Gjakovë, me protestë u kërkua lirimi i Tomorr Morinës – i arrestuar në RMV (FOTO)

Sot në Gjakovë të Kosovës është mbajtur protestë, ku u kërkua lirimi i ish pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Tomorr Morina i arrestuar më 23 korrik në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Siç njoftojnë nga Kuvendi Komunal i Gjakovës, protesta ka qenë e qetë dhe në të i pranishëm ishte edhe kryetari, Ardian Gjini, transmeton Portalb.mk.

“Secili prej nesh e kemi sot një mllef dhe me plot të drejtë. Është e pakuptimtë që ende njëzet vite pas lufte, ata që kanë kryer krime kërkojnë të na dënojnë. Tomorrin e duam sa më shpejtë në mesin tonë, në familjen e tij e mes miqve”, tha Gjini dhe shtoi se, kryeministri i Kosovës ka biseduar me autoritetet shtetërore të Maqedonisë së Veriut dhe se shumë shpejtë gjithçka do të konkretizohet.

Në këtë protestë të organizuar nga OVL-UÇK, morën pjesë qytetarë të shumtë, familjarë, bashkëluftëtarë të Tomorrit dhe pjesëtarë të opozitës.

Protesta në Gjakovë për lirimin e Tomorr Morinës
Protesta në Gjakovë për lirimin e Tomorr Morinës

Nga ana tjetër, dje gjatë pasdites, këshilltari i ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli – Jetlir Zyberaj ka deklaruar se s’ka asnjë mundësi që Morina të ekstradohet në Serbi.

“Vetëm të jemi të sqaruar: Nuk ekziston as edhe një mundësi që ish luftëtari i lirisë Tomor Morina të ekstradohet në Serbi*. Ne jemi duke punuar ngushtë me autoritetet në Maqedoninë e veriut nëpërmjet kanaleve diplomatike dhe institucionale që procedurat të kryhen sa më shpejtë dhe Tomori ti kthehet familjes së tij”, ka shkruar Zyberaj në profilin e tij në rrjetin social “Fejsbuk”.

Pas një jave arrestimi, lirimin e Morinës e ka kërkuar ambasadori i Kosovës në RMV, Gjergj Dedajlideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane në Qeverinë e RMV-së, Bujar Osmani.

Përndryshe, Këshilli i Gjykatës Penale për krim të organizuar në Shkup ka refuzuar kërkesën për lirimin e Morinës, ka bërë të ditur avokati Naser Raufi. Sipas tij, Gjykata ka refuzuar vendimin me arsyetimin se “bëhet fjalë për shtetas të huaj, i cili në rast të lirimit mund të arratiset”. Nga ana tjetër, ditë më parë kryeministri Zoran Zaev ka deklaruar se, në rastin e Morinës do të respektohet Ligji.

Ndryshe, ish-pjesëtari i UÇK-së, Tomorr Morina është arrestuar në pikën kufitare Bllacë, sipas një fletëarresti nga Interpoli i Serbisë, nën dyshimet se ka kryer krime lufte kundër civilëve serbë në Kosovë. Hetimin ndaj Morinës po e udhëheq Prokuroria serbe për Krime Lufte.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button