Vazhdojnë kërkimet në liqenin e Batllavës, familja rrëfen momentin tragjik (VIDEO)

Është dita e katërt që po kërkohet trupi i një 55-vjeçari, i fundosur të dielën në Liqenin e Batllavës, transmeton Koha.net.

Por, ekipet e zhytësve të FSK-së dhe Policisë ende nuk kanë arritur ta nxjerrin nga uji trupin e Shaban Shabanit nga Obiliqi.

Të mërkurën, gjatë operacionit të kërkimit, policia ka përdorur edhe një varkë me skaner.

FSK-ja thotë se kanë në dispozicion 15 zhytës, por se vështirësi gjatë kërkimeve po u shkaktojnë dukshmëria e ulët dhe thellësia e madhe e liqenit.

Familjarët kanë treguar për KTV-në se si ka ndodhur rasti.

Agim Shabani kërkon ndihmën e profesionistëve të zhytjes, të cilët do të mund t’i ndihmonin FSK-së në gjetjen e trupit të vëllait.

Mirëpo, pjesëtarë të FSK-së kanë thënë se aktualisht nuk kanë nevojë për ekipe shtesë.

Ka dy ditë që në lokacionin ku po zhvillohen kërkimet, ka dalë edhe zhytësi me përvojë 50-vjeçare, Ismajl Kasumi.

Kasumi, që ka nxjerrë nga ujërat 549 trupa të pajetë, thotë se për gjetjen e trupit të Shabanit duhet të përdoret një metodë tjetër.

Nëse gjetja e trupit vonohet, Kasumi thotë se do të angazhohet për gjetjen e tij.

Familjarët i kanë thënë televizionit se para disa vjetësh, Shaban Shabani e kishte shpëtuar nga mbytja një person, pikërisht në Liqenin e Batllavës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button