë policore. Ishte njeriu më i kthjellët në një kohë të çmendur. Shoh aty edhe hije policësh të egërsuar, që donin të na frikësonin me frikën e tyre. Por ne ishim mësuar me këtë egërsi. Na mbetej që të mësoheshim pa hijet e policëve.

“Kur e kujtoj se sa gjak është derdhur”…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button