KËRTHIZA E SHQYPËNIS

Kështu e quajti Rekën e Epërme Josif Bageri, njeriu që shkriu jetën për të mbrojtur shqiptarësinë e krahinës martire nga asimilimi dhe tjetërsimi sistematik i ushtruar nga pushtetet satrape. Mjerisht, përpjekjet e rilindësit nuk arritën ta ndalin nënshtrimin dhe përvetësimin e Rekës prej pushtuesve të njëpasnjëshëm, por as pushtuesit nuk arritën ta vrasin përsijeta idenë e lirisë që përgënjeshtron pas një shekulli mitin mbi Rekën sllave. Produkt i kësaj ideje është studimi gjithpërfshirës monografik i Burim Prroit me titullin “Luma e Epërme”, që si rrallë ndonjë vepër tjetër trajton të shkuarën dhe të tashmen e kësaj krahinë spartanësh, e cila para vitit 1990 ishte temë e paprekshme.

Vlerën e veprës në fjalë, që ndriçon pothuajse të gjitha aspektet e rëndësishme të jetës së njerëzve të Rekës së Epërme (sipas autorit: Lumës së Epërme), nga e shkuara e largët gjer në kohën tonë, e rrit edhe fakti se është shkruar nga një bir i shquar i saj, i cili thotë me të drejtë, se: Asnjëherë kalimtari i huaj apo fqiu nuk mund ta njohë shtëpinë e dikujt më mirë se vetë pronari.

Vepra “Luma e Epërme” hapet me kapitullin që flet mbi toponimet shqipe të kësaj krahine të stërlashtë shqiptare, për të vijuar më pas me kapitujt që hedhin dritë mbi periudhën e pushtimit osman, periudhën e luftërave ballkanike, rolin destruktiv të fuqive të mëdha, Luftën e dytë botërore, periudhën e pushtetit komunist jugosllav, asimilimin, mërgimin dhe ekzodin e popullatës shqiptare, konfliktin e vitit 2001, përpjekjet për ringjalljen e Lumës së Epërme, religjionin dhe arsimin, për t’u mbyllur me veçantitë e të folmes së Lumës së Eepërme, përkatësisht me kapitullin, të cilin autori e ka huazuar nga libri “E folmja shqipe e Rekës së Epërme”, të Sejfedin Harunit, të botuar në vitin 1994.

Duke qenë se vepra është shumë e gjerë, kurse hapësira që kemi në disponim e shkurtër për të folur rend-me-rend për thesaret e saj, po jap në mënyrë të përmbledhur ngjarjet dhe gjërat më të rëndësishme për të cilat shkruan autori erudit me pedantërinë e një shkencëtari të mirëfilltë.

Kështu, përpos toponimeve dhe mikrotoponimeve karakteristike të gjithë fshatrave të Lumës së Epërme, që janë të një rëndësie të jashtëzakonshme për të dëshmuar shqiptarësinë e kësaj krahine, Burim Prroi sjell të dhëna impresive për të shkuarën e lavdishme dhe të tashmen e dhimbshme të këtyre viseve, për shtrirjen gjeografike, për mënyrën e jetës dhe mbijetesës së njerëzve nën shputa pushtuesish të egër, për shkollimin dhe arsimimin, për besimet fetare, për fiset shqiptare të krishtera dhe të muslimanizuara, për lidhjet e tyre farefisnore, për njerëzit e shquar, për familjet e mëdha dhe të pasura, për fermerët e përmasave të pazakonta, për krimet dhe aktet gjenocidale të pushtuesve – djegiet dhe rrënimet e fshatrave, vjedhjet dhe sekuestrimet e pronave të patundeshme dhe bagëtive, dhunimet, vrasjet, përdhosjet e varreveve dhe tempujve të vjetër të kultit, ndarjet e familjeve nëpërmjet konvertimeve dhe asimilimit të dhunshëm fetar e etnik, pasojat e konvertimit dhe përçarjet e nxitura nëpërmjet klerikëve antikombëtarë, migrimet, ekzodet, shpërnguljet e dhunshme, vendet/fshatrat ku janë vendosur banorët e shpërngulur, trajtimin e njerëzve si robër, shfrytëzimin e tyre me punë të rënda “vullnetare” si ndërtues hekurudhash, digash e hidrocentralesh, shkaqet e rrënies graduale të numrit të nxënësve nëpër shkollat shqipe, rolin e rekasve në konfliktin e vitit 2001, rolin e diasporës për ringjalljen e krahinës etj.

Dhe kjo nuk është e tëra, sepse Burim Prroi gjithçka që ka shkruar në librin e tij e ka dëshmuar nëpërmjet referencave të pafundme, dokumenteve zyrtare të periudhave të ndryshme historike, hartave të vjetra gjeografike, tabelave mbi lëvizjet demografike, statistikave mbi regjistrimet e hershme e të vonshme të familjeve dhe popullatës së Lumës së Epërme, proçesverbaleve të mbledhjeve e konferencave vendore e ndërkombëtare në të cilat janë miratuar vendime të kombshme për shqiptarët, listave me të ftuarit për kryerjen e shërbimit ushtarak në ish shtetet jugosllave, listave me të rënët në luftërat e ndryshme, listave me të burgosurit në kazamate pushtuesish, faqeve të gazetave, traktateve mbi copëtimet e ricopëtimet e trojeve tona, dokumenteve arkivore, fotografive rrënqethëse të familjeve shqiptare që shpërnguleshin nga Reka në Turqi, gojëdhënave e dëshmive të gjalla të shkularakëve, vargjeve elegjiake popullore, pasaportave, vesikave, krimeve të dokumentuara në faqe gazetash të huaja, dokumenteve zyrtare që shpalojnë pretekstet për sllavizimin e Rekës, preteksteve për burgosjen dhe likuidimin e shqiptarëve, listave me shqiptarë të pushkatuar nga OZN-a jugosllave, fletoreve zyrtare me emrat e të pushkatuarve, të dhënave statistikore me numrin e të shpërngulurve më dhunë dhe shumë dëshmive të tjera që e shndërrojnë librin në një enciklopedi të mirëfilltë për Lumën e Epërme.

Kjo ëshstë arsyeja që më jep të drejtë të konstatoj se vepra e Burim Prroit është monografia më e plotë që është shkruar gjer më sot mbi Lumën e Epërme. Në të ai ka lënë vite të tëra pune të lodhshme, duke kryer njëkohësisht detyrën e kronikanit të mirëinformuar, të historianit serioz dhe të demografit, gjeografit e gjuhëtarit të shkathtë. Vetëm në sajë të këtyre tipareve, ai ia doli ta botojë veprën me vlera të rralla, që do të jetë pikë e rëndësishme dhe e pakalueshme reference për gjithë studiuesit e ardhshëm të historisë dinjitoze e të dhimbshme të kësaj krahine.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button