Tetovë: Komuna i ka siguruar mjetet për ndërtimin e bulevardit “V.S.Bato”, këshilltarët kërkojnë transparencë

Komunës së Tetovës i janë ndarë mjete nga Qeveria për vazhdim të ndërtimit të bulevardit “Video Smilevski – Bato” që është një ndër arteriet kryesore të komunikacionit për trafikun e stërngarkuar të Tetovës. Qeveria mjetet i ka siguruar nga Banka Botërore. Nga ana tjetër, Arif Selami, këshilltar nga Aleanca për Shqiptarët në këtë komunë kërkon që sa më shpejtë të shpallet tenderi dhe të fillojnë punimet, transmeton Portalb.mk.

Ministria e Financave, me mbështetjen e Bankës Botërore, ka ndarë 165 milionë denarë për 12 komuna për përmirësimin e shërbimeve komunale. Në Tetovë me kredinë prej 60,6 milionë denarëve do të vazhdohet bulevardi “Video Smilevski – Bato” që është një ndër arteriet kryesore të komunikacionit për trafikun e stërngarkuar të Tetovës.

Këshilli i Komunës së Tetovës më 16.05.2019, solli vendim për zbatimin e projektit kapital për ndërtimin e seksionit të ri të Bulevardit Vidoe Smilevski Bato në gjatësi prej 671m.

“Ky Projekt është me prioritet për Komunën e Tetovës, bulevardi që planifikohet të ndërtohet është i përfshirë në Planin gjeneral urbanistik dhe Planin detal urbanistik, si dhe në Strategjinë për zhvillim ekonomik lokal dhe Programin vjetor për trafik, rrugë dhe tokë ndërtimore. Vlera totale e Projektit MSIP është 60,640,956,97 denarë”” njoftojnë nga Komuna e Tetovës.

Projekti përfshin shtrirjen e Bulevardit ekzistues me të gjithë infrastrukturën e nevojshme:

  • Dy korsi me gjerësi 7m;
  • Trotoare me gjerësi 2.5m në të dy anët e rrugës;
  • Një zonë të gjelbërt me gjerësi prej 3m.
  • Linjën e furnizimit me ujë D 100 mm, me gjatësi prej 644.20m, e lidhur me rrjetin ekzistues të qytetit;
  • Kolektor për ujërat e shiut D 450 mm, i integruar me linjat ekzistuese, me gjatësi totale prej 623.25m;
  • Ndriçimi të rrugës me 26 shtylla me lartësi 12m të instaluar në zonën e gjelbërt.

Përveç përbërësve të lartëpërmendur, Komuna thotë se do të sigurojë shtrirjen e kolektorit të kanalizimeve të qytetit, shenjat e trafikut dhe shënimin e rrugëve.

Nga ana tjetër Arif Selami, këshilltar në Komunën e Tetovës thekson se është shumë e rëndësishme që sa më shpejtë të hapet tenderi dhe të fillojnë punimet.

“Qytetarët e Tetovës shpresojnë që Komuna e Tetovës është gati me dokumentacionin për tenderim pasi që ky projekt nuk është nga ky vit dhe për këtë shkak që nga dita e nesërme apo ditët në vijim i njëjti të mund të shpallet, që sa më shpejt të fillohet me punët në teren! Gjithashtu, për shkak të transparencës dhe llogaridhënies, do ishte shumë me rëndësi që menjëherë pas shpalljes së fituesit, të bëhet publike edhe dinamika kohore dhe kohëzgjatja e realizimit të këtij Projekti, gjë që nuk mbaj mend që është përjetuar në Tetovën e pluralizmit!?”, thekson Selami.

Sipas Komunës, bulevardi Vidoe Smilevski Bato është i rëndësishëm për trafikun në Tetovë, sepse siguron lidhjet midis tre rrugëve të rëndësishme nga dhe në Tetovë. Ky Bulevard lidh rrugën për në Shkup, Gostivar dhe Jazhincë.

LEXO: Debat i ashpër në këshill: Komuna e Tetovës do të kërkojë 1 milion euro nga Banka Botërore për ndërtimin e bulevardit “V.S.Bato”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button