Nye: Shekulli amerikan (I)

Nye është politolog amerikan, bashkëthemelues (me R. Koehane) i teorisë neoliberaliste në marrëdhëniet ndërkombëtare, të cilën e ka zhvilluar në veprën Fuqia e ndërvarësisë. Ish-dekan i Kennedy School of Government të Harvardit, shkollari më me ndikim i politikës së jashtme amerikane, i shpallur më 2011 nga Foreign Policy si një nga 100 mendimtarët më të fuqishëm të botës.Është autor i The Power to lead, The Future of Power etj. Në këtë shkrim do të japim një sekuencë nga përkthimi ynë i librit të Joseph Nye Jr. që këtyre ditëve pritet të dalë nga botimi: A i ka ardhur fundi shekullit amerikan (Logos-A, 2019).

[Gjatë viteve të fundit anketat kanë treguar se shumica e të anketuarve në 15 nga 22 vende të përfshira në studim, kanë pohuar se Kina ose do ta zëvendësojë Amerikën, ose tashmë ia ka zënë vendin si fuqi udhëheqëse e botës. Një studim i Pew-it, i vitit 2014, na thotë se 28 % e amerikanëve mendojnë se vendi i tyre “ka epërsi mbi vendet e tjera”, krahasuar me 38 %-in e vitit 2013. Ndoshta. Mark Twain-i thumbon edhe në këtë mënyrë: “Raportimet mbi vdekjen time janë goxha të ekzagjeruara.”

Pas pavarësisë amerikane në shekullin e tetëmbëdhjetë, politikani britanik Horace Walpole ndiente keqardhje se Britania qe tkurrur deri në përmasat e Sardenjës. Në fakt, Britania po transformohej nga Revolucioni Industrial, që krijoi shekullin e saj të dytë si fuqi globale. Nga mesi i viteve 1980, një ekonomist i MIT pyeste se përse “sot po rrëshqasim tatëpjetës pas rreth 50 vitesh?”, ndonëse perandoria britanike ka zgjatur dy shekuj. Në prag të shembjes së Bashkimit Sovjetik, kur Amerika mbeti superfuqia e vetme e botës, librat më të shitur e krahasonin gjendjen e Amerikës me atë të rënies së Filipit II të Spanjës. Dhe kur Shtetet e Bashkuara u bënë fuqia e vetme në një botë njëpolëshe, një prej studiuesve më në zë të shkencave politike parashikonte një fund që do vinte shpejt. Me shembuj të tillë paralajmërues na duhet të shprehim modesti për sa i takon gjetjes së përgjigjes për pyetjen e shtruar në titullin e këtij studimi.

Nëse dikush e përkufizon si shteti me ekonominë më të madhe, shekulli amerikan përkon me shekullin e njëzettë, duke arritur kulmin në mes të shekullit, dhe do të përfundojë diku në dhjetëvjeçarin e ardhshëm, kohë kur analistët presin që Kina t’ia kalojë Amerikës si ekonomia e parë e botës. Duke shfrytëzuar kriterin  e njohur si “pariteti i fuqisë blerëse”, një njësi e Bankës Botërore beson se Kina ia ka kaluar tashmë Amerikës në prodhimin e brendshëm bruto (GDP). Projeksionet e tjera që masin ekonomitë sipas normave të këmbimit të valutave të tyre, tregojnë se Kina do të shndërrohet në ekonominë më të fuqishme botërore brenda një dekade. A nënkupton kjo se do të jemi dëshmitarë të fundit të shekullit amerikan?

Jo domosdoshmërisht. Pushteti është aftësi për të ndikuar te të tjerët me qëllim përmbushjen e qëllimeve vetjake, dhe në këtë drejtim shfaqen tre rrugë: përmes trysnisë (shkopinjtë), përmes pagesës (karrotat) dhe përmes tërheqjes ose bindjes. Shkopinjtë dhe karrotat janë forma të pushtetit të fortë, kurse tërheqja dhe bindja quhen pushtet i butë. Të gjitha këto dimensione të pushtetit janë të rëndësishme, ndaj dhe kjo është arsyeja se përse nuk mjafton vetëm pushteti ekonomik për të përkufizuar shekullin amerikan. Për shembull, kur Shtetet e Bashkuara u bënë fuqia më e madhe ekonomike në fund të shekullit nëntëmbëdhjetë, nuk trajtoheshin si një lojtar madhor në ekuilibrin global të forcave, derisa presidentët Theodore Roosevelt dhe Woodrow Wilson investuan pjesë nga fuqia ekonomike në burime ushtarake. Për më tepër, qoftë edhe kur një shtet zotëron burime të mëdha fuqie, ai prapëseprapë mund të ketë aftësi të dobëta për transformimin e fuqisë, ashtu siç tregoi vetë Amerika në vitet 1930, kur ishte ekonomia më e fuqishme, ndërkohë që ndiqte një politikë izolacioniste. Atëherë kur Kina t’ia ketë kaluar Amerikës në vëllimin e përgjithshëm ekonomik, ne nuk do të dëshmojmë automatikisht fundin e shekullit amerikan nëse kemi parasysh tre dimensionet: atë ekonomik, ushtarak dhe pushtetin e butë. (Për më tepër, siç do të shohim më poshtë, sasia e përgjithshme e BPV-së përbën vetëm një aspekt të fuqisë ekonomike.)

Përkufizimi dhe përcaktimi i kohështrirjes së shekullit amerikan mund të bëhet më së miri jo vetëm duke u bazuar te burimet e fuqisë, por edhe te mënyra se si i ka përdorur Amerika këto burime për të ndikuar në ekuilibrin global të forcave.] (vijon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button