GJURI

Një pasdite e ngrohtë verore, me një erëz që fryn butë nga Sharri.

Profesori plak ulur pranë një tavoline në trotuarin e bistros së parkut pi kafe dhe sodit mrekullinë e vargmaleve të Sharrit nga të cilat shkëlqen një kaltëri mahnitëse. Qetësi. Nuk shkon shumë, qetësinë e ndërpret një veturë luksoze që ndalet në parkingun aty afër. Del një njeri, diku tridhjet e pesë – dyzet vjeç dhe i drejtohet profesorit:

-Prof! O profi, ku t’xheta! – thotë.

Profesori pak i habitur e shikon. Një njeri i veshur me kostume të kafta me vija të bardha dhe me një kollare të hollë.

-Urdhëro! – i thotë profesori. Njeriu pa marrë leje e tërheq një karrige dhe ulet.

-A më njeh, o prof? Profesori e shikon. I duket një profil boksieri me hundë të thyer.

Pastaj pranë tyre kalon një motor duke lënë pas vetes zhurmën e madhe dhe tymin. Pak heshtje. Pastaj njeriu shton:

-A t’mteket “gjuri”, profi?

-Jo, s’më kujtohet.

-Kam qenë student yti. Hila jam. Që gjithmonë vija vonë në ushtrime.

-Po, po po më kujtohesh. Ke pasur flokë të gjatë.

-I kam pasur, po sot s’kam fare. Njeriu përsëri qesh. Dhe e përsërit pyetjen:

-A t’mteket “gjuri”, prof, t’pajta?

-Çfarë guri? Jo s’më kujtohet.

Hila vazhdon të qeshë. Pastaj profesori e pyet se ku jeton tash, çfarë punon, ndërsa Hila i thotë se e ka shpëtuar “gjuri”. Profesori e shikon me habi dhe shikimi i tij është pyetës.

-Patëm një herë ushtrime n’gramatikë – thotë Hila. – Ti m’thae ta lexoj ni tekst. Kur, tu lexau, mbrrajna te fjala “gur”, taj m’nale.

“Ndal, Hilë, ndalu këtu, m’thae,  ene më pajte xhit asht n’gramatikë kjo fjala gur. Une t’thashë se gjuri asht gjur, prof. Mirë, mirë, vazhdove taj. Po të pyes, o Hilë, çka është kjo fjalë në gramatikë. Jo çfarë është guri. Une, profi s’e disha.
Drita xhi ishte mas meje m’pëshpëriti: ‘Folje’! tha e une pa nja pa di ja krajsa: ‘Folje!’ thashë. Hajt zgjedhoma këtë folje, o Hilë! Unë s’e disha xhit asht zgjedhoma. U traukën ket studentat.  I najsha do t’çeshme, do t’hangarizme t’imta.
Masanej taj më thae: ‘Hajde, Hilë, nisja.’ Xhit t’ja najsi une i shkreti. Po taj thae: ‘Hilo, hajde thuj: unë…’. Unë e përsdita fjalën tande: unë… thashë. Masanej Drita… Dreç ishte Drita. Mas shpajne pëshpëriti: ‘unë gur’. Hajde lidhi fjalët, më thae taj. Unë thashë: ‘Unë gur’… Taj vazhdove: “Ti…”, Drita prapë m’pëshpëriti: ‘Ti gur’. Masi e para ishte unë gur, thashë vet me vejti, kjo duhet t’jese ‘ti gur’…
Drita m’bani rahat e thashë: ‘ti gur’. Jo, Hilo, jo! Nuk jam unë gur, m’thae taj, profi. Shko Hilë, merre morfologjinë e t’i mësosh këto gjera! Atëherë nga karrigia e fundit u ngrit Culi, demek nifarë mbrojtje t’um bahet, e tha: ‘Profi, unë kam qenë në Amerikë. Atje në fakultet nuk pyesin për gramatikë’.
Po, ia thkeve taj: Atje nuk pyesin se këto gjera atje i mësojnë mirë në klasën e tretë dhe të katërt fillore dhe në fakultet shkohet thellë në çështje teorike dhe në nxitjen e punës krijuese të studentëve. Masanej ora mbaroi. E, unë e pashë se s’jam për folje. Për gjurë, po. Dhe, mora udhën e gjurëve.
Shkova n’Evropë. Agje mcova si hapen tunelet. Sot e kam punën teme, firmën teme, për hapjen e tuneleve, punëtorët e maj. Mos ta zgjati shaum, gjuri mu m’shpëtoi, profi. Sot kam jetë shaumë t’majrë. Nuk e di si do t’ia kisha dalë me foljet!” tha Hila e qeshi.

Profesori e shikonte me pikëllim të përzier me njëfarë ngazëllimi. Vet me vete mendonte: e more Hilë ta dish ti sa “guri” janë bërë dr. mr… Asnjëri s’kanë qenë më të mirë se ti. Dallimi është se ti ke qenë e ke mbetur i ndershëm, për dallim nga ata.

Pa dashur Hilës i shkuan sytë te këpucët e profesorit. Pastaj e shikoi në fytyrë, e shikoi si është i veshur. Teshat të pastra, por të vjetra. I hodhi edhe një herë shikimin kah këmbët dhe në vend të këpucëve profesori kishte sandale të vjetra, të cilat i shkelte ngase i ishin prishur katramëzat. Pastaj Hila u prek dhe e pyeti, që ta ndërrojë rrjedhën e bisdës:

-Po si ja çon n’pension, o profi?

-Mirë – tha Profesori, por Hila ia dëgjoi dridhjen në zë. Pastaj Hila e shikoi në fytyrë.

Rrudhat e thella i dukeshin plakut si hulli në ballë, ndërsa sytë të mekur, nga të cilët shihej i qartë se jeta e kishte ngarkuar me barrë të madhe. U përsërit heshtja. Hila e thërriti kamerierin të pinë edhe diçka, pasi pagoi, me gjithë rezistencën e profesorit. Profesori tha se nuk mundte të pijë asgjë për shkak të shëndetit jo të mirë. Pastaj Hila u ngrit:

-Prajtëm nja di minuta, prof. – tha dhe u tret. Për dy minuta u kthye dhe e vendosi një lap- top në tavolinë. – Ki asht për taj, prof.

-Faleminderit, por me të vërtetë nuk ka nevojë. Unë u gëzova që më fole. Që të pashë. Kjo

është dhurata ime më e madhe. Se ka shumë studentë të tjerë, të mitë, që janë bërë drejtorë, prefektë, dr. e mr. e ku ta di se çfarë dhe kur kalojnë pranë meje bëhen sikur nuk më njohin. Dhe, ta dish, Hilë, ata as sot nuk i dallojnë emrat prej foljeve. Por as punë nuk bëjnë si ti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button