fbpx

Rishikimi i buxhetit shkurton investimet kapitale për 50 milionë euro

Ekspertët e ekonomisë theksojnë se realizimi i investimeve kapitale në Maqedoninë e Veriut duhet të mbikëqyret nga një komision i ekspertëve të pavarur, nëse dëshirojmë që ato të realizohen sipas dinamikës së projektuar në fillim të vitit, njofton REL.

Këto komente vijnë pasi Qeveria në mbledhjen e saj ka paraparë që të shkurtohen rreth 50 milionë euro të destinuara për investimet kapitale nga 422 milionë euro në 372 milionë euro.

Mjetet e planifikuara për investimet kapitale shkurtohen në infrastrukturën hekurudhore, infrastrukturën e ujësjellësit, zhvillimin rural, si dhe përmirësimi i infrastrukturës së objekteve arsimore dhe shëndetësore në rajonin e Kërçovës dhe Shtipit.

Ndryshe, në bazë të projeksionit të buxhetit për vitin 2019 ishin planifikuar 422 milionë euro për investime kapitale, por brenda 7 muajve janë realizuar vetëm 100 milionë euro për realizmin e projekteve kapitale që nuk arrin as çerekun e investimeve të planifikuara në fillim të këtij viti.

Alaudin Zeqiri, ligjërues në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tetovës, për Radion Evropa e Lirë thotë se realizmi i investimeve kapitale në masë të madhe dështon si rrjedhojë e procedurave të komplikuara juridike që duhet plotësuar para realizmit të investimeve.

“Medoemos duhet të bëhet një intervenim që do të thotë në aspektin juridik, që procedurat që kanë të bëjnë me realizmin e projekteve kapitale të jenë më të thjeshta dhe jo aq të komplikuara. Pra, kemi ngecje në realizmin e projekteve kapitale, duhet thjeshtësuar proceduarat për realizmin e projekteve kapitale, kjo mund të arrihet përmes intervenimeve ligjore”, vlerëson Alaudin Zeqiri, ekspert për çështje ekonomike.

Nga Qeveria janë shprehur me optimizëm se procesi i investimeve kapitale do të marrë hov në fund të këtij viti.

Ndërkohë, një pjesë të mjeteve janë ridestinuar për subvencionimin e rritjes së pagave në sektorin privat, edhe atë 400 milion denarë, si dhe 200 milionë denarë të tjera janë destinuar për masa aktive për punësim.

Me ribalancin e buxhetit parashihen mjete shtesë për mbështetje të bujqësisë, 193 milionë denarë për blerjen e ilaçeve për sëmundje të rralla dhe insulinë, 193 milionë denarë për mbrojtje të sistemit të kolektorëve në Liqenin e Ohrit, si dhe për pagesën e kthimit të TVSH-së.

“Janë paraparë 200 milionë denarë shtesë për politika dhe masa aktive si mbështetje për punësimin, veçanërisht për mbështetje të të rinjve për punësimin e tyre në prodhimtari, por edhe nën masat gjithëpërfshirëse për vetëpunësim, para së gjithash për të rinjtë”.

“400 milionë denarë janë të dedikuara për subvencionimin e kontributeve nga sigurimi i obligueshëm social i ndërmarrjeve të cilat do t’i rrisin pagat e të punësuarve të tyre deri në 100 euro”, ka bërë të ditur kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Por, partia maqedonase në opozitë VMRO DPMNE ka akuzuar kreun e Qeverisë Zoran Zaev dhe ministren e Financave se rishikimi i buxhetit aspak nuk ka të bëjë me politika zhvillimore për rimëkëmbjen e ekonomisë së shtetit duke vënë theksin në dështimin e realizmit të projekteve kapitale.

Nga arka e shtetit, gjatë vitit të kaluar, mbetën pa u shfrytëzuar rreth 200 milionë euro të cilat ishin paraparë për investime kapitale.

Një pjesë e këtyre mjeteve edhe atë 50 milionë euro me rishikimin e buxhetit u ridiestinuan për shlyerjen e borxheve që kishin komunat.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close