Sërish prangoset shpresa

Sa herë shkruaj a flas diçka në lidhje me vazhdimin dhe vonimin e (mos)hapjes së kufirit Llojan – Miratoc, më kapërthen një plogështi, një mërzitje e një bezdisje. Sidomos kur e mendoj arsyen e kësaj (mos)hapje, arsye kjo që nuk ekziston, madje as që doli deri më tani ndonjë “mashkull shteti” të na e thotë arsyen e arsyeshme, ngaqë edhe ata e dini se arsye nuk kemi fare. Mirëpo, pavarësisht mungesës së arsyes, “meshkujt e shtetit” vazhdojnë të veprojnë fuqishëm, sikurse ta kishin pasur ndonjë arsye tepër të fortë.

Dje, derisa të mbërthyer me lumturi dhe krekosje e përuronin shkrirjen e dy shtëpizave kufitare në një shtëpizë të vetme, kryeministri apo kryeministrja e Serbisë, pohoi se nuk ka të bëjë me politikën apo faktin që ajo zonë është e banuar me shqiptarë, por në aspektin ekonomik është e pa pranueshme dhe se për momentin nuk është prioritet i ynë hapja e kësaj pike kufitare, ndërsa si në shumë raste tjera, edhe në këtë rast kryeministri i RMV-së, luajti me mjeshtri rolin e konformizmit, apo thënë më qartë në rastin tonë, rolin e servilit. Kaq kishin për të thënë këta. Kaq na duan të mirën, apo thënë më qartë, kaq na duan të keqen këta.

Mirëpo, shtrohet pyetja më e logjikshme në lidhje me rastin në fjalë! Ku janë deputetët shqiptarë të njësisë zgjedhore numër 2, të cilët as më të voglën përpjekje nuk e bën që vendtrishtimi Llojan – Miratoc të trajtësohet në vendkalim. Ku është kryetari i komunës që u mjaftuan me lëshimin e disa pëllumbave të bardhë? Pse nuk është këmbëngulës dhe i zëshëm, por u mjaftua me një protestë të vetme dhe tepër simbolike? A nuk u vjen marre që me dekade pala sllave të luajë me ndjenjat dhe dinjitetin e shqiptarëve. Ata luajnë, ngaqë përfaqësuesit tanë janë në gjumë për sa i përket kësaj çështje, janë të zënë me interesa të tyre personale dhe partiake. Po ku është roli i qytetarëve në këtë rast? Si në shumë raste tjera, edhe në këtë rast qytetarin pasi e varfëruan e zgjodhën që t’i shërbejë politikanëve dhe assesi të ndodhë e kundërta. Nuk arsyetohet assesi roli i përgjumur i qytetarëve, por për fat të keq, ky është realiteti ynë i keq!

Një kryeministre apo kryeministër dhe një kryeministër shprehen se për shkaqe ekonomike nuk mund të bëjnë diçka konkrete. Duan të na thonë se na kanë shndërruar në mall aq të lirë saqë as një qindarkë nuk ia vlen të jepet për këtë mall. Ata nuk na shohin si njerëz, të cilët me lindjen tonë, përfitojmë edhe të drejtën për të lëvizur lirshëm e pamundimshëm. Atyre ju pengon pikërisht ajo që thanë se nuk ju pengon; ju pengon identiteti jonë andej dhe këndej gardhit të vendosur dhunshëm, përndryshe është jashtë çdo logjike dhe norme të ketë vijë kufitare mes për mes një populli të njëjtë.

Deputetët e njësisë zgjedhore numër dy janë: Rexhail Ismaili, Ejup Halimi dhe Afrim Gashi. Kurse kryetarë i komunës së Likovës është Erkan Arifi. Po nga kjo zonë janë edhe ministrat Sadulla Duraku dhe Arbër Ademi. Po jua përmendi emrat e tyre, ngaqë mund t’i keni harruar për arsye të mospunës së tyre në të mirë të qytetarëve apo votuesve të tyre.

Shkruan: Iljasa Salihu

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button