Kusari-Lila: VV-ja nuk pranoi subjektivitetin e Alternativës, garojmë të vetëm

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila, ka bërë me dije se ka dështuar të arrijë koalicion parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ajo ka thënë se Vetëvendosje e pranoi vetëm që të garohet në listë të saj.

“Përderisa po afron afati i fundit për mundësitë e certifikimit të koalicioneve parazgjedhore, më lejoni të ju komunikojë se Alternativa NUK ka arritur marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje. Arsyeja e këtij rezultati është mospranimi i identitetit të Alternativës nga ana e VV-së”, ka thënë Kusari Lila.

“Nga komunikimet e mia direkte me Kryetarin e VV-së, Albin Kurti, dje jam njoftuar për herë të parë zyrtarisht, se pjesëmarrja jonë në zgjedhje në listë të përbashkët, kushtëzohet me inkuadrimin tonë në listë të VV-së pa shenja dhe emërtim zyrtar të Alternativës si pjesë e koalicionit”, ka shtuar më tej.

Kusari Lila ka thënë se Alternativa si parti e re ka kaluar dhe po kalon në sfida të ndryshme, por thotë se një ka qenë konsistente dhe mbetet gjithmonë për ne: të qëndruarit besnik vlerave dhe parimeve liberal demokrate.

“Njerëz të përkushtuar dhe profesionistë rrugëtojnë me ne në këtë identitet i cili nuk mund të humbet me kushtin e pjesëmarrjes në një listë zgjedhore. Ne jemi parti e vlerave shtetëndërtuese dhe mbesim të përkushtuar të punojmë për shtetin e Kosovës pjesë e familjes Evropiane”, ka thënë ajo.

Kusari Lila thotë se kanë besuar në krijimin e një blloku të përbashkët me synim ndryshimin e situatës aktuale në Kosovë.

“Asnjëherë dhe askënd nuk e kemi kushtëzuar me pozita në listë, me pozita në qeverisje pas zgjedhjeve dhe as me favore tjera në dëm të interesit të vendit. Të vetmen kërkesë legjitime dhe bazike e kemi, të jetë e njohur prezenca jonë në procesin zgjedhor dhe në partneritet me partitë tjera si dhe bashkërendimi i pikave programore për qeverisje”, ka thënë Kusari Lila.

Ajo ka thënë se oferta për koalicion kanë pasur edhe nga partitë tjera, por, ende nuk ka vendim për koalicion parazgjedhor.

“Në rastin e fundit dhe në mos mundësi të arritjes së një marrëveshje me njërën nga partitë e opozitës, ne jemi të përkushtuar të garojmë vetë me përkushtim të prezantimit të programit qeverisës progresiv dhe me bazë të qeverisjes me transparencë dhe llogaridhënie”, ka thënë ajo.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button