Artan Grubi e ndërpreu debatin për regjistrimin e popullsisë

Komisioni për Çështje Evropiane, e ndaloi debatin e seancës së sotme në të cilën në rend dite ka qenë propozim-ligji për regjistrimin e popullatës, amvisërive dhe banesave në vitin 2020, njofton Portalb.mk.

Pas votimit të rendit të ditës së seancës, kryetari i Komisionit, Artan Grubi tha se e ndalon punën për këtë pikë për shkak nevojës për harmonizim shtesë mes partive politike në lidhje me këtë propozim-ligj.

Paraprakisht, deputeti i partisë opozitare VMRO-DPMNE, Vllatko Gjorçev kërkoi që propozim-ligji për regjistrim të tërhiqet. Propozimin e vlerësoi si të dëmshëm dhe jo-evropian, i cili nuk i plotëson kriteret e OKB-së për zbatimin e regjistrimit të popullsisë.

“Absolutisht është prioritet që të kemi regjistrim të popullatës në Maqedoni sipas kritereve të Eurostatit, BE-së dhe OKB-së. Ky propozim-ligj i pushtetit të Zoran Zaevit dhe Entit të tij për Statistika, në të cilin nuk kemi kurrfarë besimi, absolutisht nuk është në atë linjë. Ligji duhet që të tërhiqet dhe të shihet se çfarë më tej, pasi që qytetarët masivisht nuk janë të kënaqur nga propozim-ligji për regjistrim”, tha Gjorçev.

Kërkesa e tij nuk u vendos në votim.

Kryetari i Komisionit, Grubi paralajmëroi se seanca për regjistrim plotësisht do të caktohet, ndërkaq Komisioni vazhdoi me punë në seancën e 46-të në të cilën, në ë rend dite janë të vendosura furnizimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë në lexim të dytë.

Ky është anulimi i dytë i debatit për propozim-ligjin për regjistrim të popullatës në komisionin amë, i cili hyri në Kuvend me flamur evropian. Seanca e parë duhej që të mbahet më 10 qershor, por u anulua.

Regjistrimi provë ka përfunduar. Regjistrimi zyrtar do të fillojë në prill 2020, me ç’rast të gjithë qytetarët janë të detyruar të regjistrohen, dhe i njëjti pritet të kushtojë më shumë se tetë milionë e gjysmë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button