fbpx

Ditët e Mediave BE-Ballkani Perëndimor: Liria e mediave thelbësore për aderim në familjen evropiane

Në organizim të Komisionit Evropian (KE), në Podgoricë të Malit të Zi është duke u mbajtur konferenca më e madhe e mediave të Ballkanit Perëndimor. Konferenca e cila zhvillohet për herë të tretë, ka vënë në pah problemet me të cilat ballafaqohen mediat në rajon, sfidat dhe zgjidhjet e mundshme që të funksionojnë të lira dhe të pavarura, me këtë dhe të mbajnë gjallë demokracinë në vendet që kanë dalë nga komunizmi, njofton Portalb.mk që përcjell nga vendngjarja konferencën.

Konferencën e hapi komisari në largim, për zgjerimin e Bashkimit Evropian, Johanes Han i cili theksoi se sigurimi i lirisë së mediave është thelbësore për anëtarësimin e shteteve në Bashkimin Evropian.

Johanes Han

“Ky mesazh i yni është i qartë si kristali. Nuk mund të keni përparim në rrugën drejtë Bashkimit Evropian duke mos i respektuar liritë e mediave dhe lirinë e shprehjes”, tha ai mes tjerash në një videomesazh drejtuar ta pranishmëve.

Ministri i Kulturës së Malit të Zi, Aleksandar Bogdanoviç
Ministri i Kulturës së Malit të Zi, Aleksandar Bogdanoviç

Më tej, fjalim mbajti ministri i Kulturës së Malit të Zi, Aleksandar Bogdanoviç i cili tha se, është e papranueshme që edhe në ditë të sodit gazetarët arrestohen, keqtrajtohen madje dhe vriten. Këtë gjë, tha ai, patjetër ta ndryshojmë.

Kristian Danielson, drejtor për fqinjësi dhe negociata për zgjerimin në Komision Evropian deklaroi se, konferenca ka dy qëllime kryesore:

  • të vë në pah shqetësimet më të mëdha për trysnitë politike dhe të natyrave të tjera që mediat dhe gazetarët i përjetojnë si dhe
  • të hap debat të orientuar në gjetjen e zgjidhjeve kualitative për këto probleme.
Kristian Danielson, drejtor për fqinjësi dhe negociata për zgjerimin në Komision Evropian

“Është tani koha që partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor të zhvillojnë reforma serioze në sektorët e medias dhe me këtë të dëshmojnë përkushtim kredibil ndaj vlerave dhe standardeve evropiane. Liria e mediave dhe liria e shprehjes janë themelet e ndërtimit të Bashkimit Evropian. Nuk ka negociata me BE-në pa mos i garantuar të njëjtat” tha ai.

Danielson tha se nga viti 2014 – 2020, BE-ja ka dhënë 20 milion euro për të mbështetur mediat në Ballkanin Perëndimor.

Në panelin kryesor me gazetarë me temë: “Sigurimi i lirisë së mediave dhe qëndrueshmëria e mediave të pavarura në Ballkanin Perëndimor” u fol për vetëfinancimin e mediave si parakusht për pavarësinë e tyre.

Paneli “Sigurimi i lirisë së mediave dhe qëndrueshmëria e mediave të pavarura në Ballkanin Perëndimor”

Mediat nuk janë të pavarura dhe kanë probleme me qëndrueshmërinë tha Marija Ristiç, gazetare nga BIRN Serbi.

“Mediat punojnë në një ambient shumë armiqësor ndaj tyre. Nuk kemi treg të lirë andaj nuk ka dhe vetqëndrueshmëri. Gazetarët kanë tre lloj trysnish: politike, financiare dhe juridike. Janë vetëm donatorët ndërkombëtar që mbajnë gjallë mediat e pavarura që nuk janë të kapur nga politika” tha ajo.

Genoveva Ruiz Calavera nga Drejtoria për Zgjerim e Komisionit Evropian ceki ndihmën konkrete të Bashkimit Evropian në këtë dekadë në sektorin e mediave.

“Është me rëndësi se tani zyrtarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor të paktën e kanë kuptuar realitetin që ne e shënojmë nëpër raportet e progresit për çdo shtet. Ata e dinë se hapja e negociatave me BE-në është drejtpërsëdrejti e ndërlidhur me reformat për demokratizim të vendit. Dhe nuk ka demokraci pa mediat e lira”, tha mes tjerash Calavera.

Ajo theksoi se është e rëndësisë së veçantë që gazetarët të jenë të sigurte kur punojnë dhe se shtetet duhet tua sigurojnë këtë atyre si dhe hapësirën për zhvillim të modeleve të suksesshme të biznesit që mediat të jenë të pavarura.

“Ditët e medias BE-Ballkani perëndimor 2019”
“Ditët e medias BE-Ballkani perëndimor 2019”

Kurt Basuener nga Universiteti St Andrews foli më gjatë për ndikimet e huaja në vendet e Ballkanit Perëndimor, posaçërisht për ndikimin rus, turk dhe kinez. Ai tha se këto vende autoritare kanë dëshirë të sundojë kaosi, korrupsioni dhe demokracia e brishtë, që kështu më lehtë të zhvillojnë ndikimin e tyre në këto vende.

“Mediat janë një mënyrë e fuqishme për ndikim në vendet e Ballkanit Perëndimor. Këtë e bëjnë së bashku me elitat udhëheqëse në këto vende, dhe largojnë shtetin nga reformat dhe vlerat evropiane” tha mes tjerash Basuener.

Konferenca e llojit të tillë, që u nis në 2017, ka për qëllim të sigurohet që liria e mediave të mbetet prioritet në ballafaqimin me çështjet e ndërlikuara politike, ekonomike dhe sociale që i përjeton rajoni për momentin

Nesër konferenca do të përfshijë në një debat përfaqësues politik nga rajoni përgjegjës për sektorin e mediave dhe informatave në panelin “Politikat dhe mediat”. Nga Maqedonia e Veriut merr pjesë ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski.

Konferenca, vitin e kaluar është organizuar në Shkup. Ndërkaq një vit para saj në Tiranë.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close