DO TË VIJË DITA E BARDHË E GJUHËS SONË

Sa “qejf” e, madje, sa lezet është të jetosh në këtë hapësirën tonë kur e ke detyrë ta mbrosh gjuhën shqipe dhe trashëgiminë tonë kulturore dhe arsimin e kulturën kombëtare. Rreziqet që mund  të na vijnë në këto shtigje plot të papritura “kompetentët” i kanë harruar. Tash e sa vjet po merren me gëzimet e kënaqësitë që i ofron streha e e luhatshme e politikës. Përkundër traditës shqiptare që kërkon të sigurohet e ardhmja, ata janë lidhur fuqishëm për të tashmen të cilën e ofron politika.

Kështjella e gjuhës shqipe tashmë i ngjan një kështjelle të rrënuar. Atë s’ka kush e ngre tash për tash në këmbë. Gjendet aty-këtu ndonjë i pasionuar pas fjalës shqipe duke hulumtuar nëpër rrënoja të kështjellës për të gjetur ndonjë tullë që palohet në murin e kështjellës që në mos sot, nesër do të ngrihet se s’bën dhe në atë mur do të qëndrojnë edhe karikaturat e atyre që kanë hequr dorë nga kjo bukuri mahnitëse e kështjellës, duke u krekosur nëpër hapësirë të huaja gjuhësore ku nuk mund të lëshohen lehtë rrënjë. Është gjuha jonë, e cila e ka ëmbëlsinë e fjalës shqipe të cilën e kemi dëgjuar që në takimin e parë me diellin, është gjuha shqipe të cilën na e kanë kënduar nënat bashkë me bilbilat dhe me erën e lehtë e cila i ka bërë të vallëzojnë lulet në shullë, kashtën e grurit, të thekrës, të elbit e tërshërës, me shiun që ka rënë qetë duke hedhur ndonjë pikë në xhamat e frëngjive.

Do të vijnë djem e vajza të mbarë të cilët do ta ngrenë këtë kështjellë dhe do të bëjnë që ajo të jetë e ndritshme dhe të jetë shembull si punohet për gjuhën të cilën na e kanë lënë si trashëgimi të parët tanë duke e ruajtur me mijëra vjet në kushte tmerrësisht të vështira. Do të vijnë ëndërrimtarë të pakompromis dhe konsekuentë ndaj amanetit të shenjtë të të parëve që ta ruajmë këtë pasuri si sytë e ballit e pa kushte.

Do të kthjellen e do ta përmirësojnë gabimin historik kur gjuha është lënë në mëshirën dhe pamëshirën e stihisë, kur emrat e vendeve janë zëvendësuar me dëshirë o pa të me emra të huaj, do të jenë të vendosur këta djem e vajza që fjalorin e gjuhës shqipe nga një fond prej nja dyzet mijë fjalësh do ta ngrejnë në një fond mbi njëqind e sa mijë fjalë, duke u dhënë vend të respektuar fjalëve burimore para shumë huazimeve të panevojshme, do të gjejnë vend fjalët e Gjon Gazullit, të Pano Tases e të Abdullah Zymberit dhe shumë fjalë të tjera që shkrimtarët i kanë krijuar nga brumi i kësaj gjuhe, do ecin me fletore e lapsa në dorë dhe do të shënojnë çdo antroponim, çdo pezhorativ të ndërtuar me prapashtesën sh, çdo shprehje dhe do t’i vendosin në fjalorin e madh të cilin ne nuk arritëm dhe nuk ditëm ta bëjmë, do ta zgjidhin çështjen e toponimeve për së mbari dhe nuk do të ketë atmosferë pusteciane në trashëgiminë tonë gjuhësore.

Nuk do të ketë më përkthime të Arave të Gjata me Dllëgi Nivi, nuk do të ketë Te Izvori, po te Gurra, as Kukli Beg, po Kukaj, as Prevallac, po Qafa e Malit. Do të harrohen Novosella e Sllatina, por do të vishen këto toponime me petkun shqip, siç është veshur me petkun sllav dikur në mbretëritë mesjetare bullgare.

Do të fillojë shpejt udhëtimi i gjatë krijues me një potencial të paparë të rinisë që po zgjohet dhe e cila dalëngadalë do të heqë dorë nga udhët e pasigurta të botës. Do të hapet një hapësirë e madhe ku do të zhvillohen debate të thella, të cilat do t’i stolisë drita e dijes, jo përkatësia partiake dhe sekretariatet e formuara nga çetat me origjinë nga proletariati në krye të së cilave janë vendosur komisarët e dikurshëm me ideale zhdanoviste.

Dhe nuk do të ketë vend më për ata që bangën e zënë në kështjellën e gjuhës e kanë marrë si peshqesh për merita partiake.

Do të vijë dita e bardhë e gjuhës sonë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button