Shumica dhe opozita ende s’janë marrë vesh për PSP-në, s’ka diskutim në Komisionin Juridik-ligjvënës

Nuk është zhvilluar leximi i dytë i Ligjit për Prokurori Publike në Komisionin Juridik-ligjvënës të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), për shkak se ende nuk janë krijuar kushte për të njëjtën, gjegjësisht nuk është arritur marrëveshje mes partive politike, transmeton Portalb.mk.

Kryetarja e Komisionit, Sonja Mirakovska e ndërpreu seancën pasi u miratua rendi i ditës.

“Besoj se dallimet do të tejkalohen. Bisedimet janë duke u udhëhequr në atmosferë të shkëlqyeshme, për çfarë mendoj se do të arrihet marrëveshje”, tha Mirakovska.

Që të miratohet Ligji, duhet 2/3 e votave të numrit të përgjithshëm të deputetëve, gjë për të cilën shumica dhe opozita për gjysmë viti janë duke zhvilluar negociata. Opozita, VMRO-DPMNE-ja kundërshton propozimin që në krye të PSP-së së ardhshme të jetë shefja e Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit, Villma Ruskovska.

Procesi i negociatave për tejkalimin e dallimeve për Ligjin për Prokurori Publike, dje ka përplasur liderin e partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski dhe ministren e Drejtësisë, Renata Deskoska. Mickoski në konferencë për media ka kritikuar Deskoskën se, po e bllokon procesin e negociatave, dhe ka kërkuar që ajo të japë përgjegjësi, për shkak të siç tha ai, pozicionit të saj politik. Ndërkaq, Deskoska deklaratën e Mickoskit e ka vlerësuar si perceptim të shtrembëruar, dhe e ka ftuar që t’i shqyrtojë pozicionet partiake të cilat i përfaqëson.

Edhe përskaj dallimeve të tjera që ekzistojnë, siç është rasti me statusin e lëndëve që dalin nga materialet e përgjuara – “bombat”, sërish nga partia në pushtet, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) janë shprehur optimist se deri më 15 shtator, kur është afati i fundit, Ligji për Prokurori Publike do të hyjë në fuqi dhe do të definohet statusi i PSP-së. Si LSDM-ja dhe partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kanë vlerësuar se, zgjidhja më e mirë është që Ligji të miratohet me konsensus në Kuvend.

Megjithatë, në rast të mosarritjes së konsensusit, shumica ka Plan B, i cili është hapi i fundit dhe më i padëshirueshmi, sepse siç deklaruan ditë më parë nga LSDM-ja, ajo nënkupton hartim të Marrëveshjes Përzhino 3, gjegjësisht ulje të të gjitha partive politike në një tryezë. Nga atje kanë vlerësuar se, seanca e Komisionit për Çështje Evropiane që u mbajt të enjten dhe pranimi i 10 amendamenteve, kanë dërguar porosinë që “është bërë përparim në negociatat për PSP-në”. Opozita shqiptare, Aleanca për Shqiptarët ka kritikuar mënyrën e zhvillimit të seancës së Komisionit, dhe siç deklaroi deputeti Syrija Rashidi, ajo “dëshmoi se ka pakt mes tri partive: LSDM, BDI dhe VMRO për ta zhbërë PSP-në”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button