India e pezulloi për pak orë masën e rrethimit për Kashmirin

Masa e rrethimit të Kashmirit që kontrollohet nga India, e cila ka nisur pesë ditë më parë, do të pezullohet për disa orë, për shkak të lutjeve të së premtes.

Shefi policor i këtij rajoni, Dilbagh Singh, ka thënë për agjencinë e lajmeve, Associated Press se “njerëzit do të lejohen që të shkojnë në disa xhami për t’u lutur”.

Ai nuk ka dhënë detaje se për sa kohë do të pezullohet masa e rrethimit, mirëpo këto lutje fillojnë në mesditë dhe zgjasin rreth 20 minuta, transmeton REL.

Kashmiri i drejtuar nga India është duke u ruajtur nën masa të rrepta të sigurisë, derisa linjat e telefonit dhe internetit janë ndërprerë.

Qeveria e drejtuar nga nacionalistët në Indi, ka njoftuar më 5 gusht se do të anulojë statusin special për Kashmirin.

Ndërkohë në një paraqitje para popullit të enjten, kryeministri indian, Narendra Modi ka thënë se ky hap do t’i lejojë Nju Delhit që të largojë nga rajoni “terrorizmin dhe separatizmin”.

Për Kashmirin kanë pretendime si India ashtu edhe Pakistani.

Në anën e administruar nga India, rebelët kanë kryer kryengritje për disa dekada, pasi shumica e banorëve të kësaj ane të Kashmirit duan pavarësi apo bashkim me Pakistanin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button