Na ishte një herë…

Na ishte një herë një shtet ku partia në pushtet funksiononte si organizatë kriminale. Maja e kësaj partie kishte kontroll absolut tek të gjitha institucionet shtetërore dhe veçanërisht tek ato gjyqësoret, për të cilën arsye shteti u karakterizua si i kapur ndërsa institucionet si të robëruara. Gjatë përzgjedhjes së gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve ose nëpunësve tjerë, nuk kishte rëndësi cilat ishin meritat e aplikantëve por cili prej tyre ishte më i përshtatshëm për partinë. Edhe gjatë përzgjedhjes së të dyshuarve, të akuzuarve dhe të dënuarve, me rëndësi ishte se a janë ata persona “tanët” ose jo. Dhe kështu thurej fati i tyre i mëtejshëm, të drejtat dhe liritë e njeriut humbeshin ose fitoheshin në bazë të lidhshmërisë partiake, përmes të cilës lidhshmëri rregulloheshin ose prisheshin të gjitha punët tjera.

Në këtë shtet të çuditshëm ku partia në fjalë vazhdonte të korte suksese të mëdha në çdo cikël zgjedhor u publikua një skandal i madh përgjimi, ku e gjithë ajo që u përshkrua më lartë doli në shesh. Kështu, u zbulua si fitoheshin zgjedhjet, si organizohej votimi, si pengoheshin kundërshtarët të dalin në votime, si prisheshin ashensorët në ditën e votimit për t’i pamundësuar pleqtë “e papërshtatshëm” të votojnë, si e gjithë Ministria e Punëve të Brendshme ishte shndërruar në shtab partiak, si “rregulloheshte” problemi i kundërshtarëve politikë, si montoheshin procese gjyqësore dhe mbi të gjitha, si vidheshin shumë para dhe përgjoheshin vazhdimisht qytetarët.

Kur doli ky skandal i cili zbuloi indicie për vepra të rënda penale, prokuroria e shtetit refuzoi që këto vepra ti hetonte dhe t’i ndiqte penalisht, gjë që vërtetoi pikërisht atë që u tha më herët, që shteti ishte i kapur dhe institucioni i prokurorisë publike i robëruar dhe tërësisht në shërbim të partisë në pushtet. Për këtë arsye u formua institucion special, prokurori e veçantë që do t’i ndiqte pikërisht veprat penale që u publikuan tek përgjimet dhe vetë veprën penale të përgjimit të paligjshëm në përgjithësi. Ky institucion dhe kreu i saj mori përkrahjen më të madhe nga të gjithë drejtësidashësit në vend si dhe nga të gjithë përkrahësit strategjikë të ardhmërisë evropiane dhe properëndimore të vendit.

Kulminacioni i ngjarjeve ishte periudha kohore kur mafia në pushtet u mundua ta pamundësojë juridikisht punën e prokurorisë speciale përmes faljeve që Ivanov i dha në 2016. Pasi kjo nuk pati sukses, në vitin 2017 mafia në pushtet u mundua në mënyrë fizike ta pamundësojë ndryshimin e pushtetit, krijimin e qeverisë së re dhe krijimin e kushteve më të përshtatshme që drejtësia të funksionojë. Edhe kjo nuk pati sukses, grushtshteti u tejkalua, paksa me gjak, por të gjithë shpëtuan të gjallë, qeveria e re u krijua dhe PSP vazhdoi punën.

Në çdo kompozicion letrar peripecia është zakonisht ajo kthesa e papritur pas kulminacionit që i jep kahje tjetër ngjarjes dhe fillon ta drejtojë atë drejt shthurjes së veprimit. Peripecia në këtë përrallën tonë ndodhi kur vetë prokurorja speciale, kreu i PSP, personi më kryesor në shtet të cilën e vizitonte edhe Stoltenberg gjatë çdo vizite të tij këtu, vendosi të kalojë në anën tjetër të ligjit dhe, siç duket, të korruptohet për para. Populli ka thënë “Atë që ta bën koka, s’ta bën dot askush”. Atë që nuk arritën ta bëjnë Gruevski, Ivanov dhe e gjithë VMRO bashkë, e bëri vet Katica. Ajo ishte e paprekshme dhe në krye të një institucioni tërësisht autonom, puna e të cilit ishte vetëm të hetojë dhe denoncojë krimin e bërë në këtë shtet, e të cilin krim prokuroria e rregullt nuk dëshironte ta hetojë. E megjithatë, ajo vendosi t’i lejojë një sharlatani jo vetëm ti blejë mobilie të shtrenjta por edhe ta bëjë atë ndërmjetës në rregullimin e statusit të dëshmitarëve e të dyshuarve në rastet që ajo udhëhiqte. Dhe e gjithë kjo, normalisht u zbulua, në një skandal po aq të madh që e dridhi sërish gjithë shtetin.

Dhe ja ku erdhëm tek shthurrja e veprimit me deklaratën e djeshme të prokurores speciale, të dhënë nga paraburgimi, me të cilën deklaratë ajo pajtohet që të gjitha rastet e PSP të kalojnë në ndjekje të prokurorisë së rregullt. Kjo ishte mënyra më e shpejtë dhe më e lehtë që pa labirinte të tjera juridike dhe improvizime të radhës, rastet të vazhdojnë të ndiqen pa u prolonguar dhe pa u vjetruar. A ka të drejtë ta bëjë këtë ligjërisht prokurorja speciale? Po ka të drejtë, sepse një gjë të tillë parasheh shprehimisht Ligji për PSP. A ka të drejtë prokuroria e rregullt t’i ndjekë këto lëndë? Po, prokuroria e rregullt ka të drejtë dhe kompetencë të ndjekë secilën lëndë. Dhe megjithatë, për vetë prokuroren speciale ky është momenti i vetëvrasjes juridike, përfundimi i pashmangshëm i saj që nga momenti kur vendosi të bëjë hapin drejt amoralitetit të quajtur korrupsion dhe me atë hap ta tërheqë pas vehtes edhe fatin e krejt institucionit PSP. Juridikisht, ky është momenti kur Ana Karenina përfundon poshtë trenit.

Përfundimi i gjithë kësaj sërish mund të mos jetë i përshtatshëm për VMRO-në por edhe për të gjithë të akuzuarit ose të dyshuarit tjerë të PSP, e ndërkaq shpresëdhënës për të gjithë të tjerët. Sepse në kushte kur prokuroria e rregullt është jo vetëm kompetente por edhe e interesuar të ndjekë krimet e të dyshuarve, atëherë bien në ujë shpresat se me fundosjen e PSP do të fundoset edhe përgjegjësia penale për të pabëmat e tyre. Tani që PSP del nga loja, bien të gjitha arsyetimet ligjore me të cilat VMRO-DPMNE por edhe subjekte tjera mundohen ta pengojnë sjelljen e Ligjit për Prokurorinë Publike ku statusi i PSP tani më nuk është çështja kryesore. Cili do të jetë arsyetimi për ta penguar sjelljen e këtij ligji tani? Me cilat arsye do i elaborojnë kërkesat e tyre për të mos u përgjigjur penalisht për të kaluarën? Ishte problemi tek Katica? Ajo iku në paraburgim. Pastaj me atë në paraburgim problem ishte kompetenca juridike e ndihmësve të saj. Tani edhe ky problem u zgjodh. Tani cili do të jetë problemi i radhës? Që kemi në fakt prokurori të rregullt? Mos ndoshta do të kërkojnë që për 5 vitet e ardhshme asnjë lloj prokurorie të mos funksionojë në këtë shtet, dhe atëherë të nisim nga e para?!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button