AKADEMIKËT ANALFABETË dhe DY LLOJET E INJORANTËVE

Te shqiptarët maksima e njohur: “të kaplon gjumi si tradhtar e zgjohesh si patriot”, nuk ishte më interesante. Në plan të parë kishte dalë maksima: “të kaplon gjumi si analfabet e zgjohesh si profesor universitar”. Kësaj të keqe askush nuk doli t’i thotë stop. Askush. As nga shoqatat që rreth vetes tubonin edhe të ashtuquajtur intelektualë. Askujt nuk i shkoi ndërmend ta shtrojë pyetjen: po nesër, kush do t’i edukojë gjeneratat e reja?

Ose, përse proceset nëpër të cilat duhet të kalojnë shqiptarët, kanë kahe të mbrapsht? Një herë e përgjithmonë duhet bindur se rruga e shkollimit nuk është e lehtë ashtu siç u ndodhi akademikëve analfabetë, por është një rrugë e vështirë, e cila kërkon përkushtim dhe punë të përditshme. Pasojat e diturisë që falet apo blihet, janë të pariparueshme. Pikërisht me pasoja të tilla do të përballet shoqëria shqiptare, e cila do të bëhet një shoqëri e dëshpëruar dhe e zhgënjyer edhe nga krimi në arsim.

Asnjë diplomë, çfarëdo qoftë ajo, nuk do mund ta kamuflonte analfabetizmin e atyre që pretendonin ta marrin në dorë fatin e kombit. Efektet e atyre diplomave ishin sa të dhembshme, aq edhe trishtuese. Sikur vetëm një për qind e atyre që kishin magjistruar e doktoruar t’i vizitonin libraritë edhe ashtu të pakta, mesiguri pozita e librit shqip nuk do të ishte e mjerë. Sikur vetëm një për qind e atyre që kishin magjistruar e doktoruar t’i vizitonin dy teatrot shqiptare (profesionale) në Shkup e Tetovë, atëherë nuk do të ndodhte që çdo shfaqje pas premierës të harrohet përgjithmonë. Do të ishte krejt ndryshe sikur vetëm një për qind e atyre që kishin magjistruar e doktoruar të ngrinin zërin kundër pozitës së pavolitshme të shqiptarëve, s’do mend se gjendja do të ishte më ndryshe.

DY LLOJE INJORANTËSH

Shoqërisë shqiptare fatkeqësisht i mungonte ndjenja e përgjegjësisë. Kjo mungesë çoi drejt zbehjes së vlerave morale, kurse pa këto të fundit nuk mundej të fitohet asnjë betejë. A ishte kjo pikërisht ajo që shqiptarët i bënte të ndjehen shpesh si humbës, apo as këtë nuk mund ta perceptonin për shkak të ngurtësisë së brendshme shpirtërore. Kjo ngurtësi prodhoi vetëm egoizëm, ftohje në raport me të tjerët, injorantë, individë pa parime e kështu me radhë. Një konglomerat i këtillë shoqërinë shqiptare e bënte shoqëri pa gjak.

Krimbi i këtyre dukurive e kishte brejtur arsimin, kulturën, mbase edhe politikën. Injoranca më e dukshme vërehej në sistemin e arsimit, ndonëse këtë askush nuk dëshironte ta pranojë, edhe përkundër faktit se atë në çdo kohë e dëshmonte realiteti.

Michel Eyquem de Montaigne ka arritur deri te një konstatim brilant: kemi dy lloje injorantësh, ka thënë ai – “njëri e ka rrjedhjen nga analfabetizmi dhe tjetri nga njerëzit me doktoraturë”.

Çarjet në arsim në çdo nivel ishin evidente, kurse kjo kalonte nëpër një heshtje të çuditshme. Dhe askush nuk u shqetësua për këtë verigë të rëndësishme për të pasur një shoqëri të shëndoshë, të aftë dhe kreativë. Kjo bëri që gjeneratat e reja të jenë gjenerata të hutuar, pa vizion dhe ideal.

Shtërzimet politike, ekonomike dhe sociale imponuan nevojën e kërkimit të alternativave të reja, të cilat, fatkeqësisht, për shkak të shqiptarëve në pushtet, fare nuk mund të vinin në shprehje. Të vet-pëlqyerit që ishin të shumtë, vazhdimisht tentonin të imponojnë të vërtetat e tyre, përmes të cilave insistonin që të mbeten në sipërfaqe, gjithnjë duke u fshehur prapa vlerave familjare, morale, intelektuale, kombëtare dhe mbi të gjitha prapa vlerave politike. Krahas politikës së hapur, që ishte e çiltër, parimore, e urtë, largpamëse, e drejtë e paqësore, shqiptarët patën rastin ta njohin edhe politikën grabitqare, politikën e grushtit të hekurt, politikën e kulaçit e kërbaçit, politikën e kërcënimit e shtrëngimit. Shqiptarët i provuan të gjitha këto politika.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button