Trump: Bisedimet me talibanët janë të vdekura

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se bisedimet me talibanët, për t’i dhënë fund luftës 18-vjeçare në Afganistan, janë “të vdekura”.

“Sa më përket mua, ato janë të vdekura”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Në fundjavë, presidenti amerikan e anuloi një plan sekret për të pritur një delegacion të talibanëve në SHBA, pasi grupi militant pranoi se ka vrarë një ushtar amerikan, transmeton REL.

Dy palët janë dukur se janë pranë një marrëveshjeje dhe talibanët kanë thënë se SHBA-ja “do të humbasë më së shumti” nga anulimi i bisedimeve.

Trump e ka bërë tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani prioritet në politikën e jashtme. Por, i pyetur për 14,000 ushtarët amerikanë që ndodhen ende atje, Trump tha:

“Do të donim të dilnim, por do ta bëjmë këtë në kohën e duhur”.

Trump u kritikua për mundësinë e pritjes së talibanëve në SHBA, vetëm disa ditë para përvjetorit të sulmeve të 11 shtatorit.

Megjithatë, presidenti e mbrojti idenë, duke thënë se takimet janë një gjë e mirë dhe jo një gjë e keqe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button