Një filozofi reale për politikën tonë joreale

Politika është një diçka shumë serioze për t’u lënë vetëm në duart dhe në fatin e politikanëve, ka thënë presidenti dhe diplomati i dikurshëm i rryer francez, Sharl de Gol, gjë që, mjerisht, pikërisht kjo po ndodh te ne, sidomos te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, të cilët janë të kapur nga partitë politike, ndaj dhe s’mendojnë me kokën e vet, por me “kokën” e tyre. Shumica e popullatës së këtushme mendojnë se “politika u takon politikanëve”, ndërsa ata janë vetëm një masë amorfe, për të votuar ekskluzivisht gjatë zgjedhjeve, dhe se detyra apo mandati i tyre përfundon me kaq. Populli, pasi e jep verdiktin për të drejtuar politikanët me shtetin, mbyll sy e vesh, bëhet indiferent dhe tolerant tej mase, deri në zgjedhjet e radhës. Atëherë, me vetëdije apo pa të, përsëri i lejon vetes që të manipulohet nga politikanët dhe, ky cikël i mashtrimeve shkon deri në pafund.

“Kur mbreti (pushteti) merr zhugën, populli kruhet pa ndalur”, thotë një urti popullore, por ne si popull jemi përjashtim. Që të zhvillohet një politikë humane, nuk mjafton që politikanët ta njohin mirë popullin e vet, por edhe ta duan atë. Pushtetmbajtësit e një vendi jo demokratik, si në rastin tonë, nuk merren drejtpërdrejt me popullin, sepse i kanë “lakenjtë” e vet, sahanlëpirësit e të tjerë masha, të cilët kryejnë “detyrat” me të cilat janë ngarkuar. Kjo po ndodh ngase, siç kanë thënë, “politika nuk është shkencë, por art i të mundshmes”, ndaj dhe politikanët veprojnë brenda “kornizave të së mundshmes”, aq sa i lejon populli. Në këtë moment populli është në ekstazë të “mundimeve të Tantalit” dhe atij i duhet një “katarzë” apo një “reset” bazik, për të dalë nga kjo kllapi në të cilën është katandisur. Forca e rezistencës së popullit nga viti në vit po meket e po shuhet nga aparaturat partiake, ndaj dhe kërkon rrugëdalje të pamundshme e shumë të dhimbshme, për të ikur nga vendi për në mërgim, madje jo vetëm për shkaqe ekonomike, por edhe për mostoleranacë ndaj një atmosfere të tendosur politike dhe juridike shumëvjeçare që nuk ka zgjidhje, që u rri mbi kokë si “shpata e Damokleut”.

Për këtë shkak, vendbanimet tona anembanë po zbrazen, rrugët mbeten pa njerëz, oxhaqet nuk tymosin si dikur, bankat shkollore ngelen pa nxënës dhe, e gjithë kjo që po na ndodh, mjerisht, merret si një gjë “normale”. Ata që ikin nga vendi, për “t’u integruar” në vendet perëndimore, po pësojnë një “asimilim” bashkëkohor, pasojat e të cilit do të hapin plagë të reja në indin kombëtar.

Politika është diçka reale, në të s’duhet të kenë ndikim ëndrrat dhe iluzionet, siç po ndodh te ne, sepse nga buxheti i taksapaguesve ndahen paga të majme për politikanë të pangopur, të cilët me paratë tona na bindin se ne “jetojmë mjaft mirë!”.

Fransoa Volter me të drejtë ka thënë se  “Politika është mjeshtri e të gënjyerit në momentin e dhënë”, që del nga një përvojë e gjatë politike e popujve të tjerë. Gënjeshtrat si formë dominuese e veprimit politik sollën vendin në një stade të kriminalitetit të paparë dhe në zhvatjen e pasurisë shoqërore, në kriza të thella politike, institucionale, ekonomike e gjyqësore; në një shtet të kapur nga kreu politik e pushtetmbajtës, në koordinim me oligarkët dhe biznesmenët më në zë, të cilët thithnin paratë e buxhetit, për t’i derdh pastaj një pjesë të tyre në xhepat e politikanëve të korruptuar, gjë që bëri së fundmi “të plasë kungulli mbi ujë” dhe të dalin në sipërfaqe afera të ndryshme, që i kemi parë në filma kriminalistikë.

Të udhëhequr nga këto manipulime, pushtetarët pretendojnë të nxjerrin nga e gjithë kjo një “kapital politik”, që do t’ua shisnin ndërkombëtarëve, si një “betejë vendimtare kundër kriminalitetit”, në momentet kyçe të vendit, kur në gjysmën e dytë të tetorit 2019 pritet si në ankth të merret përfundimisht data për fillimin e negociatave me BE-në, që mund të zgjasin prej 7-10 vjet, kur ato do të kurorëzohen me aderim të plotë të Maqedonisë së Veriut në këtë “familje të madhe”. Është interesant se tash një kohë nuk po flitet aq shpesh për aderim të vendit në NATO, disa muaj para aktit ceremonial, që duhet të bëhet më 3-4 dhjetor 2019 në samitin e saj në Londër, pas ratifikimit të protokollit nga të gjithë 29 anëtarët ekzistues (deri më tash kanë ratifikuar 22 vende), duke konsideruar këtë si punë të kryer, por në fakt vërehet një neglizhencë e kamufluar me procedura teknike  nga ana e Spanjës, Anglisë e disa vendeve të tjera, që mund të komplikojnë situatën në këtë vend, në një kohë kur opozita maqedonase me ngulmë po kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Shumë veprime politike te ne konsiderohen si të suksesshme nëse mbështeten në arritjen e “marrëveshjeve” që në thelb janë të rreme, të cilat më vonë analizohen në aspektin e gjetjes së formave, për “lajthitjen” e palës tjetër. Pala tjetër, në shumë raste është ajo shqiptare, e cila po vepron pikërisht ashtu siç është shprehur shkrimtari i madh gjerman, Johan Volfgang Gëte, “Njerëzit në politikë sillen si në shtrat – kthehen herë në të majtë e herë në të djathtë, me shpresë se do e gjejnë pozitën e përshtatshme!”.

Autor: Ismail Arsllani

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button