fbpx

Tetovë, të rinjtë e fshatit Kallnik në aksion për pastrimin e mbeturinave

Për çdo ditë ndërrojmë stacionet e televizorit, shfletojmë gazetat, bëjmë scroll në rrjetet sociale dhe kur përballemi me lajmet e vendit ndeshemi vetëm me tituj negativ.

“Ja arsyet përse largohet rinia nga vendi”, “Ja përse nga Maqedonia janë larguar mbi 600mijë persona”,“Flet emigranti: ja si e gjeta dhe si e lash Tetovën”, “Maqedonia ofron 900 mijë vende pune të reja mirëpo nuk ka mbetur më kush të aplikojë” janë disa nga titujt e artikujve të ndryshëm që qarkullojnë nëpër portale deri tek kronikat dhe intervistat me qytetarë të cilët shprehen se “Përse ta përgatisim Ajvarin kur nuk ka rini me të cilën ta ndajmë”. Thirrje të cila duken sa qesharake aq edhe të trishta. Mirëpo të gjitha këto lajme e kronika kanë disa element të përbashkët: pesimizmin, negativitetin dhe zhgënjimin. Të gjitha këto kanë ushqyer tek rinia në veçanti por edhe tek shoqëria në përgjithësi ndjenjën e demoralizimit dhe vetëviktimizimit. Ndjenja të cila nëse nuk luftohen sa më parë, nëse nuk përcillen me nisma pozitive dhe reforma shpresëdhënëse do ta shtojnë akoma më shumë dëshirën e të rinjve për ta lënë vendin.

Atëherë: çfarë duhet të bëjmë? Të vazhdojmë të vajtojmë dhe të vetëviktimizohemi? Apo të mbeshtesim raste pozitive dhe të promovojmë vlera?

Pikërisht këtë janë munduar të bëjnë të rinjtë e një fshati në Tetovë nën nismën e ideuar nga hoxha i këtij fshati.

Sot me datë 21 shtator, që përkon më ditën ndërkombëtare të pastrimit të ambientit, të rinjtë e fshatit Kallnik i janë përgjigjur ftesës së lajmëruar gjatë kumtesës mbajtur me rastin e ditës së premte (xhumasë) nga hoxha i fshatit, Omer Dauti, për t’ju bashkangjitur nismës për pastrimin e ambientit përreth.

Aksioni filloi nga oborri xhamisë dhe përfshiu të gjithë fshatin nën mesazhin simbolik se “pastrimi nis nga vetë ne, shtëpia jonë dhe më pas kalohet tek ambienti që na rrethon”.

Pjesëmarrësit e kësaj fushate për pastrim qenë të rinjë nga komuniteti musliman, fëmijë, nxënës, studentë madje dhe të moshuar.

“Ashtu sikurse ne muslimanët jemi të urdhëruar për pastrim të vetes tonë, ashtu dhe jemi të urdhëruar të mbajmë pastër dhe ambientin përreth. Cdo gjë rreth nesh është krijuar nga Zoti dhe mos kujdesja ndaj krijesave të Tij ( si kafshët dhe bimët) është  mungesë rrespekti ndaj krijimit të Zotit.

Njeriut i është përcaktuar detyra e zëvëndësit në tokë. Atij i është besuar ky mision dhe përgjegjësi që pavarsisht se nuk është zotë ri/pronar i Tokës, i është  dhënë toka për shfrytëzim që të përfitojë prej saj por duke mbajtur përgjegjësi dhe duke dhënë llogari për të. Përgjegjësi, dhe privilegj në tënjëjtën kohë, e cila iu dha qiejve, tokës dhe maleve por ata e refezuan ta marrin përsipër përveç njeriut i cili e pranoi ta mbajë këtë barrë mbi shpatulla.

Pra kjo Tokë, ky Planet na është dhënë në amanet.“ u shpreh Omer Dauti për PortAlb.

“Dëshirojmë që përmes kësaj nisme të ndërgjegjësojmë të rinjtë se sado grup i vogël dhe në numër të vogël, ndryshimi mund të arrihet. Dhe ndryshimi nis pikërisht nga vetja, me shpresë se herën tjetër të zgjerojmë aksionin tonë në të gjithë qytetin e Tetovës dhe pse jo: edhe në të gjithë Maqedoninë.”shtoi ai.

Komuniteti i xhamisë në fshatin Kallnik përbëhet nga të rinjë të cilët edhe më herët kanë organizuar nisma të tilla. Gjatë gjithë muajit mars të këtij viti organizuan fushatën për pastrim e ambientit çdo të shtunë të muajit nën moton “Natyra nuk ka nevojë për ne por ne kemi nevojë për natyrën” projekt i cili përfshiu dhe mbjelljen e pemëve, duke arritur të mbillen më shumë se 80 rrënjë në një ditë.

Gjithashtu në muajin qershor po të këtij viti me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Dhurimit të Gjakut organizuan fushatë dhurimi në bashkëpunim me BFI-Myftinia e Tetovës dhe Kryqin e Kuq – Tetovë.

Shpresojmë që nisma të tilla sado modeste të bëhen frymëzim për të rinjtë e sotëm tetovarë, por jo vetëm, të cilët duan të japin kontributin e tyre për këtë vend. Që të rinjtë e sotëm të mos ankohen se mungojnë mundësitë dhe të kalojnë kohën e tyre të lirë nëpër kafenetë e qytetit atëherë kur më së shumti ky qytet ka nevojë për kontributin e tyre. Sikur çdo komunitet, çdo fshat dhe qytet të ndërmerrte nisma të tilla do të mund të arrijmë atë impakt të cilin të gjithëve na duket si i pamundur.

Përgatiti: Nada Dosti

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button