Gjykata e refuzoi kërkesën e Prokurorisë: Nuk ka paraburgim për ish drejtorin e Regjistrit Qendror

Gjykatësi i procedurës paraprake, e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore Publike të Shkupit që t’i shqiptojë masë paraburgimi ish u.d. drejtorit të Regjistrit Qendror, Andreja Popovski, i cili u arrestua dje pasi që ka urdhëruar që një aktiviste të marrë rrogë për 3 vjet pa shkuar në punë. Në vend të paraburgimit, atij i janë shqiptuar masa të kujdesit, njofton Portalb.mk.

“Gjykatësi i procedurës paraprake e ka pranuar propozimin e mbrojtjes së personit i cili është sjellë në Gjykatën Penale të Shkupit, pas paraqitjes së Policisë Financiare, dhe i ka shqiptuar masë kujdesi. Në pajtim me nenin 146, pika 2,3 dhe 6, personi obligohet që të paraqitet në Gjykatë, përkohësisht i është marrë dokumenti i tij i udhëtimit dhe i është ndaluar që të ketë kontakt me persona të caktuar lidhur me veprën penale”, kumtuan nga Gjykata Penale.

Ndryshe, ashtu siç dje kumtoi Prokuroria, në periudhën prej 16.12.2014 deri më 29.05.2017, Popovski, kuadër i VMRO-DPMNE-së,duke tejkaluar autorizimet e tij, gojarisht ka urdhëruar që një e punësuar të evidentohet si rregullisht e pranishme në listat mujore që i ka përgatitur Sektori për Resurse Njerëzore, edhe pse ka qenë i vetëdijshëm se gjatë tërë kohës, e punësuara fare nuk do të vijë në punë, por do të angazhohet për aktivitete partiake.

Në kundërshtim me aktet ligjore dhe rregulloret e Regjistrit Qendror, Lista e tillë është dorëzuar deri te Sektori për Punë Financiare dhe Kontabiliteti dhe në bazë të të njëjtës të punësuarës në mënyrë të pabazë i është ndarë rrogë me çka është dëmtuar buxheti i Regjistrit Qendror.

Katër të punësuarit tjerë në Regjistrin Qendror, prej të cilëve 3 në Sektorin për Resurse Njerëzore dhe një person përgjegjës për Punë në Zyrën e Regjistrit të Rajonit të Shkupit, janë të dyshtuar se me paramendim i kanë ndihmuar u.d. drejtorit  në kryerjen e veprës penale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button