KUR ËSHTË BOLL?

“S’mund të jesh i lirë nëse s’e braktis në kohë atë që duhet braktisur”.

Është kjo një perlë me histori 2500 vjeçare e filozofit kinez Konfucie që ndërlidhet edhe me gjendjen tonë të sotme, kur njerëzit që i kemi në krye në shumë sfera të jetës (jo vetëm në politikë), që ua kemi dhënë besimin, janë çimentuar në pozitat, postet e tyre dhe s’ecin, s’largohen pa ia pësuar nga forca ose pa i marrë i Larti. Është për t’u habitur se si disa njerëz nga mishi e gjaku s’e kuptojnë të vërtetën se në një pozicion apo majë vijnë për të shkuar jo për të mbetur, jo për të qëndruar madje edhe me bastun e me diagnoza të rënda, kur shikuar moshërisht mund t’i quanim gerontokratë, senilë. Kanë arritur në një rang të lartë të piramidës jo për t’u bërë halë në sy, jo për t’i pështyrë në ekran e për t’i bërë për pesë pare në rrjetet sociale dhe prapë të mos marrin vesh.

Historia dhe sociologjia na mësojnë se shoqëritë kanë fazat e veta të zhvillimit, pra janë objekt i një ciklizmi (themelimi, ngritja, amullia, rënia dhe shpërbërja – [Ibh Khalduni, Spengler]) që nuk fal askënd, që përfshin çdonjërën prej tyre, pa dallime e qasje selektive. I ngjashëm është rasti edhe me njeriun: lind, rritet, forcohet, fronësohet, fillon të dobësohet, shfronësohet vetë ose e spostojnë të tjerët a Krijuesi, vdes e bëhet hi dhe në këtë botë i përhershëm mbetet kujtimi për të (i mirë a i keq). Kurse në botën tjetër: llogaria. Andaj, me siguri është më mirë që të vetëspostohet kur e lyp koha se sa të zbresin prej lart me metoda të tjera, t’ia shkelin dinjitetin dhe pastaj të jetojë në birucën e miut, duke mos e dashur as të dashurit e tij, duke u bërë bajat për të gjithë. Lëshimi i një kolltuku është gjëja më natyrale në jetë. Për këtë arsye “mos u dëshpëro nëse e humb postin, sepse dielli lind çdo mëngjes dhe në mbrëmje perëndon” (Platoni).
Dëshpërohu nëse ju ke dalë nga zemra njerëzve, nëse je bërë i tepërt në botën e tyre dhe secili të shtyn tejendanë e s’do që të jetë me ty, pranë teje, madje “s’do me t’i pa sytë”.

Vërtet sprova me pozitë, prestigj dhe nam është një nga sprovat më të rënda të jetës. Pasioni dhe marramendja pas posteve është një sëmundje aq e keqe që gjeneron veti negative si mendjemadhësia, babëzia dhe pangopësia. Njeriu që s’ia di hallin vetes edhe kur nisin t’i dridhen duart, kur kaplohet nga amnezioni dhe që ende ngre dorën lart, ende kandidohet, ende ka llafe për të thënë është një krijesë që ka humbur torruan, që s’i punon sahati. Gjithë tallen me të ndërsa ai ende kënaqet me haje-pije të bukura, përkundër rrudhave ende mendon se i ka hije kjo këmishë e ajo kollare, ende mendon se mund të thotë fjalë të mëdha e të fascinojë auditore, ende kujton se është atraktiv.
Çudi që s’shikohet në pasqyrë! I ka shijuar të tëra, madje nga mijëra herë, ka qenë baba, lider, drejtor, shef, kryetar, president, por s’i mjaftojnë, do edhe më, do që të bëhet i përjetshëm. Ndoshta do që të bëhet Zot, se s’i mjafton zotnillëku me z të vogël. E këtë s’e arrin kurrë. “Andaj bjeri në fije vetes o njeri, qofsh në moshë a i ri.” Edhe në valle duhet të dish kur të hysh e kur të dalësh. Kujtoni rastin Gadafi, ç’jetë parti e ç’e gjeti? Si përfndoi, edhe më i keqi në gyp të kanalizmit e shqelmoi. Po kujtoni edhe Michael Jordanin, Zidane-n që shkuan kur mund të luanin edhe shumë dhe mbetën yje përgjithmonë.

Pra, njeriu duhet të ikë me kohë e me nder. Po shihni presidentët amerikanë. Ata kur u skadon mandati i dytë merren luajnë golf (Ford), themelojnë fondacione (Clinton), pikturojnë (G.W. Bush). “Ti merru me poezi a peshkim. Shko në katund. Merru me bjeshkatari. Merru me nipër e mbesa. Falu e lutu. Mëkate kemi sa të duash. Pse mundohesh të mbash mbi shpinë atë që s’mund ta mbash. Ishe kur ishe për prijësi, për komandim. Tani s’je. Andaj shijoje jetën. Lëre një gjë, për të shijuar ca të tjera. Relaksohu!”

Se njeriu në momente të caktuara duhet të braktisë një gjë për të shijuar një gjë tjetër do ta ilustrojmë me një rrëfim rreth Konfucit të pëmendur më sipër. Një ditë ai u shfaq para nxënësve të vet me një kavanoz xhami në njërën dorë dhe me një goxha mollë në dorën tjetër. Dhe iu pyeti fëmijët: “Ç’është kjo që kam në dorë?” – ”Kavanoz” – thanë rioshët në një zë. “Po në dorën tjetër?” – “Mollë”-klithën ata. Urtari e vuri kavanozin mbi tavolinë dhe futi mollën në kavanoz. Buzëgaz u kthye nga nxënësit: “Ju sfidoj: Këtë mollë e fiton ai që e nxjerr nga kjo enë qelqi?” “Po”-tha njëri – “e nxjerr unë.” Hajde – ia ktheu Konfuci. Çuni e futi dorën lehtësisht në kavanoz dhe e rroki mollën, por hë andej e hë këndej, s’ia doli ta nxirrte mollën. As e nxirrte jashtë pemën e as mund ta nxirrte dorën. Ia lëshoi sytë filozofit duke i treguar se s’po e nxirrte jashtë dorën. “Lëshoje mollën”- i tha Konfuci. “Po, ama dua të bëhet imja, dua ta shijoj atë” – shtoi nxënësi. Konfuci me nxënësit filluan të qeshen me zë të lartë. Urtari u kthye kah ai dhe tha: “Jo çdo herë mund të arrish dy gjëra në të njëjtën kohë. Ndodh që duhet të vendosësh cilën do ta mbash, njërën apo tjetrën.” Fëmija nisi të mendojë e të kërkojë formulën, por s’e gjente.
Ose do ta mbante dorën në kavanoz dhe s’do ta zotëronte mollën ose do hiqte dorë nga molla dhe do ta nxirrte jashtë dorën. Në të dyja rastet privohej nga shijimi i mollës. Detyrimisht hoqi dorë nga molla dhe e qiti jashtë dorën. Konfuci u kthye nga fëmijët dhe pyeti nëse dikush tjetër donte të provonte. Provuan edhe disa nxënës të tjerë por pa sukses dhe u ulën. Konfuci vështroi klasën dhe pyeti nëse ai vetë mund ta nxirrte mollën nga kavanozi. “Joo”-u përgjigjën pasuesit e vegjël. “E pamundur”-thanë njëri pas tjetrit.
Dhe Konfuci futi dorën në xhamllëk dhe bëri të pamundurën. E nxori dorën jashtë, e ktheu kanavozin nga e prapa, dhe molla ra mbi tavolinë. Nxënësit mbetën pa tekst e pa frymë. Pse s’u kishte shkuar në mend një metodë kaq e thjeshtë. Konfuci ishte tepër serioz. “Fëmijë, kjo nuk është një gjë kaq e thjeshtë.” “Po si jo mjeshtër” – u kyç një nxënës – “e kthyet kavanozin ters dhe molla doli.” Konfuci vazhdoi debatin. “Djalo, mos u mashtro me të dukshmen” dhe duke ngritur lart mollën thuri këto vargje shumë domethënëse:

“Të braktisësh një gjë në kohën e duhur nuk është punë edhe aq e lehtë.

Ndodh që duhet të braktisësh një mollë.

Ndodh që duhet të heqësh dorë nga një post.

Ndodh që duhet të heqësh dorë nga një pagë.

Herën tjetër të duhet të heqësh dorë nga titull,

nga një gradë.

Ndodh që duhet të braktisësh pushtetin.

Mos harro: S’mund të jesh kurrë i lirë nëse s’e braktis atë që duhet braktisur.”

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button