PROGONI I TETOVËS

Shekulli XII. Qytetshkatërruesi Stefan Nemanja (sikurse rrëfen i biri i tij, Stefani i Kurorëzuari i Parë, vjehërr i një shqiptari, pasi bija e tij Komnena ishte martuar me Dhimitrin) ka shkatërruar Shkupin, Prizrenin, Nishin, Leshkën dhe Gradaciumin në Pollogun e Poshtëm. Tetova është një katund i parëndësishëm. Zhupani serb ka djegur altarët dhe librat kishtarë të popullatës vendëse.
Sipas shënimeve të të birit, këto “qytete i rrënoi dhe i çrrënjosi deri në themel, duke mos lënë gur pa lëvizur, kurse tokat dhe pasuritë e tyre ia bashkoi pasurisë dhe lavdisë së sundimit të tij”. Ai, siç thotë i biri i tij, “i dogji librat e tyre të pandershëm” dhe në të gjitha anët “çrrënjosi atë besim të mallkuar, që të mos përmendet në shtetin e tij”.

Shekulli XIII. Tetova është një katund, por ka filluar të formësohet si qendër administrative e rajonit pas shkatërrimit të dy qyteteve mesjetare në Pollog. Zhupanët serbë, siç shkruan prifti Jean-Claude Faveyrial, shpesh e zhvendosin epiqendrën e shtetit të tyre nga Rasha në drejtim të viseve të pasura të Kosovës. Shkodra, Prizreni, Prishtina dhe Shkupi, bëhen me dhunë seli të oborrit serb. Kishat dhe manastiret, sipas tij, janë serbizuar dhe ka filluar ndërtimi i kishave të reja, që kanë përfituar prona të mëdha. Mjeshtrit e kishave dhe manastireve janë vendës. Tek – tuk ata i shënojnë emrat e tyre nëpër mure altarësh. Zhvendosja e qendrave e ka ndryshuar pamjen etnike. Fisnikëria vendëse është shuar. Në skenë janë shfaqur të tjerë prijës.

Në Tetovë është duke u zhvilluar një proces i rëndësishëm gjyqësor. Shqiptari i quajtur Progon e ka blerë vendin e quajtur Plesh për tri bucela me verë. Priftërinjtë e manastirit të Shumbrisë në Tetovë pretendojnë se vendi i takon kishës. Në procesin gjyqësor, ku akuzohet Progoni dhe ku akuzojnë priftërinjtë, të cilët e kanë pushtetin, siç ndodh në mesjetë, janë thirrur edhe dëshmitarë. Ata dëshmojnë në dobi të manastirit. Për këtë proces gjyqësor dimë aq sa shkruajnë dokumentet mesjetare. Dimë se arbanasi e ka humbur procesin gjyqësor.

Dimë se prona i është kthyer kishës. Dimë se manastirit të Tetovës i kanë falur prona edhe arbanasët, ndonëse trajtohen si popullatë e rangut të dytë. Në mesin e dhuruesve është një tjetër Progon, por edhe një Pard ose Bardh, një Domniko, një Gjin. Në shkresa apo krisobula zhupanësh serbë vetëm arbanasëve dhe vllehve u ndalohet shfrytëzimi i pyjeve, sepse ato kanë kaluar në pronësi të shtetit, pronarit (vlastelinit) ose kishës. Por shqiptarët nuk jetojnë vetëm në pjesët malore. Ata janë edhe pjesë e katundit, që ka filluar të quhet qytet. Aty kanë prona. Njëri prej tyre është Progoni, ndaj të cilit zhvillohet një proces i madh gjyqësor.

Çështja ka shkuar shumë larg. Është kërkuar ndërhyrja e arqipeshkvit të Prizrenit. Tetova dhe Prizreni lidhen me një rrugë të mirë, e cila kalon nëpër qytetin mesjetar, Leshkë, i njohur edhe si Legjend, “qytet i qelqtë”, “qytet i kristaltë”, “qytet i Zotit”, “qytet i latinëve”. Pastaj kjo rrugë ngjitet drejt një vendi që quhet Plloçë, pranë bjeshkës, ku ka një tjetër vendbanim. Pas pak fillojnë të duken katundet e Prizrenit. “Ati shpirtëror” edhe i Pollogut, arqipeshkvi i Prizrenit, Georgi Markushi, me gjasë, ka arritur në Tetovë nëpërmjet kësaj rruge. Është vjeshta e tretë e vitit 1282/3. Ai shoqërohet nga kir Kaliniku dhe nga disa priftërinj të tjerë. Pra, është një proces i rëndësishëm gjyqësor, ku dëshmojnë edhe disa pleq. Njëri prej tyre, i quajturi Pribisllav, është “njeri i Markushit” (Markush çelovjek), siç thuhet në dokumentin mesjetar.

Pleqtë, që mbajnë anën e kishës, thonë se vendi i quajtur Plesh, i shfrytëzuar nga katër vëllezër dhe i blerë nga Progoni, dikur kishte qenë pronë e manastirit. Kështu thotë edhe prift Aleksi, vëllai i peshkopit me emrin Vllah. Shënime mban Nikolla, me gjasë nga Reçica e Tetovës, ku ai ka pasur disa prona që ia ka falur manastirit të Tetovës. Në dokument kanë hedhur firmën priftërinjtë: Kaliniku, Manol Parela, Runzeri, Sevlada, Androniku dhe plaku Bratan. Sipas ligjeve të reja askush nuk ka të drejtë që të blejë pronë të ndonjë manastiri. Blerësit jo vetëm që i merret prona, por duhet të paguajë edhe 500 perperë, që është një gjobë shumë e madhe. Për shqiptarët dhe vllehtë, madje, ka ndëshkime të veçanta.

Shumëçka mbi këtë proces gjyqësor nuk do ta mësojmë asnjëherë për  mungesë dokumentesh. Dimë se në procesin gjyqësor të shekullit XIII Progonit i është marrë prona, por sot ndërhyn në gjyqin e historisë. Nëpërmjet emrit të tij dëshmohet se arbanasët ishin popullatë ndenjëtare në këtë rajon, ndryshe nga çfarë thonë disa historianë, që i paraqesin ata si popullatë shtegtare, si blegtorë. Termi “arbanas” do të thotë “arëbërës”. Pra lidhet me bujqësinë e jo me blegtorinë. Guilemi nga Tyrosi, në vitin 1168, shkruan se serbët jetonin nëpër kodrina e male dhe nuk dinin çfarë ishte bujqësia. Kjo asnjëherë nuk u ka pëlqyer historianëve serbë, që e kanë krijuar mitin për serbët si bujq dhe shqiptarët si blegtorë, sepse bujqësia pason pas blegtorisë, sepse paraqet stad më të zhvilluar social, sepse duan t’i paraqesin serbët si popullatë ndenjëtare, kurse shqiptarët vetëm si blegtorë, pra si popullatë shtegtare.

Shekulli XXI. Historianët vazhdojnë ta konsiderojnë historinë si “shkencë kombëtare”. Ata duan të sigurojnë legjitimitet historik mbi territoret që dikur zhupanët serbë i kishin plaçkitur (siç bëri Volkani në shekullin XI), që i kishin shkatërruar e pushtuar (siç bëri Nemanja në shekullin XII), që i kishin shpërfytyruar (siç bëri Car Dushani, në ushtrinë e të cilit kishte edhe shumë “arbanensis”). Në emër të historisë sërish thuren marrëzira të reja. Historia sërish bëhet shkollë vrasjesh. Ajo korrigjohet. Ende ushqehet bisha e armiqësisë dhe e urrejtjes në emër të së kaluarës. Ende kremtohen “humbjet e lavdishme”.

“Kur historia lartësohet në nivele romantike, ajo bëhet shkollë vrasjesh. Në Gjermani bënë roman nga historia dhe e pamë se çfarë ndodhi! Mua më pëlqen qasja franceze mbi historinë, sepse ka doza humori. Të kaluarën e largët duhet ta shohim si fëmijërinë e hershme, nisur nga pozita e një të rrituri, e një njeriu me përvojë. Do të doja ta veçoj këtë qasje dhe ta vë në veprim edhe tek ne, për sa kohë disa shkrimtarë jo vetëm rus, por përgjithësisht disa shkrimtarë sovjetikë, kanë filluar ta bëjnë historinë aq romantike sa ajo shpie deri tek nacionalizmi dhe shovinizmi; shpie deri tek mjerimi nga i cili vuajnë të gjithë. Historinë, të kaluarën, nuk duhet ta shikojmë me krenarinë se të parët tanë para dy mijë vjetësh kanë pësuar humbje nga ndonjë fqinj. Kjo është njëjtë sikurse sot grekët t’i urrenin persët vetëm pse në Termopile u vranë heronjtë e tyre! Këtë gjak dhe urrejtje nuk duhet ta mbartim në kohë tjetër. Kjo nuk është e domosdoshme. Kishte periudha kur të parët tanë ishin barbarë, por kishte edhe të urtë, kishte poetë e filozofë. Edhe ata kanë qeshur, kanë hëngër, kanë pirë, kanë dashuruar, sikurse ne. Këtë duhet pranuar me urtësi dhe kështu duhet vepruar”, thotë shkrimtari Olzhas Sulejmenovi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button