fbpx

Informata duhet të konfirmohet dhe sqarohet që mos të jetë nxitëse

Burimi: KriThink

Informacioni i rëndësishëm nuk mund të transmetohet vetëm me disa fjalë dhe pa burime zyrtare. Lajmet për përplasje të caktuara me prapavijë fetare gjithmonë marrin vëmendjen e lexuesve te ne prandaj kujdesi gjatë informimit për to duhet të jetë në nivel të lartë. Informacioni që e recensojmë nuk ka respektuar parimet gazetareske.

Fotografi nga lajmi që recensohet
Fotografi nga lajmi që recensohet

Linku deri te artikulli origjinal: Policia me inspektorë shkon në xhaminë e Strumicës për t’a ndalë zërin e lartë të ezanit (VIDEO)

Data e publikimit: 13.09.2019

Data e recensionit: 22.09.2019

Recensues: Fatlume Dervishi

Në një video material të siguruar nga disa media tregohet një aktivitet i cili sipas tyre është tentimi i policisë në Strumicë për të detyruar përgjegjësit e xhamisë të ulin nivelin e zërit të pajisjes që transmeton ezanin. Sipas po të njëjtave media, në video shihen banorët e lagjes në fjalë të cilët kundërshtojnë këtë veprim të policisë. Informata e dhënë pa asnjë sqarim shtues, më shumë bën konfuz lexuesin sesa e informon atë.

Mungesë burimesh për të verifikuar lajmin deri në fund

Burim informacioni për të sqaruar situatën në këtë rast janë institucionet, xhamia, policia e Strumicës, Komuna e Strumicës, etj.

  • Përveç përshkrimit të situatës dhe fjalëve, autori nuk i jep lexuesit asnjë detaj tjetër.
  • Si ka ardhur deri te peticioni i banorëve të komuniteteve të tjera fetare – nuk thuhet por supozohet se ata që kanë nënshkruar peticionin u takojnë komuniteteve të tjera?
  • Cili është qëndrimi i komunitetit mysliman që ka dalë në rrugë për të kundërshtuar veprimin?
  • Cili është qëndrimi i komunës dhe i policisë?
  • Sa kanë të drejtë ligjore autoritetet të ndërmarrin veprime të këtilla? etj…

Këto janë pyetje shumë të rëndësishme dhe të nevojshme të cilave autori nuk ka tentuar t’u gjejë përgjigje.

“Në këtë lagje gjendet edhe një kishë, por ajo kurrë nuk ka qenë ndonjë problem për banorët lokal të komunitetit mysliman.” shkruhet në lajmin që e recensojmë.

Kjo është një frazë e autorit por nëse nuk e thonë banorët konsiderohet si nxitëse, subjektive, e njëanshme dhe aspak e nevojshme.

Kodi etik i gazetarëve është i qartë dhe autori nuk e ka ndjekur:

“Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë ose përpunojë informata, që cënojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze qoftë (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…)”

Teknikat e manipulimit

Autori është bazuar në mungesën e dëshmisë së kundërt për të treguar si të vërtetë vetëm atë anë që e shohim në video-materiale. Ai ka përdorur edhe argumentet rrethanore duke e sqaruar në tërësi ngjarjen por pa e formuar mozaikun e plotë të saj dhe duke mos dhënë kontekstin e duhur.

Për lexuesit: Mos bini pre nxitjes mediatke, kërkoni të gjeni kontekstin e ngjarjeve

Pavarësisht bindjes personale dhe vlerësimit të autorit, secila ngjarje duhet të trajtohet në mënyrë objektive për t’u fituar një pasqyrë sa më reale e asaj që ka ndodhur. Pa qenë i plotësuar, një informacion i këtillë mundet vetëm të nxisë dallime dhe urrejtje në baza fetare, pa e ditur të vërtetën e cila mund të jetë ndryshe në rast se i pyesim të gjithë palët e prekura për ta përshkruar gjendjen.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button